E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizita, Sejdiut inspekton sot Durrës- Kukës

Presidenti kosovar, sot në ditën e dytë të vizitës së tij do të udhëtojë drejt Rrëshenit. I shoqëruar nga presidenti shqiptar Bamir Topi, Sejdiu do të inspektojnë punën që po bëhet në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. 

TIRANE- Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe ai shqiptar, Bamir Topi, pritet të takohen sërish sot, kësaj here në Rrëshen. Ata së bashku me delegacionet që i shoqërojnë, do të inspektojnë punën që po bëhet në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës.

Pas inspektimit të punimeve, Topi dhe Sejdiu do të bëjnë nga një deklaratë për shtyp. Më pas, Presidenti kosovar, Sejdiu, udhëton drejt Shkodrës. Këshilli Bashkiak i këtij qyteti i ka akorduar Sejdiut titullin “Qytetar Nderi”, titull i cili do të jepet në një ceremoni organizuar me këtë rast.

“Është e rëndësishme dhe qasja e përbashkët, që bashkëpunimi kundër krimit të organizuar të jetë bashkëpunim në epiqendrën e plotë të veprimeve, i cili nënkupton që të mos ketë rezerva të hedhjes së topit të një vendi në një vend tjetër, apo në një vend të tretë”, u shpreh dje Presidenti i Kosovës, Sejdiu.

Gjatë ditës së djeshme presidenti Sejdiu zhvilloi takime me Presidentin shqiptar Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha si dhe mbajti një fjalim në seancën plenare që u zhvillua dje pasdite në Parlament. Gjatë takimeve që zhvilloi Presidenti kosovar vuri theksin në bashkëpunimin ekonomik, i cili duhet të jetë në nivel më të lartë.

(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›