E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kristiano Ronaldo pranon: “Ndihem nje skllav modern”



Tashmë nuk ka asnjë dyshim. Mes Kristiano Ronaldos dhe Manchester United ka filluar një luftë e ashpër. "Nuk di ku do të luaj vitin e ardhshëm pasi nuk kam arritur marrëveshje me asnjeri. Në lidhje me transferimet jam dakord me presidentin e FIFA-s, Blater. Ne futbollistet jemi skllevër modernë". Është kjo deklarata "shok" e portugezit, e dhënë në median e vendit të tij, që vërtetojnë se pavarsisht një kontrate prej 8 milionë eurosh në sezon, deri në vitin 2012, Kristiano Ronaldo nuk ndjehet i lumtur. Është "skllav" dhe pavarësisht linjes së ashpër të Ferguson, "martesa" me “Djajtë e kuq” nuk do të zgjasë edhe shumë kohë. Ishte pikërisht presidenti i FIFA-s Sep Blater, i cili dy ditë më parë kishte hapur përsëri çështjen "Ronaldo", duke deklaruar se futbollistët, nëse dëshirojnë të largohen, klubi duhet t'i lërë te lire. "Në transferimet e sotme, - këmbënguli Blater - ekziston një formë skllavërie, futbollistët i blejnë dhe pastaj i rishesin”. I menjëhershëm reagimi i Manchester United, ndërsa në këtë polemike ndërhyri dhe UEFA. "Duhet të kujtojme - deklaroi Uiliam Gallard - se në sistemin e skllavërise, skllevërit nuk merrnin të holla, ndërsa shitblerjet e futbollisteve kanë hyrë në një spirale pa kontroll”. Reali i Madridit është gati të derdhë në arkat e anglezeve një shumë prej 85 milionë eurosh dhe t'i afrojë Kristiano Ronaldos një kontratë të jashtëzakonshme.

Juve, vazhdon dueli midis Ksabi e Pulsenit

Situata përsa i përket mesfushës së re të Juventusit duket tashmë më e qartë pas dy vizitave blic të Alesio Sekos në Spanjë. Kristian Pulsen është gati të pranojë një kontratë prej 3 milionë eurosh në sezon, ndërkohë që Sevilja nuk dëshiron të zbresë nga shuma e 10 milionë eurove përsa i përket kartonit të lojtarit. Nga ana tjetër, Liverpuli ka ulur çmimin për Ksabi Alonson – nga 18.5 milionë euro në 17.5 milionë euro – ndërkohë që lojtari vetë do të përfitonte një shumë vjetore prej 4 milionë euro. Kjo është tabloja e “luftës së shifrave” midis dy mesfushorëve. Trajneri Klaudio Ranieri është optimist, se të paktën njëri nga të dy lojtarët do të jetë nën urdhrat e tij.

Skandali, arbitri gjykon i dehur

Në Bjellorusi një gjyqtar i pirë gjykon një ndeshje të Ligës së parë. Skandali merr përmasa edhe më të mëdha teksa bëhet fjalë për Sergej Shmolik, gjyqtar ndërkombëtar i FIFA-s. Lajmin e jep gazeta bulevardeske ruse “Komsomolskaja Pravda”, që ka publikuar edhe foto të gjyqtarit të pirë, i cili ka argëtuar tifozët e shumtë me shfaqjet akrobatike të rrëzimit tij të tij në fushë gjatë takimit midis Vitebsk dhe Novopolzok (1-1). Gjyqtari më i mirë bjellorus i vitit 2005 u rrëzua në mënyrë spektakolare në mes të fushës në minutën e 70-të. Shmolik, pohoi më pas se kishte pirë vetëm pas ndeshjes, ndërkohë që pas kontrollit mjekësor ai kishte vlera të larta të alkoolit në gjak. Në javët e ardhshme Federata Bjelloruse e Futbollit do të marrë edhe një vendim në lidhje me gjyqtarin Shmolik, i cili ka më shumë se 272 ndeshje në Ligën e parë bjelloruse.

Nasri transferohet te Arsenali

Samir Nasri, shok skuadre i Lorik Canës te Olimpiku i Marsjeës u transferua te klubi anglez i Premier Ligës, Arsenali, klubi i parë që ka ndjekur Canën kur ai ishte ende një djalosh i panjohur te Lozana e Zvicrës. Lajmi u bë publik në faqen e klubit londinez. Në lidhje me shumën e transferimit të 21-vjeçarit të përfaqësueses franceze, por me origjinë algjeriane nuk bëhet e ditur nga asnjë prej dy klubeve. Gjithsesi, sipas medias angleze transferimi mund të ketë kushtuar nga 12 deri në 16 milionë euro.

Litbarski “digjet” nga japonezët

Ish-futbollisti i Kombëtares gjermane, Pier Litbarski u sharkua nga detyra e trajnerit të skuadrës së kategorisë së dytë japoneze, Avispa Fukuok. Kampioni i botës i vitit 1990, një nga kandidatët për të marrë stolin e kombëtares pas refuzimit të Hans Peter Brigelit, do të zëvendësohet nga Yoshiyuki Shinoda. Avispa pas 24 ndeshjeve renditet në vendin e 10 nga 15 nga 15 ekipe që ka kategoria e dyst. Litbarski sezonin e kaluar me këtë ekip arriti në vendin e shtatë.

Lotito: “Tare me karakter të fortë”

Presidenti i Lacios, Klaudio Lotito shpjegoi aryset se përse Igli Tare u zgjodh për të qenë drejtori teknik i klubit bardhekaltër.
“Është luajal, karizmatik, i lidhur me klubin dhe flet pesë gjuhë”. Tare do të firmosë një kontratë trevjeçare, me objektivin për të sjellë qetësi në dhomat e zhveshjes së skuadrës zikaltër, pasi një sezoni aspak të mirë. Kështu, pas një vendimi që ka befasuar jo pak ambientin futbollistik italian, 35-vjeçari Tare vari këpucët në gozhdë, për të hyrë në stafin drejtues të Lacios. Klaudio Lotito shpjegon edhe cili do të jetë roli i ish-sulmuesit shqiptar dhe mbi të gjitha motivet e zgjedhjes, kur më parë ishin përmendur emrat e Perucit, Markxhanit, Xhordanos e Sinjorit. “Është një punë e re për të, por besoj se do ta bëjë mirë. Ka një karakter të fortë”. Lotito gjithmonë ka treguar respekt për Taren, madje ditë më parë i kishte ofruar edhe rinovimin e kontratës, ndërkohë që bëri më të mirën, i ofroi një punë si drejtues. “Do të jetë përfaqësuesi i shoqërisë në dhomat e zhveshjes, do të bëjë rakordimin midis skuadrës e shqpërisë. Është një figurë që e kanë të gjitha skuadrat”.

Salihi “mbytet” nga komplimentet

Skuadra e Hamdi Salihit, SV Ried, fitoi në ndeshjen hapëse të kampionatit austriak 3-0 kundër Altahut, ndërkohë që të shtunën (ora 19:30) do të presë Matersburgun, e cila u shkatërrua 6-0 në Salzburg. Kjo është dhe sfida e parë e trajnerit të ri Paul Gludovatz. Mediat austriake kujtojnë një fakt interesant. Hamdi Salihi është një “Matersburg-specialist”. Sulmuesi shqiptar ka shënuar katër gola në gjashtë ndeshjet e fundit kundër Matersburgut. Fitorja 3-0 e Riedit me Altahun në ditën e parë të kampionatit austriak - Salihi shënoi golin e tretë në këtë takim – e ka bërë të ëndërojë menaxherin e skuadrës austriake, Stefan Reiter. “Unë kam besuar se më në fund të do të arrijmë diçka”. Hamdi Salili ishte i papërmbajtshëm në atë takim, duke i shpëtuar në jo pak raste mbrojtjes kundërshtare. Por. komplimentat sulmuesi i Kombëtares shqiptare i morri edhe nga trajneri i ri, Paul Gludovatz, gjatë prezantimit të tij me futbollistët e SV Ried. Trajneri 62-vjeçar, i cili më parë ka drejtuar përfaqësuesen U-20 austriake vjen me një poltikë të re, pasi kërkon nga çdo lojtar të risë vlerat e shitjes së tij, çka do të thotë se në të ardhmen do të shohim Salihin si “skllav” për një shitje me një kosto të lartë. Gludovatz pohoi gjatë një interviste të tij se kërkon efikasitet në sulm. Sipas tij, ai ka mbërritur te Ried jo vetëm për sukses, por edhe për të bërë marketimin e lojtarëve.

12 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›