E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizita, Linda dhe Aneta shoqëruan Ramën

07/02/2011  Kreu socialist ngushëllon familjen Deda, e cila humbi djalin në demonstratën e 21 janarit

Nga Laknasi kryetari dhe deputetë të PS-së në Rinas për të pritur trupin e pajetë të Nikajt

Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama u rikthye sërish dje në familjen Deda për t’i shprehur ngushëllimet për humbjen e njërit prej pjesëtarëve të saj në demonstratën e 21 janarit. Por këto ngushëllime kësaj radhe kryetari i socialistëve do t’i përcillte së bashku me bashkëshorten Linda dhe nënën e tij Aneta. Mesditën e djeshme, jo pak ditë pas vrasjes së Hekuran Dedës në protestën që zhvilloi opozita, Rama vizitoi këtë familje. Bashkë me Lindën dhe Anetën Rama u ndal në Laknas, ku banon familja Deda, për t’i shprehur ngushëllimet për humbjen e djalit të tyre Hekuran Dedës, 32 vjeç, baba i dy fëmijëve, emigrant i kthyer para dy muajsh për shkak të papunësisë atje dhe ende i papunë këtu. Në këtë vizitë u mënjanuan prononcimet për shtyp, duke u lënë vend vetëm ngushëllimeve të rastit, që Rama, Linda dhe Aneta përcollën për familjarët. Pas kësaj vizite kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, së bashku me deputetë të tjerë të kësaj partie u nisën drejt aeroportit të Rinasit për të marrë pjesë në homazhet e viktimës së katërt në demonstratën e 21 janarit Aleks Nikaj. Hekuran Deda humbi jetën si pasojë e një plumbi vrastar të marrë në kokë, në këtë demonstratë pak metra larg godinës së Kryeministrisë. Ndërkohë që rikujtojmë se në protestën e 21 janarit të organizuar nga Partia Socialiste dhe partitë aleate të saj humbën jetën nga plumbat 4 demonstrues. Në të dhënat që u bënë publike nga jo pak televizione, por dhe nga vetë zyra e shtypit e selisë rozë vihej theksi pikërisht në faktin se të katër viktimat u qëlluan jashtë rrethimit të godinës së Kryeministrisë. Hekuran Deda, 45 vjeç, nga Dibra ka humbur jetën si pasojë e një plumbi të marrë në kokë në një kohë që ndodhej 10-20 metra larg godinës së Kryeministrisë. Ziver Veizi, 43 vjeç, nga Gjirokastra, u qëllua për vdekje me një plumb në gjoks rreth 3-5 metra larg portës hyrëse në Kryeministri, dhe po disa metra larg Kryeministrisë humbi jetën dhe shtetasi Faik Myrtaj, 50 vjeç, nga Fieri, i vrarë me një plumb në shpatull. Po kështu në këtë tubim, që shënoi dhe viktima në radhët e protestuesve, nuk ishte i paktë dhe numri i personave të plagosur, përfshirë këtu dhe forcat e rendit apo dhe gazetarë.

Viktime e katërt në demonstratën e 21 janarit

Familjarë, deputetë dhe kreu i PS-së në Rinas

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe deputetë të kësaj partie u drejtuan dje drejt aeroportit të Rinasit për të pritur trupin e pajetë të Aleks Nikës, i cili humbi jetën në demonstratën e 21 janarit. Ka zbritur në orën 14:00 avioni që transportonte trupin e pajetë të Aleks Nikës, 35-vjeçarit që u plagos me plumb në kokë gjatë demonstratës së 21 janarit në Bulevardin përpara Kryeministrisë. Prej ditësh Nikaj qëndroi në gjendje të rëndë shëndetësore, duke mos mundur t’i mbijetonte plagës së marrë në kokë. Dhjetëra familjarë, me ta dhe katër motrat, kishin dalë në Rinas për të pritur arkëmortin. Vaji dhe dhimbja ishte e madhe. Humbën njeriun e tyre, djali i vetëm në katër motra i familjes Nikaj, por dhe babai i dy vajzave të mitura. Dhjetëra qytetarë të tjerë, mes tyre dhe kreu i PS-se Edi Rama dhe deputetë të PS-së, kishin mbërritur në Rinas për të pritur trupin e Nikajt. Më pas makina e funeralit, e shoqëruar dhe nga një varg makinash të tjera, janë nisur drejt Lezhës, ku do të zhvillohej ceremonia mortore. Aleks Nikaj humbi jetën dje në një nga spitalet e Ankarasë, ku u transportua pak ditë më parë për shkak të gjendjes së tij të rëndë shëndetësore. Ndarja nga jeta e Aleks Nikajt e çon në 4 numrin e viktimave të demonstratës së 21 janarit, manifestim i organizuar nga kampi opozitar.

Komisioni hetimor

Lutaj: Burgaj tregoi se është vartës i Berishës

Partia Socialiste reagoi dje lidhur me raportimin që bëri dy ditë më parë drejtori i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj në komisionin hetimor të ngritur për hetimin e ngjarjeve të 21 janarit. Deputeti i kësaj partie Piro Lutaj, ndalur në këtë seancë, vlerësoi se “opinioni publik dëgjoi Burgajn të raportonte përpara manekinëve të Saliut në komisionin hetimor parlamentar të pavërteta tronditëse, që nuk cenojnë vetëm statusin e drejtuesit të policisë së një shteti anëtar të NATO-s, por liritë e çdo qytetari të një vendi demokratik në mes të Europës, i cili është një hap larg anëtarësimit në BE”. Sipas tij, Burgaj është një vartës i bindur i drejtuesve të operacionit kriminal të 21 janarit - Sali Berishës e Lulëzim Bashës. “Nxjerrja e makinës së ujit pa asnjë shoqërues, dëmtimi i forcave të policisë nga gazi lotsjellës, hapja e pjesës ballore të Kryeministrisë, duke e lënë pa asnjë forcë policore është shembulli më i shëmtuar se Burgaj shërben në verbëri të plotë ndaj urdhrave të Bashës dhe Berishës”, - tha Lutaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›