E Diel, 1 Nëntor 2026

Lutje e lule për hapjen e hoteleve të Mumbait

Një ceremoni ku merrnin pjesë klerikë të besimeve të ndryshme fetare shënoi rihapjen e hotelit "Trident" të Mumbait ditën e djeshme, një prej ndërtesave që u bë arenë e sulmeve terroriste të pak ditëve më parë. 550 dhomat, tre restorantet dhe bari i hotelit u hapën pas një ceremonie lutjesh në hollin kryesor të hotelit, i cili tri javë më parë nuk njihej nga shkatërrimi i shkaktuar prej luftimeve.

Ndërsa zhvilloheshin lutjet fetare të mbajtura nga klerikë të besimeve hindu, kristiane, myslimane, hebraike e budiste, të pranishmit mbanin në duar trëndafila të kuq, ndërkohë që gjithë stafi qe rreshtuar i palëvizshëm. "Ndiejmë trishtim të thellë teksa kujtojmë ato ngjarje", tha Rashmi Mehra, klient i rregullt i restoranteve të hotelit, i cili humbi një mik të afërt gjatë sulmeve të fundit të nëntorit ku gjetën vdekjen 32 klientë. "Po përpiqemi të sigurojmë një tavolinë për të ngrënë drekën, por na kanë thënë se të gjitha tavolinat janë të rezervuara".

Kërkesat për dhoma e për restorantet kanë nisur përsëri, por drejtuesit e hotelit bënë të shtunën me dije se përqindja e tyre është ulur 30-35 për qind pas sulmeve terroriste që shkaktuan të paktën 179 viktima.

Ndërkaq, hoteli tjetër që u bë pre e të njëjtit grup terrorist, i mbetur në duart e tyre për 60 orë, gjithashtu i hapi dyert rreth 1 mijë të ftuarve në një ceremoni të posaçme. Në gazetat e së dielës binte në sy një njoftim me germa të mëdha, i shkruar në sfondin e një fotoje të Taxh Mahal-it: "Mirë se vini përsëri në shtëpi".

Autoritetet e hotelit "Trident", i parapëlqyer nga biznesmenët e huaj, thanë se aktualisht kanë të zëna rreth 100 dhoma ndërkohë që restorantet pritet të punojnë me ritëm të plotë. "Një klient që kalon nëpër ambiente as që e vë dot re atë që ndodhi", tha Ratan Kecvani, presidenti i Hotelit. "Jemi të mendimit se është çasti për të parë përpara. Tani frika duhet të nisë të fashitet në mënyrë që vizitorët të nisin të udhëtojnë përsëri drejt Mumbait". Ndërkaq, punohet ende për të riparuar dëmet që i shkaktuan sulmet hotelit "Oberoi", gjë që mund të zgjasë edhe gjashtë muaj.

Hoteli "Trident" po bashkëpunon tashmë ngushtë me një kompani sigurie, e cila do të instalojë sisteme të sofistikuara edhe në pika të tjera të Mumbait. Drejtuesit e hoteleve janë të mendimit se masat e sigurisë deri para sulmeve vërtet mund të linin për të dëshiruar, megjithëse zor se mund të shmangej një sulm i papritur i kësaj natyre. "Leopold Cafe", një prej dhjetë ndërtesave të sulmuara nga terroristët është hapur tashmë prej ditësh, dhe klientët e rregullt e kureshtarët mbushin ambientet e tij, pavarësisht shenjave të luftimeve që janë ende të dukshme nëpër mure e nëpër dritare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›