E Shtunë, 31 Tetor 2026

ARMO, fitimi arrin 1.7 miliardë lekë

Nafta është shndërruar në një nga bizneset më fitimprurëse aktualisht. Shoqëria publike e rafinimit dhe e shitjes së naftës, ARMO, në vitin 2007 deklaroi një fitim prej 1.7 miliardë lekësh, kundrejt 307 milionë lekëve të programuar, me një tejkalim prej 1.410 miliardë lekësh. Rentabiliteti i shoqërisë publike në fund të vitit 2007 rezultoi 11.57%, nga 2.22% i programuar me një rritje prej 9.35% më shumë. Të ardhurat u realizuan në vlerën 14 837 milionë lekë, ose në masën 107% nga programimi. Ndërsa shpenzimet rezultuan me realizim në masën 96.8%, ku ndikimin kryesor e dha kompania kanadeze "Bankers Petroleum", e cila dha më pak nga programi 64 233 tonë naftë. Në buxhetin e shtetit u derdhën 3461 miliardë lekë, ose 42 milionë USD, ndërsa si detyrime të prapambetura për akcizën, në vlerën 352 milionë lekë. Kjo ka bërë që shoqëria ARMO, e cila ndodhet në proces privatizimi, të zgjojë interesin e ndërkombëtarëve. Deri tani kanë tërhequr dokumentet e privatizimit mbi 15 kompani të huaja. Vetë specialistët mendojnë se interesi pritet të rritet edhe më shumë akoma, pasi është një treg në zhvillim me prani të burimeve potenciale të naftës, ende të pazbuluara mirë, një çmim tepër i favorshëm të nënprodukteve të naftës, por edhe për arritjet pozitive financiare në dy vitet e fundit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›