E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Berisha ta harrojë bashkëpunimin”

 

aristir lumezi

Nuk ka asnjë bashkëpunim dhe reformë nëse nuk zbatohet ligji. Kjo ishte përgjigjja që kreu i PS-së Edi Rama i dha mbrëmë gjatë një konference reaguese nga deklaratës që Kryeministri Berisha bëri dje pasdite në mbledhjen e qeverisë. “Nuk ka reformë të asnjëlloji nëqoftëse nuk rivendoset dinjiteti i ligjit në radhë të parë, nëqoftëse ligji nuk bëhet fuqi të cilës që të gjithë, nga Sali Berisha i pari t’i nënshtrohen pa kushte, nëqoftëse ligji mbetet kështu siç është sot, një copë letër e hedhur në kosh”, u shpreh Rama gjatë një konferencë për shtyp në selinë rozë. Kreu socialist reagoi pas deklaratave të kryeministrit dhe e konsideroi të vonuar vendimin e ministrave të Jashtëm të BE-së. Rama theksoi edhe njëherë se vendimi i BE është një lajm i mirë për vendin, Rama renditi një sërë problemesh, të cilat sipas tij shuajnë çdo arsye për të festuar, duke iu përgjigjur dhe ftesës që Berisha i kishte bërë pak orë më parë. “Çfarë të festojmë, shembjen e tunelit të Kalimashit, që nga vepër me rëndësi kombëtare u kthye në pre të babëzisë të këtij regjimi. Të festojmë që dëgjojmë ministrin që duhet të jetë i pandehur të na thotë se shembja ishte e paparashikueshme. Apo të festojmë që Shqipëria ka mbetur e fundit”, theksoi Rama. Kryesocialisti tha se Shqipëria e izoluar bashkë me Bosnjën, për shkak të përjashtimit nga harta e vendeve të Ballkanit që do të përfitojnë liberalizimin e vizave, aferat korruptive në rrugën Durrës-Kukës, korrupsioni me pronat dhe shkelja e parimeve të demokracisë janë motive të mjaftueshme për të protestuar kundër asaj që ai e quajti keqqeverisje të Sali Berishës. “Sot në dhjetëvjeçarin e dytë të lirisë së keqpërdorur nga ata që na keqqeverisin duhet të festojmë që Berisha u pranua të hyjë në një provim vjeshte. Lajmi në vetvete është i mirë, por i vonuar për shkak të keqqeverisjes së Berishës”, theksoi Rama, në një konferencë për mediat në orët e mbrëmjes të cilën e quajti të pazakontë dhe të nxitur nga provokimet e vazhdueshme të Kryeministrit. Kryesocialisti duke këmbëngulur tek arsyet që detyrojnë PS të vazhdojë bojkotin tha se Qeveria duhet të zbatojë ligjet që bën Parlamenti. “Ne duam një Parlament që të bëj ligje dhe një shtet që t’i zbatojë ligjet, duke filluar nga Qeveria. Ne nuk mund të hyjmë në një Parlament që nuk ka minimumin e respektit për ligjet që nxjerr dhe as mos festojë, por as të çojë nëpër mend dhe një bashkëpunim me një qeveri që është e para që nuk respekton ligjin”, u shpreh Rama. Kreu socialist konsideroi se Evropa hapi derën për të futur Shqipërinë në provim jo për Sali Berishën, por për një komb të tërë, që sipas tij ka mbetur i fundit kur duhet të ishte përpara të gjithëve në Ballkan. “Zotëria na thotë që të festojmë se një ditë do t’i marrim edhe ne vizat, por sigurisht që një ditë do t’i marrim edhe ne vizat. Kjo nuk do të thotë që ne duhet të jemi të lumtur, se kemi Sali Berishën, sepse nuk është Sali Berisha që po ua jep vizat dhe as që do t’ia heqë vizat shqiptarëve. Sali Berisha është arsyeja pse shqiptarët sot janë të fundit dhe po duhet të presin kushedi sa kohë, muaj të tërë, mbase edhe më shumë se kaq për të dalë pa viza nga Shqipëria. Turp”, tha Rama. Kreu socialist solli në vëmendje raportin e publikuar dje nga TIA për indeksin e korrupsionit, sipas të cilit gjendja e Shqipërisë konsiderohet shqetësuese, duke nënvizuar se: “Shqipëria doli jashtë të gjitha parametrave të vendeve që aspirojnë të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian”. Ndërkohë Rama theksoi se këto janë arsyet që duhet të shtyjnë çdo qytetar t’i bashkohet opozitës në protestën së 20 nëntorit, për kërkuar hapjen e kutive të votimit. “Ne nuk kemi probleme me Kodin, nuk kemi probleme me ligjin dhe as me sistemin e drejtësisë, ne kërkojmë hapjen e kutive të votimit që zgjedhjet të mos jenë më një maskaradë”, u shpreh Rama.

Haxhinasto
“Vendimi i Këshillit Evropian është një njohje e vullnetit dhe në mënyrë të veçantë e progresit të arritur nga Shqipëria në procesin e integrimit Evropian të reformave të realizuara dhe atyre në proces në drejtim të forcimit të demokracisë të ekonomisë së tregut dhe të lirive e të drejtave të qytetarëve. LSI vlerëson të gjithë ata faktorë politikë e institucionalë që kanë kontribuar në marrjen e këtij vendimi pozitiv nga ana e Këshillit të Ministrave të Evropës”, u shpreh zv.kryetari i LSI.

Topalli
Duke evidentuar rolin që ka Parlamenti për të çuar më tej procesin e integrimit të vendit në BE, kryeparlamentarja ftoi opozitën të ndërpresë bojkotin parlamentar. “Në Parlament ne kemi arritur kompromise të jashtëzakonshme, unë besoj se në Parlament do të bëjmë shumë punë të rëndësishme, por në mënyrë të veçantë Parlamenti si institucion duhet të përcjellë kontratën që secili deputet, i majtë apo i djathtë ka me qytetarët e tij detyra të mëdha, detyra që nuk mund t’i
shmanget askush”, u shpreh Topalli nga SHBA.

Pollo e Rama, bashkë në 65-vjetorin e çlirimit
Qeveria dhe Bashkia e Tiranës ishin bashkë dje në aktivitetet e zhvilluara nga Bashkia me rastin e 65-vjetorit të çlirimit të Tiranës. Ministri i Shtetit, Genc Pollo përfaqësues nga Presidenca, Ministria e Mbrojtjes si dhe kryebashkiaku Edi Rama kryen homazhe dhe vendosën kurora me lule në monumentin e ushtarit të panjohur, simbol i luftës dhe i çlirimit të Tiranës nga pushtuesit nazifashistë. Më herët, kreu i Bashkisë Rama ka pritur në një takim të veçantë përfaqësues të familjeve të dëshmorëve, shoqatës së veteranëve, invalidëve të luftës etj. Gjatë një pritje me veteranë, përfaqësues të trupit diplomatik etj, Rama vlerësoi luftën për çlirimin e Tiranës si një pjesë e ndritur e historisë. “Sot, tha Rama, liria dhe vëllazërimi janë 65 vjet larg”. Më herët kryebashkiaku Edi Rama i shoqëruar nga veteranët e luftës u ndal tek pavijoni i xhamtë në qendër të kryeqytetit për të vizituar ekspozitën fotografike me pamje nga lufta për çlirimin e Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›