E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama apel Berishës: Pa kushtet, jo në Parlament

“I bëj apel Sali Berishës të kuptojë se Partia Socialiste nuk hyn në parlament pa u plotësuar kërkesa e patjetërsueshme për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe me të gjithë opozitën ne do të përshkallëzojmë manifestimin e protestës për shkeljen e ligjit që garanton hapjen e kutive të votimit. Manifestimi opozitar i të shtunës, 10 tetorit, është vetëm fillimi i një përpjekje që ne do ta shtrijmë, në çdo rrugë të vendit, nëqoftëse pushteti i lindur nga grabitja e votave nuk hap kutitë e 28 qershorit”, tha Rama gjatë një konference
për shtyp.

Kreu socialist tha gjithashtu se Shqipëria do të mbetet jashtë procesit të liberalizimit të vizave për shkak të Sali Berishës dhe jo të opozitës. “I bëj apel Sali Berishës të kuptojë se nuk mund të vazhdojë të tallet më shqiptarët duke u thënë përditë se opozita po pengon heqjen e vizave, sepse shqiptarët janë paralajmëruar prej nesh, kohë më parë, që me Sali Berishën e me pushtetin e tij, Shqipëria do të mbetej, siç mbeti, jashtë programit të heqjes së vizave ku u futën Serbia, Mali i Zi e Maqedonia”, vijoi më tej ai.

Sipas Ramës, Sali Berisha duhet të japë llogari pse nuk u fut Shqipëria ne grupin e këtyre vendeve, gjë e vendosur shumë më parë se opozita vendosi të mos hynte në Kuvend për shkak të grabitjes së votave. Në fund të deklaratës, Rama tha se opozitën asgjë nuk e ndal në rrugëtimin për të çliruar zgjedhjet nga zgjedha e shtetit të bërë njësh me pushtetin.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›