Pagat e buxhetorëve në 2010-n, qeveria do ti rrisë me 6,5 nga 10 për qind
Qeveria ka gati skemën e rritjes së pagave për buxhetorët për vitin e ardhshëm, por ndryshe nga premtimi me 10 për qind rritja do të jetë nga 6-6.5 për qind. Ky ishte dhe një nga prioritetet e mazhorancës qeverisëse gjatë mandatit të dytë dhe që është parashikuar në buxhetin e vitit 2010. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Financave, Ritvan Bode, në një prononcim televiziv. Sipas tij, është parashikuar që rritja e pagave të punonjësve buxhetorë do të jenë në masën 4-6.5 për qind e diferencuar, ndërsa për pensionet e fshatit rritja do të jetë në masën 7-15 për qind. Ministri i Financave theksoi se “projektbuxheti i vitit 2010 merr në konsideratë të gjitha këto zhvillime dhe bazohet në skenarin për rikthimin e ekonomisë në parametrat e saj optimalë pas stresit të këtij viti”. Sa i takon rritjes ekonomike, sipas ministrit Bode, parashikohet që ajo të jetë nga 6 për qind për vitin e ardhshëm. Kjo do të vazhdojë të mbështetet nga filozofia e stimulimit të rritjes ekonomike, nëpërmjet nxitjes së ofertës agregate dhe ndjekjes së politikave makroekonomike të mirë-planifikuara e mirë-koordinuara dhe nga thellimi i mëtejshëm i reformave ekonomiko-strukturore, krahas proceseve të tjera të natyrshme në të cilat po kalon ekonomia shqiptare. Rritja e të ardhurave në këtë projektbuxhet do të jetë me 12 për qind, një ndër rritjet më të mëdha të bëra në buxhet, ndërsa PPB-ja për frymë do të ritet me rreth 10 për qind. Në projektbuxhet parashikohet që niveli i papunësisë të ulet me 0.3 për qind, në krahasim me fundin e këtij viti. Programi fiskal i vitit 2010 është bazuar në ecurinë makro-fiskale të vitit 2009, si dhe në kuadrin e rishikuar makroekonomik 2010-2012. Ndryshimet në barrën fiskale të programuara për vitin 2010 synojnë konsolidimin e sistemit pa bërë rritje të nivelit të taksave, duke mos cenuar avantazhin e vendit me taksat më të ulëta.
1 Dhjetor 2009