Garanci nga 2 mln lekë, 3 punonjësit e OSSH të lirë
FIER - Tre zyrtarët e OSSH Fier, të arrestuar 3 ditë më parë nën akuzën e abuzimit në tenderin e matësve elektrikë në shumën e 4 mln lekëve, dje pasdite lanë qelitë dhe kanë shkuar në shtëpi. Për të tre këta persona, Gjykata e Shkallës së Parë Fier, pas 4 orësh gjykim (pa praninë e mediave) ka dhënë për ta masën e detyrimit për paraqitje me lënie garanci pasurore, duke cilësuar që "të mos largohen jashtë territorit të vendit". Tre të akuzuarit Pajtim Halili, 56 vjeç, elektricist, Gentian Bilero, 33-vjeç, ish-kryeinxhinier, dhe Roland Suli, 32 vjeç, inxhinier, kanë lënë si garanci pasurore nga 2 milionë lekë secili. Fillimisht, gjykata, mbrojtja dhe prokurori ishin në spitalin e qytetit ku 56-vjeçari Halili është shtruar me shqetësime shëndetësore, duke vazhduar më pas gjykimin për dy të tjerët në mjediset e Gjykatës së Fierit. Të akuzuarit dhe mbrojtja kanë mohuar të kenë abuzuar me shumën 4 milionë, duke e quajtur arrestimin e tyre thjesht hakmarrje politike.
(s.g/i.h/BalkanWeb)