E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembja e hotelit në Golem, 5 të shoqëruar në polici. Dyshohet, shpërthim bolieri

GOLEM(UPDATE)- Pesë persona, mes të cilëve edhe pronari i hotelit, që u shemb mëngjesin e sotëm në Golem janë shoqëruar në polici, në pritje të zbardhjes së plotë të ngjarjes që plagosi 6 nxënës kosovarë, pushues në këtë ndërtesë.

Dyshimet e para flasin për një shpërthim bolieri në banjën e katit të dytë të hotelit, por ende nuk deklarohet në mënyrë zyrtare nga policia.

Dihet saktësisht se nëse është shpërthim bolieri, fuqia ka qenë aq e madhe sa ka hedhur përtokë gjithë faqen e murit rrethues dhe ka lënduar 6 vetë.

Në hotel ishin gjithsej 52 nxënës, maturantë të shkollës së Mesme Mjekësore në Gjilan të Kosovës. Sipas drejtorit të shkollës, Rrahim Azemi, nxënësit kishin 4 ditë që ishin në këtë hotel. Ai bën me dije se e lënduar më rëndë është nxënësja 18-vjeçare Shkurte Matshi, me frakturë në këmbë. Ndërkohë që 5 të tjerat janë me lëndime të lehta.

"Vajza ka frakturë thyerje dhe gervishtje në këmbë. Ka hyrë ne sallën e operacionit dhe me të po merret tani ortopedi. Nuk ka rrezik për jetën"- thonë mjekët e spitalit.

Ndërkohë dy mësuesit që shoqëronin nxënësit, tregojnë se kanë që prej të dielës në këtë hotel dhe do të rrinin deri ditën e premte.

"Dëgjuam zhurmë dhe britma dhe dolëm të shihnim. Ballkoni kishte rënë e po ashtu edhe muri i dy dhomave"- tregon një nga mësuesit.


Ngjarja e rëndë u shënua mëngjesin e sotëm në zonën e plazhit në Golem, kur u shemb pjesërisht një hotel 3 katësh.

Policia është drejtuar për në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimin e shkaqeve të shembjes së ndërtesës, që për momentin mbeten ende të paqarta.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›