E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmet e PD-së nuk e tërheqin PS-në nga qëndrimi për hapjen e kutive



Strategjia e PD-së për të sulmuar ashpër dhe pamëshirshëm deri edhe në detajet personale kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, duket se nuk po korr sukses në radhët e Partisë Socialiste. Selia rozë jo vetëm që nuk është zmbrapsur nga sulmet e iniciuara nga kryeministri Berisha dhe të pasuara nga funksionarët e PD-së, por ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin se nuk heq dorë nga kërkesa për hapjen e kutive të votimit. Një gjë e tillë është bërë e qartë dje nga reagimet dhe konferencat për shtyp që kanë dhënë deputetët e Partisë Socialiste, Arta Dade dhe Mimi Kodheli dhe Erion Braçe. Të zgjedhurit socialistë i kanë cilësuar të turpshme deklaratat e Berishës dhe të deputetëve të PD-së, të cilët janë përpjekur të hedhin baltë në drejtim të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Të zgjedhurit e PS-së kanë përsëritur edhe dje kërkesën e tyre të panegociueshme për hapjen e kutive të votimit.

Dade
Deputetja dhe njëherazi sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Partinë Socialiste, Arta Dade, tha se kryeministri Berisha i është sulur me tërbim opozitës me shpifje të paqena, pasi nuk ka kurajë që të ballafaqohet me të vërtetën e kutive të votimit. Dade e cilësoi të turpshëm qëndrimin personal të Berishës, i cili merret me jetën private të kundërshtarëve politikë. Ajo konfirmoi edhe njëherë qëndrimin e panegociueshëm të Partisë Socialiste për të hapur kutitë e votimit. “Ditët e fundit Sali Berisha i është vërsulur me tërbim opozitës me shpifje të padenja për një kryeministër. Ai nuk ka kurajë të ballafaqohet me të vërtetën e kutive të votimit dhe rreket të tërheqë opinionin publik me baltën e shpifjeve ndaj liderit të opozitës. Sali Berisha nuk mund të mbulojë krimin dhe korrupsionin elektoral duku u futur në familjet e në shtëpitë e të tjerëve, gjë të cilën ne nuk e kemi bërë kurrë. Ne s’jemi marrë asnjëherë as me jetën private të Sali Berishës, as me jetën private të familjarëve të tij, po jemi marrë vetëm me kapjen e shtetit për llogari të interesave të pushtetit familjar. Sali Berisha ta harrojë se mund të gjejë ndonjë shteg për t’i shpëtuar ballafaqimit me popullin opozitar në rast se ai nuk i hap kutitë e votimit. Asgjë nuk e shpëton Berishën, as sulmet ndaj opozitës për ta zmbrapsur atë, përkundrazi, bën efektin e kundërt dhe opozita do të mbetet në vazhdim të aksionit të saj politik për hapjen e kutive të votimit. Mjetet që Sali Berisha përdor janë mjete të vjetruara dhe më mirë se kushdo tjetër efektin e tyre e di vetë Sali Berisha”, - tha Dade.

Kodheli
Një tjetër deputete e Partisë Socialiste dhe pikërisht Mimi Kodheli, ka reaguar ndaj sulmit të radhës të kryeministrit Berisha, të bërë në qytetin e Lezhës. Kodheli tha se kryeministri Berisha, edhe pse në festën e Bajramit, nuk hezitoi që me gjuhën e tij të urrejtjes të bënte shpifjet e radhës, duke u përpjekur që të spostojë vëmendjen e shqiptarëve nga kutitë e votimit. Kodheli tha se Berisha do të dështojë në këtë drejtim, pasi të gjithë shqiptarët kërkojnë hapjen e këtyre kutive, dhe kjo është e vetmja zgjidhje që atij i ka mbetur në dorë. “Njeriu që ditën e Bajramit përdori gjuhën e urrejtjes, njeriu që me fjalorin e tij turpëroi gra, fëmijë e të moshuar, njeriu që prej ditësh po krijon shpifjet më monstruoze që mund t’i mendojë vetëm një njeri i sëmurë, po përpiqet të heqë vëmendjen e shqiptarëve nga kutitë e votimit. Ta harrojë Sali Berisha se mund të fshehë të vërtetën e 28 qershorit. Një popull i tërë kërkon hapjen e kutive, një e treta e të cilave, sipas OSBE-së, është numëruar keq ose shumë keq. Sali Berishës i ka mbetur vetëm një zgjidhje: të hapë kutitë. Pa hapur kutitë nuk ka zgjidhje tjetër, vetëm zgjedhje.

PSV ‘91: Kriza politike nuk zgjidhet me luftën apo me marrëveshjen Rama-Berisha

Komiteti Drejtues Kombëtar i Partisë Socialiste të Vërtetë ‘91 ka fajësuar liderin e maxhorancës Sali Berisha dhe liderin e opozitës Edi Rama si shkaktarë të krizës politike. Kreu i kësaj partie, Petro Koçi, tha se zgjidhja e kësaj krize nuk mund të bëhet me anë të luftës apo qoftë edhe marrëveshjes politike midis dy liderëve. PSV ‘91 ka theksuar se zgjidhja mund të vijë vetëm në rast se ndryshohet Kodi Zgjedhor dhe duhen marrë masa konkrete për ndryshimin e marrëdhënieve kushtetuese mes institucioneve Parlament-Qeveri-President. “Sistemi politik i instaluar me ndryshimet kushtetuese përjashtuese të 21 prillit 2008 ka hyre në krizë të qartë. Sanksionimi në Kushtetutë i 2 monopoleve politike po çon gjithnjë e më shumë në varfërim të demokracisë dhe në degjenerim të garës ndërpartiake drejt konflikteve të rrezikshme që mund të dalin jashtë kontrollit të sistemit demokratik. Përgjegjësitë e krizës u takojnë në radhë të parë kryetarëve të PS-së dhe PD-së, të cilët privatizuan procesin politik të përcaktimit të sistemit kushtetues dhe të sistemit zgjedhor. Zgjidhja e krizës nuk mund të kalojë nga një marrëveshje e re mes dy monopoleve politike, por nga gjithëpërfshirja e garantuar e spektrit politik në një proces dialogu dhe ndërkomunikimi. PSV ‘91 gjykon se pa ndërmarrë hapa konkretë për ndryshimin e marrëdhënieve kushtetuese mes institucioneve Parlament-Qeveri-President dhe për ndryshimin e Kodit Elektoral, nuk mund të ketë zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme të krizës. Pa këto ndryshime, kërkesa për zgjedhje të parakohshme nuk ofron shanse për kapërcimin e krizës, por vetëm riciklime të saj”, - thuhet në deklaratën e kësaj partie.

Braçe: “Berisha po e çon vendin në zgjedhje të parakohshme”

Deputeti socialist Erion Braçe konfirmoi dje qëndrimin e Partisë Socialiste për të vijuar bojkotin e Kuvendit. Braçe komentoi edhe deklaratat e djeshme të kryeministrit Berisha, për të cilin tha se tashmë është futur në rrugën për shpërndarjen e Kuvendit. Braçe u shpreh se e uronte një gjë të tillë, pasi shpërndarja e Kuvendit do të sillte zgjedhjet e parakohshme. “Sali Berisha kërkon opozitën në Kuvend. Sali Berisha kërcënon opozitën dhe veprimin e saj politik e ligjor. Ne duam të garantojmë sot të gjithë popullin opozitar dhe çdo shqiptar, taksat e të cilit po financojnë një familje të korruptuar. Ne nuk do të jemi në Parlament për të legjitimuar një institucion, produkt i vjedhjes së votës, produkt i vjedhjes së taksave. Nuk do të bëjmë funksional me mandatet e popullit një Parlament që ka marrë tashmë atributet mekanike të lavatriçes së krimit. Kryeministri po ecën në një rrugë që normalisht të çon në shpërndarjen e Parlamentit dhe shpërndarja e Parlamentit çon në zgjedhje të parakohshme. Urojmë që kryeministri t’i shkojë kësaj rruge”, - u shpreh Braçe.

1 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›