E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimi i rrugëve, ngecin akset kryesore

Pothuajse në të gjitha akset kryesore në vend, procesi i punimeve nuk ka nisur ende. Edhe pse janë miratuar prej më se një viti si nga Kuvendi dhe Ministria e Financave për financimin e tyre, problem për ministrinë e Olldashit vazhdojnë të mbeten shpronësimet, por edhe vonesat në shpalljen e firmave fituese. Kështu, aksi i jugut, Levan-Vlorë, nuk ka kryer asnjë vëllim punim, por ka mbetur vetëm në procesin e shpronësimit dhe ngritjen e ndonjë kantieri. Rruga Tepelenë-Gjirokastër duhet të kishte përfunduar në prill të vitit që shkoi, por problemet me zonën e Ujit të Ftohtë sollën vonesa dhe shtyrje të afatit për përfundimin e projektit, sipas të cilit finalizohet në prill-maj 2008. Në të njëjtën situatën ndodhen akset kyçe si Ura e Bunës në Shkodër, Fier-Levan apo Kalimash-Rexhepaj, të cilat do të financohen nga bankat e huaja.

Tepelenë-Gjirokastër

Projekt me financim nga Banka Evropiane e Investimeve, në rreth 23 milionë euro, ka hasur vështirësi të shumta në disa segmente të saj, ku më problematiku pjesa që prek Ujin e Ftohtë. Ministria e Punëve Publike është përballuar me pronarët e truallit, të cilët nuk binin dakord me vlerën e kompensimit. Rruga duhet të kishte përfunduar në prill të vitit që shkoi, por për këtë problem u rilidh një kontratë e re, duke e shtyrë përfundimin e punimeve në prill-maj 2008. Aktualisht, vëllimi i punimeve rezulton në 95 për qind.

Fier-Levan

Nyje shumë e rëndësishme për qarkullimin e automjeteve, projekti për by-passin e Fierit ka sjellë debate të forta në arenën politike. Përtej kësaj, ndërtimi i veprës kushton 51 milionë euro, me financim të njëjtë mes qeverisë shqiptare dhe Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), ndërsa data e nisjes së punimeve nuk është caktuar ende. Aktualisht po punohet me procesin e shpronësimeve, i cili po kryhet nëpërmjet kompanisë konsulente private "Lorenco & Geosat" në bashkëpunim me Drejtorinë e Rrugëve. Supervizori i rrugës do të jetë shoqëria italiane "SWS & Sintagama", e kontraktuar nga BEI, ndërsa për sa i përket ndërtuesit është kryer tenderi më 5 mars, ku morën pjesë katër shoqëri ("Gulisan", Turqi, Mak YOL, Turqi, "Strabag", Austri dhe SCT, Slloveni) dhe aktualisht Drejtoria e Rrugëve është duke verifikuar dhe vlerësuar përzgjedhjen e firmës fituese.

Levan-Vlorë

Rruga, ndërtimi i së cilës u bllokua falë letrës-ankesë të dërguar nga Ministria e Mjedisit se po dëmtohen disa zogj të zonës, duke alarmuar financuesin, BERZH, po vuan vonesa të shumta. Kanë kaluar dy vjet nga hartimi i projektit, zbatimi i të cilit aktualisht është 5 për qind vëllim pune, ndërsa realizimi financiar 10 për qind. Të dhënat flasin për një realizim kohor prej 32 për qind, ndërsa procesi i shpronësimit rezulton problem më vete, sidomos në zonën e Kripores. Projekti përmban dy mbikalime në Panaja dhe Novoselë, një nënkalim në Levan, ndërsa këto ditë parashikohet të nisë puna për ndërtimin e urës së Ferrasit. Projekti kushton rreth 42 milionë euro, me financim nga BEI dhe BERZH, kurse punimet përfundojnë në fillim të 2010-ës.

Kryqëzimi i Kamzës

Të dhënat e fundit nga MPPTT-ja falsin për një ritëm rekord punimesh, të kushtëzuara në kontratë për vet faktin se objekti ndodhet në kryqëzimin me trafik tepër të dendur. I nisur në qershor 2007, punimet në kryqëzimin e Kamzës (interchange) përfundojnë në mesin e muajit prill 2008, me vlerë totale 6 milionë euro. Aktualisht, vëllimi i punimeve rezulton 60 për qind, realizimi financiar 45 për qind ose 3.7 milionë euro dhe pret të marrë miratimin e rreth 1 milionë euro për punimet e kryera. Financuesi është BERZH.

Kalimash-Rexhepaj

Kuvendi e ka votuar në nëntor të vitit 2007, të shoqëruar me debate të ashpra për mënyrën sesi është hartuar kontrata (sipas ligjeve islamike), ndërsa vlera e financimit është 43 milionë dollarë nga Banka Islamike për Zhvillim dhe qeveria shqiptare. Mësohet se është kontraktuar ndërtuesi (25 shkurt ‘08), por nuk është kryer asnjë vëllim pune, përveçse mobilizim për ndërtimin e kantierit. Sipas kontratës, punimet duhet të përfundojnë në qershor 2009, por ajo që bie në sy është mungesa e projektit, e cila së shpejti pritet t‘i shkojë për miratim Këshillit Teknik të Drejtorisë së Rrugëve.

Ura e Bunës

Projekti daton që në 2006-ën, i miratuar nga Kuvendi në fillim të vitit 2007, ndërsa kontraktori është përzgjedhur në janar të 2008-ës. Ai kushton 8.2 milionë dollarë, me financim nga Banka Islamike për Zhvillim dhe qeveria shqiptare. Ura e Bunës (Shkodër) parashikohet të përfundojë në tremujorin e parë të 2010. Tepër i debatueshëm për mënyrën sesi do të projektohet, kjo urë përbën aksin kryesor që lidh vendin me Malin e Zi, por mbi të gjitha luan rol kyç në marrëdhëniet tregtare dhe turizmit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›