E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, vrasja për një vijë uji, vetëdorëzohet autori



Artan CENA
SHKODËR - Vetëdorëzohet autori i vrasjes së ndodhur një javë më parë në Malësi të Madhe. Burime zyrtare nga Policia e Shkodrës thanë ditën e djeshme, se në orët e mesditës pas negociatave të bëra me familjen e autorit të dyshuar, është vënë në pranga Gjokë Çukaj, 23 vjec. Policia e Shkodrës tha se, vendndodhja e të riut ishte gjetur por ai nuk ishte dorëzuar. Në këtë pikë kanë filluar dhe negociatat me familjen që kanë çuar në ndalimin e të dyshuarit. Ndalimi i tij është bërë pasi i riu ishte person i shpallur në kërkim nga policia që nga data 8 korrik 2010. Një ditë para kësaj date Çukaj akuzohet se rreth orës 21:45, në fshatin Kasnec, Komuna Pult, Shkodër, ka vrarë, me armë zjarri tip pistoletë, shtetasin Ndoc D. Prroj (Vata), 62 vjeç. Viktima ishte zënë me familjen e autorit për një vijë uji, që më pas ka sjellë dhe krimin. “Ndalimi i tij u bë i mundur si rezulat i negociatave me familjarët e autorit, duke e bindur atë të vetëdorëzohet së bashku me armën më të cilën ka kryer krimin”, thanë dje burimet zyrtare të Policisë së Shkodrës.
Ngjarja
Vrasja ka ndodhur në lagjen "Kasnec" në fshatin malor të Kirit dhe viktima Ndoc Prroj ishte baba i katër fëmijëve. Burimet e policisë shprehen se shkak është një konflikt i hershëm i viktimës me fqinjin e tij për shkak të ujit që përdoret për vaditje. Sipas banorëve të këtij fshati, viktima, lindur e banues në këtë fshat, ka pasur konflikt me familjen Qutaj prej kohësh. Madje është mësuar se edhe ditën e ngjarjes kryefamiljari Qutaj dhe viktima janë zënë me njëri-tjetrin. Madje Ndoc Prroj është kanosur nga fqinji i tij çka ka bërë që ai të njoftojë policinë, duke u shprehur se rrezikonin ta vrisnin. Një gjë e tillë ka bërë që uniformat blu të mbërrinin në vendngjarje dhe të shoqëronin për në komisariat kryefamiljarin Çukaj. Por ky veprim nuk duket se i ka qetësuar gjakrat, pasi ndërsa ka parë se të atin ia kishin dërguar në qeli, 23-vjeçari Gjokë Çukaj, ka marrë një armë dhe ka qëlluar kundër fqinjit të tij Ndoc Prroj, duke e lënë të vdekur. Më pas ai është larguar nga vendngjarja, teksa vetëm një ditë më vonë është bërë i mundur identifikimi i tij si autor i vrasjes, si dhe shpallja e tij në kërkim. I riu i vu në pranga vetëm ditën e djeshme.
Problemet
Fshati Kir në komunën e Pultit në Dukagjin është një fshat malor ku ka pak tokë, vetëm ajo rreth banesave dhe banorët e përdorin ujin për vaditje sipas radhës, pasi kanalet përkatëse mungojnë. Banorët e këtij fshati kanë hapur vetë kanale për ta marrë ujin nga lumi dhe përdorur për të ujitur tokat dhe shpesh kjo është bërë burim konfliktesh që kanë shkaktuar dhe vrasje. Vetëm para 3 muajsh, grindja për ujin solli vrasjen e 33-vjeçarit Zek Tonaj dhe plagosjen e babait të tij Ndue Tonaj, ngjarje kjo e ndodhur në qendrën e komunës Shalë në zonën e thellë malore të Dukagjinit në Shkodër, në fshatin Breg Lumi. Vrasja e 60-vjeçarit Ndoc Prroj është e gjashta që ndodh gjatë këtij viti në qarkun e Shkodrës. Policia tha se, dosja me materialet në ngarkim të Gjokë Çukajt, i ka Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale “vrasje me dashje” dhe “armëmbajtje pa leje”.

16 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›