E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, kjo kooperativë që pret falimentimin

Nga një strukturë partiake që është alternativë e qeverisjes, PS-ja e Edvinit është shndërruar në një opozitë stinore, e cila për momentin po mendon thjesht si t’i nxijë drejtuesit, ndërkohë që shfaqjen publike e bëjnë veç ca fakirë-politikanë, që po respektojnë kalendarin e dezhurnit, sipas shembullit maoist të ROGL-eve. Pa struktura e pa respektim rregullash, opozita po funksionon si një kooperativë e falimentuar, por që s’ka asnjë drejtues ta pranojë zyrtarisht se tashmë ka ardhur koha për largimin nga sheshi i politikës

PS-ja është shndërruar në këto ditë të nxehta të fillimgushtit, në një formacion politik, që funksionon me sistem dezhurni. Sikur të mos ishin këto struktura të dezhurnit, atëherë nuk do të kishim asnjë shenjë tjetër që të besonim se opozita është gjallë. Përpos kësaj situate, kaotike, përderisa të përcaktohet nga ana e kësaj partie, një rregullsi për sistemin dhe njerëzit e dezhurnit, për një afat të pacaktuar, këtë “mision” mësohet se do e luajë Ilir Beqja. Në këtë “status” të ri, të përfituar nga Ilir Beqja, nuk përfshihet Eduart Shalësi, i cili megjithëse me mandat deputeti, e ka të vështirë, për të mos thënë të pamundur, të mos shfaqet edhe në rolin e nënkryetarit të bashkisë së Tiranës.
Në kushtet e mungesës së alternativave, edhe vetë PS-ja, është braktisur nga të gjithë. Në godinën e saj, gjen vetëm rojën, ndërsa sheh të hyjë e të dalë Ilir Beqjan, sigurisht pas ndonjë SMS-je që i mbërrin nga Edi Rama, pas së cilës ai shfaqet para gazetarëve, lexon “mesazhin” e mbërritur ne celularin e tij, tashmë të printuar në letër të bardhë të formatit A 4, dhe zhduket deri në mbërritjen e SMS-së së radhës.
Sikur të mos mjaftonte zhdukja e atyre që duhet të gjendeshin të paktën në mënyrë formale te godina e PS-së, kjo parti është braktisur edhe nga gjithë strukturat e saj vendore.
Arsyeja është sa e thjeshtë, aq edhe banale. Trashëgimia strukturore disavjeçare e kësaj partie, është zëvendësuar në mënyrën më të shpejtë të pa pritshme, me grupet familjare. për fatin e keq të PS-së, edhe këto struktura familjare të PS-së, kanë qëlluar me rezistencë të dobët, përballë të nxehtit, përderisa për momentin edhe ata kanë shkuar në plazh.
Nën një gjendje të tillë, PS-ja dhe drejtuesi i saj Edi Rama, në tentativë për të krijuar një tjetër traditë, apo një tjetër standard, po tentojnë të implementojnë teorinë e të bërit “opozitë sipas stinëve”.
Tentativa për një gjetje të re nuk është e re, po të kihet parasysh, që të paktën prej rreth një viti, Edi Rama nuk ka reshtur së tentuari për vendosje të traditave apo standardeve të tjera të të bërit opozitë të tipit “opozitë bojkotuese”, “opozitë në rrugë”, pse jo edhe “opozitë në çadra”.
Shkurt, PS-ja në këto ditë të nxehta të fillim gushtit, ku i nxehti afrikan është rikthyer, është shndërruar një parti pa partiakë, ku drejtuesit e saj kanë zgjedhur të largohen drejt origjinës së këtij të nxehti.
Sigurisht nuk kanë çfarë të bëjnë tjetër.
Përderisa ende Edi Rama vetë, e trajton partinë si një laborator eksperimental, ku eksperimenton me sezone apo edhe me stinë, “opozitëbërje”, pak gjasa ka që kjo parti, në dukje dhe e ngjashme me një kooperativë artizanale, paçka se është në prag të falimentimit, ta presë atë me konstruktivitetin e nevojshëm...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›