E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizita e Erdogan dhe "Big Brother"-i turk

I ka mjaftuar vizita njëditore në Shqipëri Taip Erdoganit për të certifikuar prezencën e Turqisë ekonomike në vendin e vogël ballkanik. Kryeministri turk nxitoi të vinte te miku i tij i vështirë vetëm pak ditë, pasi u sigurua se "Eagle Mobile" lëshoi impulset e para në tregun e telefonisë së lëvizshme në Shqipëri. Taip Erdogan kish fituar më në fund betejën e tij shqiptare për "Calik Energi", ndërsa Sali Berisha fitoi tërësisht mikun Taip Erdogan. Të tjerat që pasuan ishin bashkëpunime reciproke, lehtësira dhe mbështetje dypalëshe në arenën ndërkombëtare. Një protokoll standard ky i ngritur prej dekadash mbi sentimentet reciproke të të dy vendeve mike e popujve vëllezër.

Dy vjet më parë, në shtator të 2006, gjatë vizitës së tij në Turqi, Berisha do të shkrinte ujërat mes Tiranës e Ankarasë për të rikthyer normalitetin e raporteve të dëmtuara nga vetë ai. Rruga e Ahmet Calik drejt tregut shqiptar ishte e hapur dhe Erdogan nuk harroi t‘i shprehte në shtëpinë e tij e përballë kamerave "aferim" homologut të tij të zbutur. Vizita në Ankara ishte rifillimi i një rruge të ndërprerë mes zyrave të Berishës dhe Erdoganit. Dhe Kryeministri turk nuk do të vononte t‘i kthente vizitën Berishës, duke gjetur mënyrën të garantonte në Tiranë mbështetjen turke për degëzimin e gazsjellësit edhe në Shqipëri, pas itinerarit Kaspik-Turqi-Greqi-Itali. Por Erdogan duket se dha më shumë, edhe pse në mënyrë të përgjithshme, kur garantoi se "jemi të hapur të marrim nga Shqipëria çfarë ajo ofron".

Por pavarësisht faktit se Shqipëria nuk ka ç‘t‘i ofrojë aq shumë tregut të përbindshëm turk, mes dy vendeve është instaluar një klimë e shkëlqyer biznesi. Investimet turke në Shqipëri nga 35 milionë dollarë që ishin në vitin 2002 sot kanë arritur në 630 milionë dhe janë të shtrira në të gjitha fushat.

Me këtë vëllim tregtar, Turqia renditet tani e treta pas Italisë dhe Greqisë për sa u përket investimeve në vendin ballkanik. Por për ekzekutivin e zotit Berisha, ritmet gjithsesi duhen ndryshuar dhe balanca duhet të fillojë të ndihet edhe në favorin tonë. Dy vjet më parë, në Stamboll, gjatë vizitës së tij, Berisha nxori nga çanta projektin "Shqipëria 1 euro", duke u thënë të 250 kompanive turke të pranishme në takim: "Ja ku jemi"! E ka ripërsëritur këtë ftesë edhe dy ditë më parë, kur në "Sheraton" u bëri me dije sërish turqve të biznesit se "i besoj lirisë së tregut, i bindur se çdo hap drejt saj është një hap drejt perspektivës". Kapakun kësaj epoke marrëdhëniesh duket se do t‘ia vërë nënshkrimi në muajin maj i marrëveshjes së tregtisë së lirë me Turqinë, e cila gjithsesi do të krijojë një epërsi mbytëse në tregun e brishtë shqiptar.

Por pavarësisht dilemave dhe hezitimeve të tilla, analistët ekonomikë janë të mendimit se edhe pse "Shqipëria 1 euro" iu zbërthye dy vjet më parë kompanive turke, si një mundësi për të zbuluar "Eldoradon e Ballkanit", nuk është parë deri tani një rendje serioze dhe e shpejtë e biznesit të madh turk drejt "vëllait të vogël", që kërkon të orientohet gabimisht drejt disa tregjeve të tjera evropiane. Nisma gjithsesi ka joshur disa firma e operatorë turistikë, por dhe disa biznese të nivelit të mesëm, për të cilat tregu i madh turk ka nevojë t‘i eksportojë jashtë tij drejt krahut të lirë të punës apo më afër Evropës Perëndimore. Duket se për Erdoganin, edhe në këtë vizitë rëndësi merrte çimentimi i superbizneseve të tipit "Calik" sesa fati i disa ndërmarrjeve të mesme, që nuk ngrenë peshë në strategjinë ekonomike të vendit të tij drejt tregjeve të reja.

Jo rastësisht, Taip Erdogan konsiderohet sot në Turqi si shembulli tipik i shtetarit që mbështet bashkëkombësit e tij, të cilët i kanë hyrë rrugës së biznesit të fuqishëm dhe fitimprurës edhe për vetë imazhin ekspansionist të Turqisë. Një skenar të tillë, Erdogan e ka përdorur me sukses edhe në Bullgari e disa vende të tjera të Evropës Juglindore. Për Turqinë, Shqipëria është gjithsesi një treg i vogël, por rëndësi për Ankaranë merr stabilizimi i disa konsorciumeve të fuqishme sikundër është "Calik", prezenca e të cilit tani në Shqipëri ka përfshirë disa fusha të rëndësisë së parë në ekonominë e vendit.

Turqit asnjëherë nuk kanë dashur të qëndrojnë larg dhe në distancë me prezencën ekonomike greke në vendin që e konsideron Turqinë si një "Big Brother" tradicional. Nga ana e saj, Tirana e ka më se të qartë se një klimë vllazëruese dhe e qëndrueshme me Turqinë do të thotë krahë të ngrohta dhe një lobim konstant, atje ku Shqipëria ka më shumë nevojë, në sallat ushtarake të NATO-s apo në disa organizma të tjerë ndërkombëtarë, ku Turqia ka një peshë të ndjeshme dhe një influencë që buron nga fuqia e një shteti të stërmadh. Kjo është arsyeja që Berisha i dha garanci homologut të tij për një mbështetje diplomatike në strukturat e OKB-së, në këmbim të Samitit të Bukureshtit, tani që Kryeministri i Shqipërisë duket se ka më shumë nevojë se kurrë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›