Besa afrohet me Tiranën, Partizani i vetëm në fund
Java e 8-të në përgjithësi ka sjellë rezultatet e pritshme, të cilat në njëfarë mënyre e kanë zbukuruar kampionatin. Nëse një javë më parë Tirana ndodhej 5 pikë larg vendit të dytë, që mbahej nga Vllaznia, tashmë rivalët më të afërt të bardhebluve janë kavajasit, të cilët fituan dje ndaj Vllaznisë. Dje, Besa e Ilir Dajës ka fituar 1-0 me Vllazninë e Agim Canajt dhe, falë këtij tripikëshi, verdhezinjtë e shikojnë veten në vend të dytë, 4 pikë larg Tiranës, që të shtunën nuk mori më shumë se një pikë në fushën e Peqinit.
Si Besa dhe Vllaznia drejtohen nga trajnerë me të kaluar dinamovite, por me sa duket ka fituar eksperienca e Ilir Dajës, që është shpallur kampion me Elbasanin dhe Dinamon dhe tashmë duket në rrugë të mbarë që misionin e tij ta realizojë edhe me kavajasit. Tirana ndaj Shkumbinit tregoi se nuk është gati të shpallet kampione që në javën e 7-të, gjë të cilën bardheblutë e deklaruan pas fitores së derbit me Dinamon. Me sa duket, euforia e Tiranës i dha efektet e saj në fushën e Peqinit, por nuk i duhen hequr vlerat edhe ekipit të Maganit, i cili pa dyshim deri tani mund të konsiderohet bukuria e kampionatit. Ndryshe nga e kaluara, peqinasit kanë një skuadër simpatike, e cila jo vetëm që është e denjë të përballet me "të mëdhenjtë" e futbollit tonë, por Shkumbini i pranon të tri rezultatet në fushën e tij. Tirana ka kryer investime të mëdha, por nëse do të luajë me mentalitetin se është e pamposhtur, nuk është çudi që "sindroma" e Shkumbinit të përsëritet edhe këtë javë, kur do të luhet kryendeshja midis bardhebluve të vendit të parë dhe Besës së vendit të dytë.
Dinamo, Teuta, Elbasani dhe Bylisi, ngjitin shkallët
Dinamo fiton pastër 2-0 të ashtuquajturin derbi ndaj një Partizani që i ka mbetur vetëm emri dhe fanella. Ky tripikësh u vlerësua shumë nga kampionët në fuqi, pasi ndihen në garë për titull dhe po përmirësojnë gjendjen morale, që iu cënua në takimin me Tiranën. Ndryshe nga një javë më parë, tani blutë janë 5 pikë larg Tiranës kryesuese dhe shpresojnë në mbajtjen e ritmit. Teuta e trajnerit Sulejman Starova vazhdon serinë e fitoreve radhazi dhe me tripikëshin që i mori Flamurtarit është ngjitur në kuotën e 12 pikëve. Brenda një jave, elbasanllinjtë kanë bërë autokritikë, pasi kanë fituar ndaj Lushnjës me rezultatin 2-0. Humbja me Elbasanin i ka kushtuar postin trajnerit lushnjar, Saimir Malko, dhe sot pritet që të mësohet emri i ri i pankinës së lushnjarëve. Me sa duket, gjoba e vënë nga presidenti Laze e ka dhënë efektin e vet te skuadra e Elbasanit, që me këtë fitore arrin në kuotën e 12 pikëve, duke u bashkuar me Teutën, Shkumbinin dhe Vllazninë.
Pas tetë javësh kampionat, dje Bylisi për herë të parë ka lënë vendin e fundit, pasi ka fituar 1-0 ndaj Apolonisë. Me këtë tripikësh ballshiotët barazohen me pikë (tetë) me Apoloninë, por me golaverazh më të dobët mbajnë vendin e dhjetë.
Vazhdon "rënia e lirë" e Partizanit
Armata e madhe e tifozëve të kuq priste shumë që në derbin me Dinamon ekipi i zemrës të reagonte dhe të merrte fitoren e parë sezonale në kryeqytet. Por nuk ishte e thënë që të ndodhte kjo, pasi tripikëshi u mungon "demave të kuq" që nga takimi i javës së parë në Lushnjë. Dje Partizani ka ngelur i vetëm në fund, pasi edhe Bylisi arrin të fitojë dhe tashmë kriza është ulur këmbëkryq te të kuqtë. Këtë gjendje e ka pranuar edhe presidenti Xhani pas derbit me Dinamon, madje fajin kryesor për gjendjen e skuadrës e merr mbi shpatullat e tij. Sipas Albert Xhanit, ai ka gati projektin e tij, akoma të pashpallur, që konsiston në ngritjen e Partizanit dhe realizimin e misionit. Nëse fundi i sezonit të shkuar e gjeti Partizanin në vend të dytë, pas tetë javësh kampionat duket qartë "rënia e lirë" e të kuqve. Të shtunën ishin dinamovitët ata që ua shtuan më shumë nxitimin e "rënies së lirë" të kuqve, te të cilët mungojnë shumë gjëra. Partizani ka shënuar katër gola në tetë javë, ose gjysmë goli për ndeshje. Vetëm kjo statistikë flet qartë për potencialin që mbart ekipi. Askush nuk do ta dëshironte këtë situatë të Partizanit, prandaj mështetësit e shumtë mbeten me shpresë se skuadra do të dalë nga bataku ku është zhytur.
A ka sulmues futbolli shqiptar?
Java e 8-të ka sjellë shterpësi golash, pasi në gjashtë takime janë shënuar vetëm tetë gola. Gjatë kësaj jave bie në sy se asnjë ekip udhëtues nuk ka qenë i aftë të shënojë gol në portën e vendasve. Tetë gola për një javë kampionat janë një tregues shumë i dobët, gjë e cila vërteton qartë se futbollit tonë i mungon i shumëdëshiruari "lojtar-goli". Para ndeshjeve, të gjithë krekoson se synojnë fitoren, por si mund të marrësh maksimumin, kur nuk je i aftë të gjesh rrugën e golit? Kampionati i 70-të kombëtar i kategorisë superiore po tregon se futbollit tonë i mungon karakteri agresiv, dhe falë këtyre rezultave, natyrshëm del pyetja: A kanë sulmues skuadrat tona të futbollit? Në përgjigje të kësaj pyetjeje retorike, mjafton të kujtojmë se listën e goleadorëve të kampionatit tonë pas kësaj jave vazhdon ta kryesojë Memelli i Tiranës, me 6 gola të shënuar.
Në mesjavë luhet Kupa, më pas java e 9-të
Tani ka ardhur momenti që të gjitha skuadrat tona të provojnë forcat reale, pasi shtohet dendësia e përballjeve. Pas përfundimit të javës së 8-të, ekipet duhet të zbresin në fushën e lojës edhe të mërkurën, pasi do të luhet raundi i parë i Kupës së Shqipërisë. Pjesa më e madhe skuadrave të elitës do të luajnë në trasfertë, ku mikpritëse të tyre do të jenë skuadrat e kategorisë së parë dhe të dytë. Për shembull, Tirana do të luajë në Pukë, Vllaznia në Librazhd, Dinamo në Patos etj. Pas ndeshjeve të Kupës, i vjen radha javës së 9-të, ku do të zhvillohen këto takime Lushnja-Teuta, Vllaznia-Elbasani, Tirana-Besa, Partizani-Shkumbini, Apolonia-Dinamo dhe Flamurtari-Bylis.
Ilir CARA
Java e 9-të (01.11.2008)
Lushnja - Teuta (02)
Vllaznia - Elbasani
Tirana - Besa (02)
Partizani - Shkumbini
Apolonia - Dinamo
Flamurtari - Bylis