E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vizat, angazhim më i madh nga vendet e rajonit”

Autori i Lajmit: Redaksia

“Çështja e kufijve është detyrim madhor dhe përgjegjësi e qeverisë ndaj qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë”, kështu është shprehur dje Kryeministri Berisha, Në hapjen e Konferencës për Sigurinë e Kufijve ku marrin pjesë Ministrat e Brendshëm të Ballkanit Perëndimor. Duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, Berisha u shpreh se ky proces kërkon angazhim më të madh nga të gjitha vendet e rajonit, për të dëshmuar para aleatëve evropianë se këto vende janë të gatshme të luftojnë krimin e organizuar. “Para disa kohësh, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia përfituan nga procesi i liberalizimit të vizave, Shqipëria dhe Bosnja-Hercegovina janë në prag të këtij liberalizimi. Natyrisht ky zhvillim rrit përgjegjësinë tonë ndaj partnerëve tanë në Evropa. Një luftë e përbashkët e krimit të organizuar. Siguria e kufijve është në përgjegjësinë tonë më të madhe”, u shpreh kreu i qeverisë. Kreu i Ekzekutivit e vuri theksin në angazhimin e qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar, dhe në miratimin e ligjeve të rëndësishme që, siç tha ai, kanë ulur ndjeshëm numrin e krimeve në vend. “Forcat e rendit dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, me një vendosmëri e profesionalizëm të lartë, në një hark kohor 18-mujor çmontuan mbi 206 grupe e organizata kriminale, ndaluan, identifikuan, arrestuan, vendosën para ligjit rreth 1 mijë anëtarë dhe drejtues të këtyre organizatave. Lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar funksionoi. Zero toleranca është shtylla kryesore mbi të cilën duhet të zbatohet lufta ndaj krimit” theksoi Kryeministri Berisha. Ndërkaq, Berisha solli ndërmend edhe memorandumin e skafeve, që siç tha ai, i dha fund trafikut të qenieve njerëzore drejt Italisë. “Parlamenti miratoi para tre vitesh dhe rivotoi para dy muajsh, moratoriumin për ndalimin të gjitha skafeve, të cilat të nderuar ministra nuk ishin gjë tjetër veçse industri e mafies, e cila mbillte edhe vdekje përveç fitimeve”, tha Kryeministri Berisha.
Ky lajm është publikuar: 05/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›