E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, përgjigje Ramës: Prona ime e vetme, një apartament



Pasi ka heshtur për një kohë të gjatë kundrejt sulmeve të opozitës mbi familjen e tij, Kryeministri Sali Berisha iu kundërpërgjigj kreut të PS-së, Edi Rama, mbrëmë në Parlament se prona e tij e vetme është një apartament dhe çdo gjë tjetër është shpifje dashakeqe. “Thuaji atij shefit të opozitës, i cili ka tre muaj që shan me të parë e me të mbrapë, me grua, me vajzë, me nipër, me mbesa e të gjithë me radhë dhe unë sërish në emër të disa parimeve të tjera vijoj të mbështes. Thuaji atij shefit të opozitës, që ka tre muaj që me megafona shpif çdo ditë nga mëngjesi deri në darkë për pronat e Sali Berishës, kur ai ka vetëm një apartament dhe çdo pronë tjetër i falet çdo shqiptari dhe unë s’i përmend asgjë përveçse se ftesë”, - deklaroi Berisha në Kuvend, duke iu drejtuar deputetit Vangjel Dule, si të vetmit deputet të opozitës në Kuvend. Kreu i mazhorancës tha se ai mbetet i hapur për të bërë kompromis, në të mirë të vendit, edhe pse Rama po tenton të nxijë aktet historike. “I thuaj se në asnjë festë, nuk do mund të nxish aktin historik të zgjedhjeve të lira që zhvilluam; i thuaj mund të bësh ç’të duash, çdo veprim, çdo akt, por kompromis me zgjedhjet e certifikuara unë nuk të bëj. Në dy aspekte, së pari s’dal kurrë mbi vendimin e gjykatave, kategorikisht”, - shtoi Berisha. Ai tha më tej se Rama ka shpifur e akuzuar pa bazë e fakte, ndërsa shtoi se kompromise për zgjedhjet e 28 qershorit nuk do të bëhen. “Në vend të fakteve ka përdorur sharjet. Le të vazhdojë t’i përdorë, unë do të përdor vetëm një: ftesën, ftesën dhe vetëm ftesën. I kam dhënë një paketë ftesë, urdhëro të ulemi. E ftoj, përndryshe ne do vazhdojmë reformat, ju garantoj se Shqipërisë nuk i mungon asnjë ligj i vetëm që mbyll dyert e integrimit apo vizave. Jo dhe jo, ky vend funksionon mbi bazën e dinjitetit demokratik, mbi bazën e ligjeve dhe ekonomisë së tregut. Ka nevojë për përmirësime, por nëse dikush mendon të marrë peng vendin edhe t’u thotë shqiptarëve se ç’u duhet Evropa, kemi Haxhi Qamilin dhe unë do t’u them: Mbaj Haxhi Qamilin, ne do zgjedhim Evropën. S’kemi rrugë tjetër”, - deklaroi më tej Berisha. Duke folur më tej për zgjedhjet, Berisha tha: “Kam shëtitur Evropën dhe botën, por të garantoj, edhe kur jam këtu për fjalën time, në çdo rast dhe çdo rrethanë, kam pasur me vete brengën e thellë se vendi im nuk zhvillonte zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kam ndier kënaqësi dhe krenari të madhe kur ato u realizuan”.

Deklaratat e Kryeministrit u bënë dje gjatë seancës për buxhetin e vitit 2010. Në këtë prezantim buxheti, Berisha tha se ai është më i madhi i miratuar ndonjëherë. Sipas tij, shifrat janë 12 për qind më të larta ose rreth 400 milionë dollarë më shumë për vitin 2010. Ai tha se qeveria do të rrisë deri në 15 për qind pensionet e fshatit, ndërsa pensionet e qytetit do të rriten deri 3 herë më shumë se shifra e inflacionit. “Lufta kundër varfërisë është epiqendra e këtij buxheti. Me skemën e re ne do t’i japim një goditje përfundimtare varfërisë”, - deklaroi kreu i qeverisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›