Bregu: Kërkesa e statusit brenda vitit
Kërkesa e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat do të shqyrtohet brenda vitit. Këtë e bëri të ditur dje ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, pas workshop-it të organizuar nga ministria në bashkëpunim me GTZ lidhur me pyetësorin e Komisionit Evropian që pritet t’i dërgohet Shqipërisë pas shqyrtimit të kërkesës për anëtarësim. “Shqipëria pret që Këshilli t’i kërkojë Komisionit një ‘avis’ (mendim), brenda presidencës suedeze, e cila përfundon në fund të vitit. Jam e bindur se kapacitetet tona administrative do të arrijnë të përmbushin në kohë fazën e plotësimit të pyetësorit pavarësisht ngarkesës dhe për trajnimin sa më efikas të administratës, i kemi kërkuar ndihmë Qeverisë kroate, jo vetëm se Kroacia është para nesh në procesin e integrimit, por edhe sepse ka kaluar në të njëjtat hapa”, tha Bregu. Sipas saj më 1 nëntor do të nisin trajnimet intensive të administratës me grupet e ekspertëve. Në këtë workshop mori pjesë Dubravka Vlasic Plese, drejtoresha e ekipit të negociatave për anëtarësim të Kroacisë.