Vizat, Meta: Ne bëjmë thirrje për dialog, Rama për dhunë
Ministri i Jashtëm Ilir Meta garantoi dje se liberalizimi i vizave për qytetarët shqiptarë do të ndodhë jo më vonë se korriku i vitit 2010. Në raportin e bërë dje në Komisionin parlamentar të Ligjeve dhe Integrimit Meta tha se skenari shqiptar është që në vitin 2010 shqiptarët të udhëtojnë në 25 vendet e zonës Schengen lirshëm. “Skenari ynë është se vendimi për liberalizimin e vizave me BE-në do të merret jo më vonë se në korrik të 2010-s dhe lëvizja pa viza do të realizohet po brenda këtij viti”, - tha Meta. Ai informoi deputetët se në kalendarin e aktiviteteve përmbyllëse të procesit është parashikuar që, pas raportimit të qeverisë të fundit më 16 nëntor, Komisioni Evropian të dërgojë menjëherë në Shqipëri misionin e parë vëzhgues në mes të dhjetorit dhe misionet e tjera në fillim të vitit të ardhshëm. “Pasi të bëhet një vlerësim, në pranverën e vitit të ardhshëm, Komisioni Evropian do të bëjë propozimin për liberalizimin e vizave për Shqipërinë, i cili do të kalojë menjëherë për miratim në Këshill dhe Parlamentin Evropian”, - tha Meta.
Liberalizimi
Ministri i Jashtëm foli më gjatë për procesin e reformave, duke evidentuar se qeveria shqiptare do të zgjidhë çdo kërkesë të BE-së. Ai garantoi se edhe pas liberalizimit të vizave, nuk do të ketë një bum udhëtimesh të shqiptarëve jashtë vendit, siç tremben disa skeptikë. Meta tha se ka pasur një shqetësim për lëvizjen e kriminalitetit, por me sistemin e ri të kontrollit, ai tha se Shqipëria dhe vendet e BE-së do ta ndalin një fenomen të tillë. ”Kjo kërkohet nga disa vende anëtare të BE-së, për shkak të shfaqjes së shëmtuar të kriminalitetit në vendet e tyre, ku ka ndodhur jo rrallë që të jetë me origjinë shqiptare. Ekziston një shqetësim në këto vende për krimin e organizuar, jo thjesht si një fenomen shqiptar apo ballkanik, por në përgjithësi”, - tha Meta.
Bojkoti i opozitës
I pyetur më tej nga deputetët e mazhorancës në lidhje me bojkotin e opozitës, Meta tha se nuk pengon në procesin e integrimit. Sipas tij, me arritjen e standardëve më 28 qershor, Shqipërisë iu hap rruga për integrim të mëtejshëm. Ai u shpreh se kjo qeveri do të mbyllë mandatin e saj të plotë. “Do kalojë. Do kalojnë edhe disa nëntorë të tjerë. Kjo qeveri do ta mbyllë mandatin e saj pa asnjë diskutim. Nuk trembet askush nga paralajmërime të tilla, të cilat tregojnë një mungesë serioziteti”, - tha Meta, i cili, duke komentuar me shaka protestën e opozitës ditën e sotme, tha se opozita po kontribuon në shtimin e rasteve me virusin e derrit, për shkak të grumbullimit, pa kuptim, sipas tij, të njerëzve në sheshe.
Reformat
Duke folur për reformat në liberalizimin e vizave, Meta tha se qeveria ka bërë një hap para në këtë proces. “Shqipëria ka shënuar një revolucion të vërtetë në dokumentet biometrike, si kartat e identitetit ashtu edhe pasaportat. Ka një kapërcim galopant nga regjistrat e vjetër manualë, në një sistem të kompjuterizuar dhe të sigurt të dhënash; nga seriali i certifikatave në karta identiteti multifunksionale; falë sistemit modern, të shpejtë dhe efikas të instaluar janë shpërndarë 265.000 pasaporta biometrike në vetëm 6 muaj”, - tha Meta. Sipas tij, ka pasur një përqendrim absolut në menaxhimin e kufirit dhe është punuar intensivisht si për instalimin e një teknologjie të re nga më të avancuarat në Evropë për përpunimin e të dhënave në pikat e kalimit kufitar (PKK), ashtu edhe në bashkëpunimin mes agjencive për të siguruar një menaxhim të integruar të kufirit (MIK).