Vizat, zyrtari i KE-së takon Metën: Na ndihmoni, t'u ndihmojmë!
TIRANË- Komisioni Europian kujton edhe njëherë Shqipërinë të përmbushë reformat e mandej të presë lajme të mira për liberalizimin e vizave. Zv.drejtori i Përgjithshëm i Komisionit Evropian për Azilin dhe Emigracionin, Jean Louis De Brouwer është pritur sot nga ministri i Jashtëm, Ilir Meta ku është folur për reformat e vendit dhe punën që mbetet ende për t'u bërë për lëvizjen e lirë.
"Mesazhi nga Komisioni Evropian sot është: Na ndihmoni, që tu ndihmojmë! Ne presim nga mesi i këtij muaji një raport tjetër nga Qeveria shqiptare lidhur me gatishmërinë e saj në këtë drejtim. Ky raport do të shërbejë si baza e planifikimit të përbashkët në nivelin e lartë zyrtar për fazën tjetër të proçesit të liberalizimit të vizave"- ka thënë zyrtari i KE-së, duke shtuar se të gjithë janë tashmë në dijeni të kërkesave që duhen përmbushur, dhe me përmbushjen e tyre, Komisioni Evropian do të jetë në gjendje të bëjë propozimin e nevojshëm. Sipas tij, një gjë e tillë shpresohet të ndodhë gjatë vitit të ardhshëm.
Zyrtari i KE-së ka pranuar punën që është bërë nga Shqipëria, por ka theksuar se tashmë shumë gjëra duhen vënë në zbatim e në mënyrë të veçantë kontrolli i kufijve.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm, Ilir Meta ka siguruar KE-në për punën që do të vazhdojë të bëjë qeveria. "Dihet që progresi për prodhimin e pasaportave biometrike, ai i të drejtave themelore dhe në veçanti i menaxhimit të integruar të kufijve është i konsiderueshëm, por mbetet ende për t'u bërë"- ka thënë Meta.