E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekutimi i dyfishtë në Pojan, 25 persona në polici



Korçë - Hetimet për ekzekutimin e dyfishtë në Pojan të Korçës, kanë çuar në polici 25 persona, mes te cilëve edhe disa gra e vajza. Të gjithë jë janë shoqëruar gjatë ditës së djeshme tha policia lokale. Burime te policisë bëjnë me dije se te ndaluarit janë edhe nga fshatrat fqinje, ku njëri nga viktimat Altin Liçolli, që mendohet të ketë qenë dhe shënjestra e atentatit, ka ushtruar aktivitetin si biznesmen i lëndëve të ndërtimit. Viktima ndodhej në dyqanin e tij se bashku me një mik kur një apo më shumë persona të armatosur kanë qëlluar nga dera e hapur pa paralajmërim. Nga plumbat ka mbetur i vdekur në vend 32-vjeçari Altin Liçolli, banor i fshatit Pojan. Gjithashtu është plagosur rëndë edhe 40-vjeçari Arben Mica. Ai ndodhej në dyqanin e mikut të tij pasi po shikonin finalen e Botërorit të futbollit së bashku. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe gjeti në gjendje kritike për jetën 40-vjeçarin, ndërsa 32-vjeçari Altin Liçolli është gjetur i pajetë. I plagosuri është dërguar me urgjencë në spital dhe sipas të dhënave është mësuar se ka humbur jetën në orët e para të mëngjesit të një dite më vonë për shkak të plagëve të marra në trup.

Aksidenton 43-vjeçarin me qëllimin për ta vrarë
DURRËS - Në rrugën e fshatit, një person ka tentuar të vrasë një tjetër për motive të dobëta, duke e përplasur me makinën e tij të tipit “Benz”. Ngjarja sipas burimeve policore të Durrësit, ka ndodhur në fshatin Vllaznim, ndërsa agresori është 20-vjeçari me emrin Jetmir Caca, lindur në Pukë dhe banues në Xhafzotaj të Durrësit. Siç mësohet nga policia, i riu është ndaluar pasi ka tentuar të vrasë me dashje 43-vjeçarin me inicialet Z. M., duke e goditur me automjetin e tij me targa DR 6004 E. Si pasojë e përplasjes nga makina, i plagosuri ka pësuar dëmtime të rënda për jetën dhe ndodhet në spital në gjendje të rëndë. Nga hetimet e kryera prej uniformave blu, rezulton se shkaku i kësaj ngjarje është një konflikt i ndodhur para një muaji mes tyre, e cila vazhdon të jetë nën hetim nga prokuroria e Durrësit. Gjatë arrestimit të të dyshuarit, në cilësinë e provës materiale është sekuestruar automjeti “Benz” me targa DR 6004 E, pronë e të akuzuarit, kurse po vazhdon kryerja e veprimeve të mëtejshme hetimore lidhur me këtë ngjarje. I dëmtuari aktualisht ndodhet në spitalin e Durrësit me dëmtime të rënda, por jashtë rrezikut për jetën dhe materialet për veprën penale të “vrasjes me dashje, e mbetur në tentative”, iu kaluan për ndjekje prokurorisë së qytetit bregdetar.

Aksidentohet për vdekje i moshuari, autori mister
DURRËS - Një makinë ka goditur për vdekje një kalimtar në rrugë, ndërsa autori i këtij krimi është larguar nga vendngjarja në drejtim të paditur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 24:00 të dy ditëve më parë. Nga burimet policore të Durrësit është saktësuar se përplasja me vdekje ka ndodhur në rrugën e vjetër Sukth-Maminas, në afërsi të Fabrikës së Karameleve. Burimet policore raportojnë se ka qenë një mjet i paidentifikuar, i cili ka goditur me pasojë vdekjen një kalimtar i rastësishëm që kalonte aty në rrugë. Sipa stë dhënave paraprake të grupit hetimor, mësohet se viktima është e seksit mashkull, e moshës rreth 70 vjeç, ende e paidentifikuar. Vazhdon kryerja e veprimeve të para hetimore si dhe puna për identifikimin e viktimës dhe autorit të ngjarjes.

Varfëria, vetëhelmohet 32-vjeçarja, lë jetim dy fëmijë
ELBASAN - Një 32-vjeçare, nënë e dy fëmijëve i ka dhënë tragjikisht fund jetës së saj. Viktima, e identifikuar nga policia si Greta Berdufi ka gjetur vdekjen duke u vetëhelmuar me fostoksinë. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në një prej lagjeve të Elbasanit. Familjarët, kanë thënë se helmi ndodhej në banesë dhe ishte blerë nga bashkëshorti i viktimës për të luftuar brejtësit. Nëna e dy fëmijëve ka mbërritur në spital në gjëndje të rëndë dhe mjekët nuk kanë mundur ti shpëtojnë jetën. Familjarët thonë se ka qenë gjëndja e rëndë ekonomike që ka detyruar 32-vjeçaren ti japë fund jetës. Materialet hetimore i kanë kaluar prokurorisë për të zbardhur nëse kemi të bëjmë vërtet me një vetëhelmim si dhe rrethanat që kanë çuar nënën e dy fëmijëve të marrë vendimin ekstrem.

Vdes 24-vjecari, ra në korent kur po lidhte energjinë
LIBRAZHD - Tentoi të lidhte energjinë elektrike në një shtyllë të tensionit të ulët, humb jetën 24-vjeçari Luan Bajrami. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në fshatin Dragostunjë të komunës Qendër në rrethin e Librazhdit. Sipas policisë 24-vjeçari po tentonte të lidhte përcjellësit në shtyllë, pasi në banesën e tij mungonte energjia. Fatkeqësisht kontakti aksidental me korentin i ka shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Ndërkohë që në vendngjarje kanë mbërritur dhe forcat e policisë të cilat vijuan hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

16 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›