Vizat, dokumentet që dorëzohen në çdo ambasadë
Që të marrë një vizë "Shengen", çdo shtetas shqiptar duhet të dorëzojë një listë të caktuar me dokumente në momentin e aplikimit. Kërkesa për vizë duhet t‘i drejtohet misionit diplomatik të shtetit që është destinacioni juaj kryesor i udhëtimit. Nëse destinacioni kryesor nuk mund të përcaktohet, kërkesa duhet t‘i paraqitet misionit diplomatik të shtetit të parë "Shengen" ku ju futeni. Tarifa e kërkesës për vizë është 35 euro. Tarifa paguhet në lekë të llogaritur kundrejt normës përkatëse të këmbimit. Nëse kërkesa për vizë refuzohet, tarifa nuk kthehet. Tarifat për vizë nuk zbatohen për kategoritë e kërkuesve të renditur në nenin 6, të Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave (VFA) (p.sh, të afërmit e afërt, anëtarët e delegacioneve zyrtare, fëmijët nën 6 vjeç, personat me aftësi të kufizuar, pensionistët, gazetarët etj.). Në rastin e Zvicrës tarifa për vizë për qytetarët e Shqipërisë është 60 euro, që paguhet në lekë të llogaritur kundrejt normës përkatëse të këmbimit. Tek ambasada çeke, hungareze dhe greke, tarifa për vizë paguhet në euro (35 euro). Marrëveshja e lehtësimit të vizave në rastin e Zvicrës nuk është në fuqi. Me qëllim që të bëhet kërkesë për vizë "Shengen", dokumentet e mëposhtme duhet të paraqiten personalisht: a) një pasaportë e vlefshme dhe fotokopje e të gjitha faqeve të pasaportës që përmbajnë informacion. Pasaporta duhet të jetë e vlefshme për të paktën tre muaj pas skadimit të vizës. b) një formular i plotësuar i kërkesës, i nënshkruar rregullisht nga kërkuesi. Formularë bosh të kërkesës mund të merren falas në ambasadën e një shteti anëtar "Shengen" ose mund të shkarkohet nga faqet e tyre të internetit. c) dy fotografi të madhësisë së pasaportës të marra në një sfond të bardhë sipas standardeve të zakonshme ICAO. d) certifikata të lindjes dhe familjare të kërkuesit ose një kopje të kartës biometrike të identitetit. Në ambasadën e Hungarisë kërkohet edhe certifikimi me Apostile. e) për fëmijët e pashoqëruar nën 18 vjeç: një deklaratë e noterizuar nga prindi që nuk udhëton. Në ambasadën italiane deklarimi i noterizuar kërkohet nga të dy prindërit. Në ambasadën çeke deklarimi kërkohet për udhëtimin e fëmijëve të pashoqëruar nën 15 vjeç. f) për studentët: një letër nga shkolla ose universiteti. Tek ambasada e Hungarisë dokumenti paraqitet në anglisht. Në rastin e vizave si vizitor kërkohet garanci mbështetjeje nga personi pritës (dhe një fotokopje) ose prova që ka mjete të mjaftueshme financiare që ka kërkuesi. Ambasada çeke kërkon ftesë nga personi pritës të vërtetuar nga autoritetet e vendit të destinacionit. Ambasada greke kërkon ftesë nga personi pritës të vërtetuar nga autoritetet përkatëse greke, prova ose mjete të mjaftueshme financiare. Ambasada hungareze, ftesë nga personi pritës, e certifikuar nga autoritetet hungareze dhe prova për mjete të mjaftueshme financiare, duke përfshirë vërtetimin nga Zyra e Tatimeve. Strehim i vërtetuar, një fotokopje e kartës së identitetit të personit pritës në rast se ajo/ai është qytetar hungarez ose një kopje të lejes së saj/tij të qëndrimit, nëse ajo/ai është qytetar i huaj në Hungari. Ambasada italiane kërkon ftesë nga personi pritës dhe një fotografi e kartës së identitetit të personit pritës në rast se ai/ajo është një qytetare italiane ose një kopje të lejes së tij/saj të qëndrimit nëse ai/ajo është shtetase shqiptare. Personi pritës mund të veprojë si garantues që jep mjetet financiare për kërkuesin. Ambasada e Zvicrës e konsideron të mjaftueshme një letër ftesë nga pritësi për të filluar procedurën. Nëse kërkuesi dhe sponsori / personi pritës kanë lidhje familjare ose gjaku, kërkuesi duhet të paraqesë dokumentet që provojnë marrëdhënien. Një tjetër dokument që kërkohet është një letër punësimi ose dokumente regjistrimi biznesi nëse kërkuesi ka biznesin e tij / saj - d.m.th, vendim gjyqësor për përftimin e licencës së biznesit, licencë biznesi dhe NIPT-in e shoqërisë. Kërkohet edhe rezervimi i udhëtimit. Greqia kërkon një fotokopje të personit pritës në rastin kur ai/ajo është një qytetar grek ose një kopje të lejes së tij/saj të banimit nëse ai/ajo është qytetar shqiptar. Këto fotografi duhet të vërtetohen nga autoritetet greke.