E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla, akuza Pollos për 1,2 milionë euro ryshfet

Ministri: Do të preferoja mënyrën e përgjigjes së Sokratit, filozofit të lashtë të Greqisë, që kur i kafshoi këmbën qeni u tha miqve të vet se nuk mund të përgjigjej me në të njëjtën monedhë

Interneti dhe biznesi i importimit dhe shpërndarjes së tij nëpërmjet rrjetit të brezit të gjerë dhe kabllove optikë ka vënë përballë dje në Kuvendin e Shqipërisë ministrin e Teknologjisë, Genc Pollo, dhe deputetin socialist Taulant Balla, në një debat ku nuk kanë munguar as akuzat e ndërsjella, çka ka bërë që çështja në fund të ditës të shkojë edhe në organet e drejtësisë. Në rolin e kërkuesit të interpelancës, Balla ka sjellë një sërë faktesh dhe provash që sipas tij vërtetojnë përfitimet që kanë arritur të sigurojnë qeveritarët dhe vetë ministri Pollo falë manovrimeve me licencat në fushën e importimit dhe shpërndarjes së internetit, duke përmendur këtu dhe një shifër prej 1.2 milionë euro. Ndërkohë që nga ana e tij Pollo nuk ka dashur t’i përgjigjet drejtpërdrejtë këtyre akuzave, por në ndërhyrjet e tij gjatë kësaj interpelance ka sjellë në vëmendje përpjekjen e qeverisë për të siguruar një garë të ndershme në këtë fushë. Megjithatë, në mbrëmje për gjithë sa tha deputeti socialist në seancë, Pollo ka preferuar t’i drejtohet gjykatës duke e akuzuar Ballën për shpifje.

Balla

Projekti për Shqipërinë Dixhitale për socialistët jo vetëm që nuk ia arriti qëllimit të tij për të çuar internetin te çdo shqiptar në çdo skaj të vendit, por u kthye edhe në një mundësi për të mbushur xhepat e disa pushtetarëve. Ky ka qenë pretendimi i shprehur nga Balla gjatë interpelancës me ministrin Pollo. Balla ka theksuar se qeveria e ka vendosur të japë me koncesion nëpërmjet një partneriteti privat - publik ose një bashkim të përkohshëm të shoqërive për të vendosur, instaluar dhe menaxhuar infrastrukturën e Rrjetit Kombëtar me Brez të Gjerë (REKAB) në Republikën e Shqipërisë, për të cilën deputeti socialist ka ngritur dyshime mbi kompaninë dhe procedurat e ndjekura për dhënien e këtij koncesioni. Në lidhje me këtë veprimtari, Balla ka ngritur edhe shqetësimin se informacioni që do të qarkullojë nëpërmjet këtij rrjeti rrezikon të bjerrë në duar të pasigurta, për shkak se kompanitë që do ta administrojnë atë janë nga vende joanëtare të NATO-s dhe për më tepër jo miqësore me Shqipërinë. Balla është ndalur edhe te kabllot nënujore të transmetimit të internetit, për të cilën ka hedhur hije dyshimi se afera të pista janë kryer, me pjesëmarrjen dhe interesin direkt të njerëzve përtej Adriatikut të përfolur së fundmi në mediat e dy vendeve tona, si Valter Lavitola apo Gianpaolo Tarantino. Për dhënien e këtij koncesioni, sipas Ballës, ministri Pollo ka prishur një investim të kryer më parë nga OST-ja, e cila kishte marrë përsipër shtrirjen e rrjetit optik në linjat e saj të transmetimit. Dhe kjo vetëm për t’i dhënë kompanisë nga e cila, sipas Ballës, Pollo ka marrë si shpërblim 1.2 milionë euro, ndërkohë që dëmi që i shkaktohet arkës së shtetit, sipas tij, shkon diku te 50 milionë euro. Balla ka sjellë në vëmendje se Pollo ka hapur llogari bankare në një bankë arabe në Qipro.

Pollo

Lidhur me këto pretendime dhe sidomos për atë për përzgjedhjen e koncesionarit për brezin e gjerë, ministri Pollo ka theksuar se gara nuk është mbyllur dhe se fituesi do të shpallet vetëm muajin tjetër. Ndaj, sipas tij, ngritja e këtyre akuzave bëhet vetëm për arsye politike dhe se ato s’kanë asnjë bazë të vërtetë. “Për të arritur këtë cilësi dhe për të arritur sidomos çmime të lira, kemi vendosur që të hapim një garë koncesionare, e cila mbahet në mes të muajit të ardhshëm, pikërisht për të ftuar ato kompani ndërkombëtare, përfshi edhe shqiptare. Këtu nuk ka përkufizime nacionale, por ka kërkesa financiare të qarta. Duhet të kesh përvojë, të kesh bërë në botë aktivitete të tilla dhe të kesh një shëndet financiar të prodhuar me certifikata bankare, për të mos lejuar kompanitë fantazmë. Termat janë mëse të qarta, të konsultuara. Ajo që ne duam është një kompani botërore me përvoja të ngjashme, me shëndet financiar që të mos e lërë punën përgjysmë”, - tha Pollo. Gjithashtu, ai gjatë seancës nuk ka dashur të merret direkt me akuzat të bëra ndaj tij personalisht, duke injoruar t’u përgjigjet atyre. “Do të preferoja mënyrën e përgjigjes së Sokratit, filozofit të lashtë të Greqisë, që kur i kafshoi këmbën qeni u tha miqve të vet se nuk mund të përgjigjej me në të njëjtën monedhë” - tha Pollo.

Opozita voton pro 2

marrëveshjeve në Kuvend

Opozita më së fundi ka bashkuar votën e saj me mazhorancën. Kjo ka ndodhur gjatë seancës së djeshme të Kuvendit të Shqipërisë, ku për herë të parë gjatë rikthimit të tyre në Kuvend deputetët socialistë kanë qenë në sintoni të plotë me kolegët e tyre të djathtë, duke votuar me unanimitet dy marrëveshje: një me Kosovën dhe një për një kredi për ndërtimin e ujësjellësit të Bilishtit. Nuk dihet nëse ky veprim i socialistëve do të vijojë në seancat e ardhshme dhe për ligjet e tjera, megjithëse dje ata kanë refuzuar sërish të votojnë projektligjin që mundëson ngritjen e Gjykatës Administrative.

Votimi

Seanca e djeshme e Kuvendit të Shqipërisë, ndryshe nga herët e tjera, ka zgjatur fare pak dhe kjo për shkak të një axhende të cunguar, ku ishin përfshirë vetëm dy marrëveshje, një interpelancë dhe diskutimet jashtë rendit të ditës. Pas raportimit të relatorëve për dy marrëveshjet dhe interpelancës mes Ballës dhe Pollos, Kuvendi ka kaluar në proces votimi. Megjithëse shumica qeverisëse nuk kishte numrat e duhur për të vijuar e vetme votimin, socialistët nuk kanë preferuar të luajnë me tërheqjen e tyre për të bllokuar punimet, por kanë vendosur të shkojnë edhe më tej duke votuar pro dy marrëveshje që ishin në rend të ditës. Marrëveshja e parë që është hedhur për votim ka qenë ajo për marrjen e një kredie të zbutur për ndërtimin e ujësjellësit të Bilishtit, e cila si në parim ashtu edhe në tërësi ka marrë vetëm një votë kundër, atë të deputetit socialist Sajmir Tahiri, ndërkohë që të gjithë pjesëmarrësit e tjerë në sallë kanë votuar pro. Edhe veprimi i Tahirit duket se ka qenë taktik, për të shfrytëzuar të drejtën e sqarimit të votës për të shprehur një qëndrim lidhur me incidentin e ndodhur disa ditë më parë në minierën e Bulqizës, ku mbeti i vdekur një minator dhe u plagosën disa të tjerë, çka nuk është lejuar gjithsesi nga kryeparlamentarja Topalli. Pas kësaj marrëveshjeje, Kuvendi ka votuar gjithashtu në mënyrë unanime edhe marrëveshjen e lëvizjes së lirë të mallrave dhe personave me qeverinë e Kosovës. Si rrallë herë, votat pro kësaj marrëveshjeje kanë arritur të plotë 130.

Gjykata

Duke shfrytëzuar rastin, kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka testuar edhe një herë opozitën mbi vullnetin që ka ajo në lidhje me votimin e nismave ligjore që kërkojnë 3/5 e votave. Pas votimit të dy marrëveshjeve të para ajo pa e hedhur në votim, ka kërkuar nga socialistët përgjigje nëse ishin gati ta votonin dhe projektligjin “Për zgjedhjen e mosmarrëveshjeve administrative”, i njohur ndryshe si nisma për Gjykatën Administrative. “Gjykatën Administrative do e votoni sot?”, - pyeti Topalli, ndërsa ka marrë si përgjigje refuzimin e prerë dhe të zhurmshëm të socialistëve.

Fejzi Braushi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›