E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hidrocentrali i Skavicës, tenderi i koncesionit do të zhvillohet në dhjetor



Hidrocentrali i Skavicës mbi lumin e “Drinit të Zi” do të hapë procedurat për dhënien me koncesion këtë muaj. Gjashtë kompani të huaja pritet të hedhin ofertat përfundimtare në tenderin për dhënien me koncesion të projektit. Tenderi ishte hapur që në vitin 2008 dhe fituesi pritej të shpallej në janar të këtij viti, por u shty për shkak të krizës financiare ndërkombëtare. Gjashtë kompanitë e interesuara janë “TGK Skavica srl”, një kompani italiane që ka përgatitur edhe projektin, "Korea Electric Power Corporation" nga Koreja e Jugut, “STATKRAFT” nga Norvegjia, konsorciumi “VERBUND KELAG GRUP” nga Austria dhe "R.W.E AG” nga Gjermania. Hidrocentrali i ri mund të kushtojë rreth 600 milionë euro, por vlerësohet se mund të prodhojë rreth 1.3-1.8 miliardë kilovat/orë energji në vit, e cila ka vlerë tregtare prej rreth 65-80 milionë eurosh, sipas çmimeve aktuale të energjisë së importuar në Shqipëri. Nëse realizohet, ky hidrocentral pritet të rrisë prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri me 10-15 për qind nga niveli aktual. Pjesëmarrësit në tender janë kompani të rëndësishme të tregut europian të energjisë. Punimet për ndërtimin pritet të zgjasin shumë vite, për shkak të terrenit të vështirë dhe mungesës së rrugëve.

Biznesi humbet besimin, shumë pak investime priten për vitin 2010

Qytetarët shqiptarë por dhe bizneset janë pesimistë për sa i përket përmirësimit të jetës apo aktivitetit ekonomik në muajt në vazhdim. Banka e Shqipërisë ka konstatuar se është rritur besimi i biznesit në ekonomi krahasuar me 3-mujorin e mëparshëm, por ai sërish mbetet nën mesataren europiane. Nga anketimi, bizneset thonë se nuk kanë kryer investime dhe njëkohësisht nuk presin të kryejnë edhe në 6 muajt e parë të vitit 2010. Kjo situatë për ekspertët do të ndikojë në rritjen ekonomike, pasi nuk do të gjenerojë vende të reja pune. Sektorët më problematikë rezultojnë të jenë ndërtimi dhe industria, në të cilët bizneset janë shfaqur edhe më pesimiste për të ardhmen e tyre. Ky fakt shpjegohet edhe me tkurrjen e kreditimit të ekonomisë nga bankat e nivelit të dytë në vend. Bazuar në pasigurinë që mund të shoqërojë tregun vendas në kohët në vazhdim, bankat kanë ndaluar dhënin e kredive afatgjata. Për vitin e ardhshëm bizneset ndërtuese kërkojnë një rishpërndarje më të mirë të fondeve publike nga ana e qeverisë, në mënyrë që kompanitë private të kenë mundësi të kryejnë aktivitet. Ndërkohë industria por dhe sektori i shërbimeve vazhdojnë të ndjejnë mungesën e kreditimit.

1 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›