E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimi: Rritja e tarifave të energjisë nuk do të ulë konsumin në 2010-n



Ervin KOÇI

Konsumi i energjisë elektrike në vend do të rritet vitin e ardhshëm, me gjithë rritjen e pashmangshme që do të ketë çmimi i këtij produkti. Sipas një studimi ekonomik të bërë nga ekspertët e Bankës së Shqipërisë, konsumi i energjisë elektrike në vend ka ardhur çdo vit në rritje, pavarësisht luhatjeve gjatë periudhave të caktuara, gjë e cila ka bërë që një sasi jo e vogël të importohet, përveç prodhimit vendas. Studimi thotë se, rritja e kërkesës për energji elektrike, është më e lartë se për çdo burim tjetër energjie megjithëse furnizimi neto me energji elektrike është rritur me më shumë se 8.9 për qind në vit, qe nga viti 1990. Ky mbikonsum i energjisë elektrike, sidomos në nivel tensioni të ulët ka çuar në humbje shumë të mëdha teknike, në rrjetin e transmetimit dhe të shpërndarjes për shkak të mbingarkesës, ose dëmeve të tjera që i janë bërë rrjetit. Kjo rritje e kërkesës po kapërcen rritjen e faturimit të shitjeve të energjisë elektrike, për shkak të një niveli në rritje të humbjeve jo-teknike. Ky fenomen praktikisht ka “shpërthyer” që nga 1991-‘92 në formën e konsumit nëpërmjet lidhjeve ilegale.

Konsumi

Vlera e konsumit që nuk matet vlerësohet të jetë në një nivel shumë të lartë krahasuar me konsumin faktik. Llogaritjet tregojnë se, vlera totale e humbjeve është rreth 40 për qind, vlerë e cila ruhet që prej vitit 2003. Kjo do të thotë se sa herë që KESH-i prodhon 1 kilovat/orë, kompania është në gjendje të arkëtojë rreth 0,6 kilovat/orë. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave "Për Miratimin e Planit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit" termoizolimi është një nga kushtet kryesore, të cilin duhet ta zbatojë vendi ynë. Por nga ana tjetër asnjë nuk mendon se nëse investon në termoizolim, do të ulë me rreth 60 për qind përdorimin e energjisë elektrike. Studimi lidhur me përdorimin e energjisë në vend thotë se, “shqiptarët në përgjithësi kanë një kulturë mjaft të ulët, ose nuk kanë njohuri për mënyrat se si mund të jenë eficiente në përdorimin energjive alternative, për të kursyer të ardhurat”. Nga ana tjetër asnjë nga pallatet e reja që ndërtohen, nuk e respekton detyrimin ligjor për të instaluar sistemet qendrore të ngrohjes.

Kostoja

Që në vitin 2002, një studim i miratuar nga qeveria vlerësonte se kostoja margjinale e energjisë elektrike në Shqipëri është rreth 13 lekë. Studimi vlerësoi se për të mbuluar këtë kosto, çmimi i dritave duhej të rritej me mesatarisht 1 lekë për kW/h deri në vitin 2013, pra deri në nivelin e 13 lekëve. Sipas asaj strategjie, këtë vit shqiptarët do të duhet të paguanin rreth 10 lekë, por në fakt, paguhet mesatarisht rreth 8 lekë. Rritja e çmimeve do t‘i mundësonte KESH-it të ndërtonte termocentrale të reja për të garantuar furnizim të rregullt. Por qeveritë e ndryshme i rritën çmimet vetëm kur nuk mund të përballonin presionin e Bankës Botërore, institucioni që është edhe kreditori më i rëndësishëm i KESH-it. Shqipëria u kritikua për këtë çështje edhe nga raporti i fundit i progresit që Komisioni Europian bëri për Shqipërinë. "Parimi i çmimeve që mbulojnë koston e furnizimit me energji nuk është zbatuar ende në Shqipëri", thuhet në raport. Rritja e çmimit të dritave filloi në vitin 2002, kur Shqipëria doli vend me deficit të konsiderueshëm energjetik dhe kur u pa që investimet e nevojshme për furnizim të rregullt, kërkonin një çmim më të lartë. Sipas një tjetër studimi të vitit 2001, çdo kilovat/orë shtesë në furnizim, në rastin e Shqipërisë e kishte çmimin rreth 13 lekë. Vendi përjetoi një krizë më të madhe energjetike në vitin 2007 sesa në vitin 2002, pavarësisht se çmimi i dritave ishte katërfishuar ndërkohë.

1 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›