E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, Meta: Shqipëria ka qenë gjithnjë e fundit

Ndërsa deputeti Bushati shprehet se për renditjen të fundit e ka fajin vetëm qeveria

ELBASAN- Për Zv-Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta,
vendimi për përfitimin e vizave vetëm për tre vendet fqinje nuk ishte diçka e papritur
për Shqipërinë.

Duke u ngushëlluar më faktin se Shqipëria ka qenë gjithnjë e fundit në proceset integruese, Meta ka deklaruar gjatë një takimi të zhvilluar me simpatizantë të LSI-së në Elbasan se vendet përfituese të vizave konkretisht Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi, i kishin plotësuar prej kohësh kriteret. "Kemi dëgjuar mediat që thotë se Shqipëria mbeti e fundit. Por kur ka qenë Shqipëria e para? Në kohën e Zogut, Haxhi Qamilit apo Enver Hoxhës?.

Mendoj që retorika të tilla boshe nuk sjellin asgjë konstruktive. Ne jemi këtu ku jemi. Jemi në proces intensiv integrues. Ata që përpiqen të shpërndajnë tym të panevojshëm duhet të japin kontributin e tyre edhe për liberalizimin e vizave edhe për pyetësorin për Komisionin Evropian pasi është një pyetësor për Shqipërinë e jo vetëm për qeverinë",- tha dje Meta.

Por përpos deklaratës së kryetarit të LSI-së, i cili ngushëllohet me faktin e Shqipëria ka qenë gjithnjë e fundit, deputeti i PS-së, Ditmir Bushati, në konferencën e djeshme për shtyp, ka deklaruar se Shqipëria e nisi e para këtë proces në vitin 2004. "Shqipëria mbeti e fundit në procesin e liberalizimit të vizave për shkak të dështimit të përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian, kritere këto të njëjta për 5 vendet të rajonit.

Është koha që të nxirren mësime e përgjegjësi nga dështimi i qeverisë Berisha në përmbushjen e standardeve të kërkuara për heqjen e vizave. Është koha që Sali Berisha t'i kërkojë ndjesë shqiptarëve për dështimin e qeverisë së tij dhe për izolimin, që sot përjetojmë në dallim nga fqinjët tanë",- tha Bushati.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›