Murinjo: “Lampard, lojtari më i mirë që kam stërvitur”
Trajneri i Interit, Hoze Murinjo, tha se mesfushori i Çelsit, Frenk Lampard ishte lojtari më i mirë profesionist, me të cilin ai kishte punuar gjatë gjithë karrierës së tij si trajner. “Frank Lammpard është një lloj i ndryshëm si individ, jo shumë i hapur. Ai është lojtari më i mirë profesionist me të cikin unë kam punuar ndonjëherë”, - tha Murinjo gjatë një interviste me sitin feelfootball.com. “Ai është lojtari që stërvitet më mirë, ka shumë përqendrim, më shumë angazhim dhe është gjithmonë i fokusuar te puna e tij”. Trajneri i Interit, Murinjo, gjithmonë është shprehur me këmbëngulje se do të dëshironte ta kishte nën urdhrat e tij lojtarin me të cilin fitoi dy tituj në Premier Ligën angleze, në kohën kur portugezi drejtonte Çelsin. Gjithsesi, klubi londinez pohoi se nuk do të hynte në negocionte me Interin për shitjen e mesfushorit 30-vjeçar te kampionët e Italisë. “Ai nuk është kurrë i kënaqur me performancën e tij, gjithmonë dëshiron të përmirësohet, gjithmonë dëshiron të mësojë”, tha Murinjo gjatë intervistës. “Nëse ai bën një gabim në lojë, të nesërmen në stërvitje ai dëshiron të rijë edhe një orë më shumë për të praktikuar saktësisht atë situatë. Më kujtohet se ai nuk arriti të shënojë një gol nga një pozicion i vështirë më të majtën në formë voleji dhe të nesërmen në stërvitje ai qëndroi një orë më tepër në seancat stërvitore duke praktikuar këtë lloj goditje me këmbën e majtë”, - tha Murinjo. “Lampard është një profesionist i pabesueshëm. Zoti u jep lojtarëve talent, por disa prej tyre e shpërdorojnë, ndërsa disa të tjerë punojnë vazhdimisht të bëhen gjithmonë e më të mirë, dhe këta të fundit janë lloji i lojtarëve që bëhen e mbeten të mëdhenj përgjithmonë”, - përfundon Murinjo.
DROGBA- Gjithnjë në planin e merkatos europiane, sulmuesi i Çelsit, Didier Drogba është në qendër të vëmendjes së Olimpikut të Marsejës, më saktë të tifozëve të saj, të cilët kanë ndërmarrë edhe një iniciativë për të mbledhur 22 milionë sterlina, rreth 27.5 milionë euro për të sjellë në Marsejë sulmuesin nga Bregu i Fildishtë. Drogba ka luajtur vetëm një sezon në Marsejë (2003-2004) duke realizuar 18 gola në 35 ndeshje në kampionat. Sipas gazetës franceze “La Provance”, 800 tifozë të Olimpikut kanë mbledhur deri tani 5 mijë euro, duke i dhënë një sinjal presidentit të Marsejës, Pape Diuf.
Bekam në “All-Star” Amerika
Devid Bekam është njëri nga lojtarët e skuadrës së yjeve të “Major League Soccer”, kampionatit amerikan të futbollit, të votuar nga fansat, lojtarët, zyrtarët dhe mediat. 11-shi ideal do të përballet me skuadrën angleze Uest Ham, më 24 korrik në Toronto të Kanadasë. Trajneri i “All-Star” u votua Stiv Nikol, i cili drejton ekipin Nju England Revolution.
Pavluçenko, alternativa e të mëdhenjve
Në podiumin e zbulimeve të Euro 2008-s, ka vend edhe për Andrei Arshavinin e Roman Pavlyçenkon, dy sulmuesi e Rusisë së Gus Hidinkiut. I pari, fantazist, i lidhur me një transferim në Premier Ligën angleze apo Primera Division në Spanjë, edhe pse Zenit St.Petërsburg kërkon një shumë të jashtëzakonshme për kartonin e tij. I dyti, sulmuesi i Spartakut të Moskës, është më i mundur të përfundojë në një nga ekipet më të mira të Europës, edhe për shkak se kartoni i tij nuk kushton shumë. Sipas gazetës angleze “Times”, Milani është në kërkim të sulmuesi me karakteristikat e Adebajor. Për togolezin e ardhmja te Milani duket shumë larg, pasi çmimi i vendosur nga Arsenali kap shumën e 36 milionë sterlinave. Alternativa rezervë mbetet ajo e sulmuesit të Spartakut të Moskës, i cili është në shitje për një shumë më të vogël, e llogaritur në 18 milionë euro. Për Pavluçenkon të interesuar janë disa klube të mëdha, përfshirë Romën në Itali e Barcelonën në Spanjë. Ekipi i Romës është duke vlerësuar të gjitha hipotezat e mundshme, edhe pse si objektiv të parë ka rumunin Adrian Mutu. Edhe Totenhemi në Angli është duke vlerësuar blerjen e Pavluçenkos, pasi synon të shesë të Liverpuli, Robi Kinin.
Ku do të shkojë Pavlyçenko
Milani 30%
Roma 25%
Barcelona 25%
Totenhem 20%
Thellohet kriza te Barcelona
Me dorëheqjen e tetë prej 17 anëtarëve të Bordit Ekzekutiv të Barcelonës, kriza në klubin legjendar spanjoll shënon një kulm të ri. Pas dy sezoneve pa asnjë trofe shtëpiak apo ndërkombëtar kritikat kanë qenë masive kundrejt presidentin Johan Laporta, pavarësisht se ky i fundit po qëndron me çdo çmim në zyrën e tij.
46-vjeçari sqaroi gjatë një konference shtypi se nuk ka ndërmend ta braktisë zyrën e tij dhe se do të rifitonte besimin pas një mbledhje të re të anëtarëve të shoqërisë pas fillimi të kampionatit spanjoll në muajin shtator. “Unë dua të rifitoj sërish besimin e anëtarëve”, - tha Laporta i vetëdijshëm për fitoren e tij dhe se do të qëndronte në detyrë deri në vitin 2010 kur mbaron edhe mandati i tij. Presidenti i 18-herë kampionëve të Spanjës arriti të qëndrojë në detyrë, edhe pse 60 për qind e anëtarëve të klubit votuan kundër tij dhe ishin për zgjedhje të reja. Për qëndrimin e Laportës votuan vetëm 38 për qind, ndërkohë që për shkarkimin e tij duheshin mbi dy të tretat e votave, 67 për qind. 46-vjeçari Laporta, një jurist me profesion qëndron në krye të klubit katalanas prej pesë vjetësh. Gjatë presidencës së tij Barça fitoi titullin kampion në vitet 2005 e 2006 si dhe Ligën e Kampioneve në vitin 2006.
12 Korrik 2008