E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat, Raporti i KE: Shqipëria realizon pjesërisht Udhërrëfyesin

BRUKSEL- Në raportin e fundit për vizat të Komisionit Europain theksohet se Shqipëria edhe këtë herë është vonuar me plotësimin e blloqeve të Udhërrëfyesit. Sipas këtij raporti të hartuar në 44 faqe, Shqipëria ka përmbushur me sukses 1 nga 4 blloqet e udhërrëfyesit, ndërsa 3 të tjerët pjesërisht.

Vonesa vërehet në një një pjesë të mirë të kuadrit ligjor, i cili është miratuar vetëm në 3 mujorin e parë të 2010-ës, megjithëse kriteret përcaktoheshin qartë që në 4 qershor 2008, kur u dorëzua udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Në raport citohet se të martën, KE do të diskutojë për Shqipërinë.

Si ligje që duhet të ishin miratuar që në qershor të 2008 përmenden, “Ligji për mbrojtjen ndaj diskriminimit i miratuar në shkurt 2010. Plani i aksionit ndaj korrupsionit i miratuar në mars 2010. Ligji anti-mafia i miratuar në dhjetor 2009. Plani i ri i aksionit kunder drogës i miratuar në mars 2010. Ligji i ri për bashkëpunimin gjyqësor me autoritetet e huaja për çështje kriminale u miratua në dhjetor 2009 dhe hyri në fuqi në shkurt 2010. Në fushën e azilit, rregullat për apel u qartësuan me udhezim ministror në mes të shkurtit 2010” – citohet në raport.

Në raport thuhet gjithashtu se përparim ka pasur për menaxhimin e kufijve por policët kufitarë duhet të jenë të trajnuar për cështje specifike, ndërsa shtohet se një nga objektivat e plotësuara është pajisja me letërnjoftime dhe pasaporta biometrike.

E blinduar tashmë me ligje dhe strategji, sipas Komisionit, Shqipërisë i duhet ende të dëshmojë zbatimin efikas të një pjese të mirë të tyre. “Nevojitet zbatim i strategjisë dhe planit të aksionit kundër pastrimit të parave dhe krimit financiar. Për emigracionin, duhet monitorim dhe koordinim i metejshëm për Strategjinë Kombetare. Duhet të garantohet dhe zbatohet e drejta e refugjatëve për të pasur dokumenta identifikues. Duhet parë zbatimi i ligjit për mbrojtjen ndaj diskriminimit.

Në krahasim me të gjitha raportet e tjera paraardhëse, në vlerësimin e prillit ndihet gjithësesi tendenca e një formulimi pozitiv për Shqipërinë nga ana e Komisionit Europian. Për shembull, ndër të tjera, trafiku i qënieve njerëzore cilësohej shqetësim i veçantë në raportin e dhjetorit 2009 për vizat, ndërsa ky formulim nuk figuron më në vlerësimin e fundit të prillit.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›