I jepet lamtumira eruditit Gjergj Zheji

Eshtë shuar në moshën 84-vjeçare personaliteti i njohur i kulturës dhe i letrave shqipe, profesori, studiuesi dhe shkrimtari i mirënjohur Gjergj Zheji. Shtëpia botuese “55” ka marrë të drejtën e botimit të veprave të tij. Pas romanit “Muret e Krujës”, do të botohet “Republika” e Platonit, nën përkthimin mjeshtëror të Zhejit
Ndahet nga jeta në moshën 84-vjeçare Dr.Gjergj Zheji, përkthyesi,studiuesi e shkrimtari i njohur, një nga personalitetet e letërsisë dhe pedagogjisë shqiptare. Zemra e tij pushoi së rrahuri në mesditën e së enjtes për t’u përcjellë dje për në banesën e fundit. Nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, dje, nga ora 12.00-13.00 u zhvillua ceremonia e homazheve për nder të personalitetit të njohur të kulturës dhe të letrave shqipe, profesorit studiuesit dhe shkrimtarit Gjergj Zheji. Si shkrimtar Gjergj Zheji u shqua për romanet “Muret e Krujës”, “Kullat” dhe veçanërisht romanin “Rusha” si dhe për disa libra me tregime për fëmijë. Ndërsa si studiues Zheji njihet për “Vargu i këngëve të kreshnikeve”, “Bazat e vargëzimit shqiptar” etj.
***
Shkrimtar, përkthyes studiues i letërsisë dhe kulturës shqipe, Gjergj Zheji vlerësohet si një personalitet që ka vënë disa gurë themeli në ndërtesën e kulturës shqiptare. “Nuk kam dhënë aq sa kam dashur, por jo se nuk kam dashur unë, por sepse nuk kam mundur”, është shprehur në një nga intervistat e tij të fundit për një të përditshme shqiptare, Gjergj Zheji, i cili mbylli sytë sot në moshën 84 vjecare. Në fakt shumë vite të jetës së Gjergj Zhejit, përkuan me regjimin komunist kur ishte shumë e vështirë të thoshe ato që mendoje. Por edhe në atë kohë Gjergj Zheji pati guximin të thoshte shumë... Kështu përpiqej e punonte profesor Zheji edhe pse regjimi i kapi me “gabime” dhe dy-tre romane, mes të cilave dhe "Mosha e burrave", e cila sic është shprehur ai “është diskutuar në atë kohë në ambiente frike”. Por Gjergj Zheji nuk ishte vetëm një romancier e kritik letrar i madh....
Ai i dha forcë përkthimit, krijoi gjuhën e artit, gjuhën e romanit. Ndër veprat e përkthyera prej tij përmenden “Rinoceronti” nga Eugene Ionesco, “Përrallat e Car Saltanit” nga Aleksandër Pushkin, “Metafizika e dashurisë” nga Artur Shopenhauer, “Ekzistencializmi është humanizëm” i Zhan Pol Sartit, “Aventurat e Hekelber Finit” i Mark Tuein, një vepër që i ka kushtuar më shumë mund nga të gjitha. Mbi të gjitha Gjergj Zheji ka vecuar përkthimin e veprës së shëm zënë veprat e tij studimore për folklorin, sepse ai e cilësonte atë filozofinë e popullit shqiptar. Autor i studimeve për çajupin, për folkorin, i një varg studimesh kritike, emri i Gjergj Zhejit është ngulitur dhe në ato pak studime për metrikën shqipe dhe që sipas prof. Bulo “kanë një vlerë të padiskutueshme”. Sa shumë gjëra të tjera kishte për të thënë.... Në intervistën e fundit kishte treguar se kishte shumë dorëshkrime por nuk e dinte sa do të jetonte që të shikonte ndonjë prej tyre të botuar. I kishte mbetur peng folklori, që ishte pak i studiuar, sikurse kishte peng dhe rishikimin e letëris. Pothuajse kishte përfunduar dhe romanin dyvëllimësh "Sëmundja e lirisë". Ishte duke përgatitur një libër me kujtime rreth familjes së tij të madhe, fshatit Zagori, vendlindjes së tij, një zonë që shquhej për kulturë. Do të rrëfente për prindërit, vëllanë Petro Zheji, studiues e përkthyes, motrën, Vera Zheji, po aq e njohur për zërin e saj në radio... Gjergj Zheji është një erudit që i iku Shqipërisë.
Berisha: “Bota e mendimit shqiptar humbi një prej kolosëve të vërtetë!”
Kryeministri Berisha zhvilloi dje në mesditë homazhe në nder të shkrimtarit, përkthyesit dhe studiuesit të letërsisë dhe kulturës shqipe, zotit Gjergj Zheji. Në mesazhin e tij, Kryeministri Berisha u shpreh: “Bota e mendimit shqiptar humbi sot një prej kolosëve të tyre të vërtetë, Gjergj Zhejin. Ai i përkiste asaj elite shqiptare që me punën e tij pasuroi aq shumë letrat shqipe, bëri të flasin shqip kryevepra të letërsisë botërore, por Gjergj Zheji ishte njëri prej intelektualëve më të parë të Tiranës dhe Shqipërisë që iu bashkua me të gjithë potencialin e tij të madh mendor, shpirtëror, me lëvizjen studentore, lëvizjen demokratike të vendit. Sot ne ndahemi prej tij, por ai lë një emër të madh, një trashëgimi të shkëlqyer për familjen, për miqtë, për botën intelektuale dhe mbarë kombin shqiptare”.
Edhe Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i bëri dje homazhe përkthyesit dhe studiuesit të shquar letrar, Gjergj Zheji. Në mjediset e Teatrit të Operës dhe Baletit, pasi nderoi me një kurorë kujtimin e Zhejit, Kryetari i Shtetit u përshëndet dhe i shprehu ngushëllimet më të ndjera familjarëve të studiuesit dhe intelektualit të kulluar, si dhe nënshkroi në Librin e Zisë. Në vijim, përmes mediave të pranishme në këtë ceremoni, Presidenti Topi vuri në dukje përjetimin e tij për ndarjen nga jeta të Gjergj Zhejit. “Ndjehem i trishtuar. është ndarë nga gjiri i familjes dhe nga gjiri i shoqërisë një nga figurat më intelektuale të kombit, një njeri, i cili do të mbahet mend në memorien e kombit jo vetëm si përkthyes me vlera të jashtëzakonshme, por edhe si hulumtues, studiues i rrënjëve të veprave më të çmuara të literaturës botërore, i cili solli para publikut shqiptar, para studentëve, para të gjithë atyre që janë marrë me vlerat më të rëndësishme të kësaj historie në një mënyrë shumë të thjeshtë. Do ta mbajmë mend të ndjerin Gjergj Zheji mbi të gjitha si një njeri me tipare të patjetërsueshme qytetare, një njeri shumë i thjeshtë, një njeri, i cili të gjitha tiparet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me njeriun, diti t’i transmetojë tek brezat dhe padyshim Gjergj Zheji do të mbetet një pikë e fortë referimi për të gjithë brezat që do të vijnë. Edhe një herë ngushëllimet më të ndjera për familjen dhe të gjithë shoqërinë!” - u shpreh Presidenti i Republikës.
...