E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizion Plus, ana e panjohur e By Pass Show

Ka që në 2006 që ka filluar si emision në Vizion Plus, dhe që në fillimet e tij ka patur si qëllim të madh “Ironinë”. Të bësh humor nuk është aspak e lehtë madje ka edhe diçka tjetër për humorin; ku thuhet se humor bëjnë vetëm njerëzit serioze. Është një staf i tërë që përpiqet të jetë shumë serioz dhe korrekt në atë çfarë përfshin e gjithë puna e tyre në grup. Ky show sillet në ekran për teleshikuesin nga aktori i njohur i humorit dhe skenës Agim Bajko, një personazh i cili nuk ka shumë nevojë për prezantim. Por që mund të thuhet me plotë gojën se është fat të kesh një personazh si ai, për të drejtuar një show të tillë. By Pass është vlerësuar me çmim nga Akademia e Vlerësimit Vjetor të Radios dhe Televizionit, ku moderatori i programit Agim Bajko mori çmimin “Personazhi i Vitit”. Bypass nuk është aspak një emision i lehtë. Edhe arti, lajmi, ironia ndërthuren bashkë, dhe kjo përgjegjësi dhe këtë barrë në fund të fundit e mban Agim Bajko që prezantohet me publikun. Natyrisht që ka një hierarki. Bypass Show funksionon si pjesë e departamentit të informacionit duke u ushqyer me lajmet. Por qëllimi kryesor i këtij show është që lajmin ta përmbysin në formën tek e cila shihet ironia me fenomenin përkatës.
Si fillon puna…
Mëngjesi është mbledhja e zakonshme ku të gjithë hedhin idetë me ato që kanë ndjekur nga lajmet, normalisht jo vetëm të televizionit Vizion Plus. Pastaj vijohet duke përcaktuar temat ku do të përqendrohen gjatë një edicioni, dhe fillojnë me shtjellimin. Vlen të theksohet një ndër sakrificat që bën ky emision; terrenin. Pasi terreni është gjëja më e vështirë. Pikënisjen ky show zakonisht e ka te politika, por jo gjithnjë ajo është në qendër të vëmendjes së stafit. Ka aq shumë ngjarje dhe aq shumë detaje nga jeta e përditshme që të sjell ky realitet sa që herë-herë stafi duhet të shkëpus apo të heq ndonjë pjesë. Terreni është i vështirë sepse ka një lloj skepticizmi kryesisht nga personat të cilët do të duhet të flasin për një çështje të caktuar. Të dalurit në terren ka një vështirësi shumë të madhe për vetë faktin sepse janë të detyruar të bëjnë personazhet të flasin rreth një tematike të caktuar, dhe në këtë rast nuk kanë rëndësi përgjigjet por pyetjet. Dhe këtu fillon vështirësia.
Psh…. Ne rast se në një edicion të këtij show do të trajtonin temën e teksteve të shkollës ku pati debat, ata duhej që të intervistonin autorët e tyre dhe me anë të pyetjeve të zbardhnin çështjen por njëkohësisht edhe të bënin pak ironi me disa nga çështjet. Këtu hasnin vështirësi; dhe pak a shumë ky problem është i pranishëm për çdo temë. Kjo ishte edhe kleçka që stafi i “Bypass” janë përpjekur që ta zgjidhin me ndonjë format tjetër. Është një e vërtetë që ky staf ja ka arritur qëllimit sepse më në fund ata kanë arritur t’ua mbushin mendjen publikut se ata nuk tallen me ta, madje ata nuk tallen fare me asgjë dhe me asnjë. Ata tjerrin fenomenin.
Në fakt nuk është aspak e lehtë. Të duhet në radhë të parë të nxjerrësh cilat janë ngjarjet e javës, ku ka më shumë ndikim; në popull dhe në cilat prej tyre ka vend për ironi. Në të gjithë botën bëhet humor “I shëndetshëm” me politikanët, me politikën dhe me fenomenet e jetës. Themi të shëndetshëm sepse “Bypass” ka si postulat që të mos bëj humor për humor, por humor me qëllim, të dalin diku, të thumbojnë një punë të pa bërë ose një ngjarje që ka vend për koment. Dhe të tilla ka plot apo jo?!
“Bypassi” ka edhe një qëllim paksa të fshehur ……. Të arrijë të ndriçojë sa të mundet atë fenomen që po ironizon, duke patur parasysh edhe gjuhën e pastër larg vulgaritetit dhe në thelb gazetarinë e mirëfilltë. Ajo që i kënaq më shumë këtë staf të përkushtuar është kur të nesërmen e transmetimit një lajm i prodhuar në punishten e Bypassit komentohet nëse ishte i vërtetë si lajm apo e kishin shpikur ata të Bypassit. Ky është dhe qëllimi që ata i ngarkojnë vetes që lajmet që ata shpikin në funksion të temës për të cilën bëjn ironi, të arrijnë njerëzit që të thonë, “mire e kishin kapur ata të Bypassit këtë çështje”.
Këtu kanë dorë edhe skenaristët të cilët çdo fjalë e shohin disa herë deri sa të marrë formën e duhur pa prekur askënd dhe duke qenë korrekt edhe me leksikun. Çdo material kalon disa herë nëpër duart e tyre deri sa merr atë formë që del në transmetim.
Meqë jemi në situatë përmbytjesh dhe është një temë që nuk mund të shpëtoj dot fokusit të Bypassit. Po sa e vështirë është të bësh humor apo ironi me këtë fenomen! Apo (Gërdeci) që ishte një ngjarje që nuk ke si bën humor me të. Këtu futet në lojë ironia dhe mënyra e ndryshme që ka Bypassi në trajtimin e ngjarjeve. Ata e kthejnë përmbys lajmin, pasi nuk kanë mënyrë tjetër për ta komentuar dhe prekin gjithmonë ato pika me të cilat mund të bëhet ironi, gjithmonë duke mos prekur asnjëherë personat e dëmtuar. Ata nuk fajësojnë. Por meqë bëjnë një gazetari të përmbysur, ata nuk i shpëtojnë dot 5 pyetjeve bazë të gazetarisë, edhe pse Bajko bën vetëm 4 (hahaha). Pra ata pyesin vazhdimisht, pse, pse, pastaj, kush dhe në fund ku dhe si. Ajo që ata quajnë vështirësi ju ka çelur një derë tjetër në fakt, atë të gjetjes së një larmie kleçkash artistike (apo gjetje artistike) në funksion të temës. Edhe zëri i popullit i’u jep shumë dorë. Intervistat me qytetarët janë ata që i vënë vulën një teme. Bypassi funskionon si një organizëm i vetëm dhe që çështjet i zgjidh me biseda mes stafit, të gjithë japin kontribut, deri edhe tek aktrimi kur është nevoja për të shpikur artistikisht një situatë në funksion të temës.
Është shumë e vështir녅. Të gjesh aq shumë detaje për një temë të nxehtë sa të mbushësh qëllimin e Bypassit për të thënë ironinë. Por lehtësia qëndron në faktin se ka gjithmonë ka të çara, vetëm se duhet ti gjesh ato dhe ti thuash sa më bukur dhe me delikatesë. Nëse qeveria merr vendim për tu hequr makinat deputetëve këtu ka vend të për të thënë shumë gjëra. Nëse opozita; nxjerr listën me kriteret që duhet të plotësojë një person që të bëhet deputet i saj, këtu ka vend për të thënë shumë gjëra apo jo. Nëse një pushtetar shkon të vizitojë zonat e përmbytura dhe një banor i thotë se “jemi shumë mirë s’ka asnjë problem, unë skam votuar asnjëherë për juve por tani e mbrapa do votoj vetëm ju aq i kënaqur jam”, besoj se ka vend për të thënë ca gjëra. Nëse një ekip futbolli është ndarë në dy pjesë njëra e presidentit dhe tjetra e zvpresidentit me dy trajnerë ku njëri stërvit 10 lojtarë në Maqedoni dhe tjetri 10 lojtarët e tjerë në shqipëri edhe këtu ka plot për të thënë. Nëse një këngëtare bëhet anëtare e kryesisë së një partie dhe më pas shkon për të inspektuar zonat e përmbytura; si thoni të mos e prekin? Etj, etj.
Një rubrikë shumë e dashur në Bypass është edhe rubrika OOPS. Ka shumë vite që bëhet në Vizion Plus por për fat të mirë nuk ka kaluar në shumë duar. Pasi ajo është përqendruar gjithmonë në duart e Genti Dervishit, pasi për të kjo është rubrika më e dashur dhe ka disa vite që e realizon.
Analisti ka qenë një gjetje artistike pasi ata e ndërtojnë në funksion të temës. Të bërit analist në media, është kthyer në një lloj sporti, kështu që Bypass ka sportistin e vet që luan në fushën e Bypassit.
Parimi i skenaristëve të Bypassit është ti japin krahë lejimit dhe të vënë në dukje buzëqeshjen që ka çdo lajm dhe çuditërisht çdo lajm e ka sensin e Bypassit. Është lajmi që vjen tek ata dhe jo Bypassi që shkon atje; hahahahaha, akoma pa dalë në skenë lajmi ka shumë dëshirë të shkoj tek ata. Gazetarja e këtij emisioni siç e thirrin të gjithë Ina e Bypassit tha se, “Duke qenë se edhe vetë karakteri im nuk i ka marrëdhëniet shumë të mira me rutinën, ka bërë që të kem një bashkëjetesë të suksesshme me Bypass-in. Bashkëjetesë kjo që zgjat prej dy vitesh (me lejen e prindërve) Hahaha. Nuk di si do ia bëj kur të kërkoj divorcin me të. Fakti që çdo javë më duhet të merrem me diçka të re, bën që puna të mos kthehet asnjëherë në rutinë. Veç formimit tim, Bypass-i bën mirë edhe për organizmin, kjo për faktin se jemi një staf që qeshim çdo pesë minuta, e teprova më duket, çdo tre minuta. Hahaha. Kjo është pjesa e bukur e punës që bëj. Ana tjetër e medaljes është vështirësia që haset në intervistimin e personazheve të caktuar posaçërisht për Bypass. Në këtë rast, ose duhet të kthehem në një gënjeshtare, po që në rastin tim gënjej për mirë; ose më duhet një punë shumë e madhe bindëse që të mund të arrij atë që më kërkohet….Eeeee…kjo arrihet me punë me përpjekje…(Qesh)

13 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›