Vizat, do riatdhesohen azilkërkuesit në Suedi
“Shqipëria do të shfrytëzojë të gjitha hapësirat për riatdhesimin e azilkërkuesve të saj nga Suedia dhe çdo vend tjetër”. Ky ka qenë pohimi i ministrit të Brendshëm, Flamur Noka, gjatë një takimi të mbajtur në Suedi me ministrin e Migracionit, Tobias Billstrom. Në kuadër të një vizite të posaçme për çështjen e azilkërkuesve, Noka ka shprehur gatishmërinë e nënshkrimit të marrëveshjes së ripranimit të shtetasve, duke theksuar se Shqipëria është gati për një gjë të tillë.
“Shqipëria është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që ka nënshkruar protokolle, marrëveshje ripranimi dhe ka rikthyer e do të vijojë të rikthejë me shpenzimet e saj çdo shtetas që shkel rregullat e lëvizjes së lirë në vendet e BEsë”, është shprehur Noka. Ai ka vënë në dukje se vendi ynë ka nënshkruar marrëveshje të ngjashme me 11 vende të BEsë dhe jemi të gatshëm që të nënshkruajmë, në çdo çast, edhe me Mbretërinë e Suedisë një marrëveshje të tillë.
Ministri i Integrimit të Mbretërisë së Suedisë, Tobias Billstrom, është shprehur se vendi i tij ka vlerësuar gjithmonë përpjekjet e Shqipërisë për të respektuar të gjitha detyrimet e saj, si para procesit të liberalizmit të vizave, ashtu dhe në periudhën pas tij. “Në do të vazhdojmë ta mbështesim Shqipërinë pa kushte në rrugën drejt integrimit të plotë në BE. E çmojmë gatishmërinë e palës shqiptare për nënshkrimin e protokollit të ripranimit për çdo shtetas shqiptar që shkel rregullat, tejkalon afatet kohore të qëndrimit të paautorizuar në Suedi”, ka theksuar ministri Billstrom.
(Lajmin e plote e lexoni sot ne Panorama)