Vizat, ambasadorja e Francës dhe ai holandez vizitë në Qafë Thanë
Ambasadorja e Francës, Maryse Daviet dhe Ambasadori i Hollandës, Henk Van den Dool, kanë vizituar sot Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë Thanës së bashku me Ministrin e Brendshëm Lulzim Basha.
Gjatë vizitës ata panë se si funksiononte sistemi TIMS, si ndërlidhej ky sistem me sistemin MEMEX dhe me bazën e të dhënave të INTERPOL-it, si funksiononin kamerat e instaluara të vëzhgimit, si funksiononin lexuesit optikë të pasaportave biometrike, e po kështu edhe se si bashkëpunonin agjencitë e ndryshme që operojnë në kufi, policia kufitare, dogana, kontrolli fito-sanitar, shërbimi i antidrogës etj.
"Çdo shqiptar do të përfitojë nga procesi i liberalizimit të vizave dhe ne presim të bëhen së shpejti hapa konkretë. Shpresojmë që liberalizimi i vizave të arrihet në mesin e verës së vitit të ardhshëm",- u shpreh ambasadorja franceze Znj. Maryse Daviet.
Ndërkohë, ambasadori Van den Dool deklaroi se shpreson që misioni i Komisionit Europian të konstatojë këtë progres dhe të japë sa më shpejt mbështetjen e tij për liberalizimin e vizave.