E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia, si e përjetoi "Gërdecin"

Teksa flet, ndien ende mornica në trup. E pranon edhe vetë. Ngjarja e Gërdecit ka qenë shokuese për të, ashtu si për të gjithë ne. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, ndodhet në zyrën e tij dhe shpesh interesohet për shëndetin e tre policëve që u plagosën mesditën e 15 marsit, kur një shpërthim gjigant tronditi Shqipërinë. Po aq shpesh tregon, jo pa krenari, edhe për aktin heroik të trupave të policisë dhe të djemve të RENEA-s dhe FNSH-së. Gjatë një interviste për "Shqip", Prençi ka treguar momentet e para kur u njoftua për shpërthimin në Gërdec, masat e menjëhershme që u morën, punën e deritanishme dhe atë që po vijon, në bashkëpunim me strukturat e tjera të shtetit.

Cilat ishin masat e marra nga strukturat e Policisë së Shtetit për tragjedinë e Gërdecit?

Ngjarja e Gërdecit mbetet ndër ngjarjet më të rënda, jo vetëm për numrin e konsiderueshëm të viktimave, të të plagosurve e për dëmet e mëdha materiale, por edhe për kompleksitetin e problemeve që shtronte situata e jashtëzakonshme për zgjidhje urgjente e energjike, jo vetëm për Policinë e Shtetit, por për të gjitha strukturat e shtetit. Përfitoj nga rasti t‘u rishpreh edhe një herë ngushëllimet e mia familjarëve të viktimave e t‘i siguroj se

strukturat e policisë do të jenë pranë tyre, për të lehtësuar sadopak hallet dhe problemet e shumta të komunitetit të asaj zone.

Shpërthimet që tronditën Tiranën, mesditën e së shtunës së 15 marsit, ishin një alarm. Njoftimin e mora nga drejtori i Policisë së Qarkut të Tiranës dhe në vendin e ngjarjes pas shpërthimit të parë shkuan të gjithë efektivat e stacionit të policisë së Vorës dhe helikopteri. Ndërkohë, jam nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes. Pak minuta më vonë, kur ndodhi edhe shpërthimi i dytë u informova se tre punonjës të policisë, mes të cilëve edhe shefi i stacionit ishin dëmtuar nga katastrofa. Njoftimet e para ishin tronditëse, shokuese. Gjatë rrugës për në vendngjarje u morën masat urgjente, të menjëhershme, qoftë në mobilizimin e potencialit maksimal të forcave dhe mjeteve që disponon në të tilla raste policia, qoftë edhe dhe për sigurimin e lëvizjes së shpejtë të tyre në drejtim të Vorës. Nga drejtuesit e lartë të policisë u dha kushtrimi për gatishmëri të lartë në të gjitha strukturat e saj në të gjithë vendin. U morën masat e menjëhershme për krijimin e korridoreve drejt spitaleve të Tiranës, Krujës, Durrësit dhe për lëvizjen sa më të shpejtë të forcave RENEA dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë, si dhe trupa të tjera policore të drejtorive në qarqet Tiranë e Durrës. Ishte një situatë e vështirë, tepër e rëndë, jo vetëm për mua si drejtor i Përgjithshëm i Policisë, por për të gjithë efektivat dhe mbarë qytetarët shqiptarë. Për pak minuta, në qytetin e Vorës kanë mbërritur dy grupe të FNSH-së, dy grupe të repartit RENEA, njësia antieksploziv, reparti i zjarrfikësve, si dhe struktura, shërbime të tjera të specializuara të ushtrisë, forca të tjera të ndihmës së shpejtë, ambulancat etj. Në më pak se një orë në vendin e ngjarjes ishin përqendruar rreth 1000 forca të specializuara policie, që u shpërndanë në perimetrin e largët Gërdec-Vorë-Maminas-Rinas në superstradë dhe në perimetrin e afërt, rreth vatrës së shpërthimit, ku u aktivizuan trupat e specializuara të RENEA-s e të FNSH-së, të cilët vepronin me mjete të blinduara.

Ndërhyrja e forcave policore, në bashkëpunim të ngushtë me ato të ushtrisë dhe forcat e tjera civile u përqendrua në një aksiomë të përbashkët: Të largonim sa më shpejt të ishte e mundur të mbijetuarit dhe të plagosurit nga vendi i ngjarjes. Pra, evakuimi ishte detyra e çastit që u shoqërua me masa të tjera energjike e të shpejta, ndër të cilat ishte edhe rrethimi i vendngjarjes, detyrë jo aq e lehtë sa e mendonim. Gjatë ndërhyrjes, shpërthimet vazhdonin me intensitet të lartë dhe gjendja ishte shumë e rëndë dhe e tensionuar.

Në më pak se një orë, 200 forca të RENEA-s e të FNSH-së, në bashkëpunim me ato të ushtrisë mundësuan ndërhyrjen e parë shumë afër vendit të ngjarjes ku vazhdonin shpërthimet, deri në 50 metra, me mjete të blinduara, për t‘u ardhur në ndihmë të dëmtuarve dhe për të bërë evakuimin e popullatës. Në ndërhyrjen e parë janë nxjerrë rreth 25 të plagosur dhe tre të vdekur, si dhe janë evakuuar më shumë se 50 banorë të shokuar nga ç‘kishte ndodhur. Trupat e operacionale kryenin në sinkron detyrat, me një vetëmohim të rrallë e përgjegjësi njerëzore. Pra, ishim në një situatë të jashtëzakonshme që kërkonte me patjetër veprime të jashtëzakonshme.

Ndërhyrja e dytë u krye në bashkëpunim me grupin e helikopterëve të policisë e të ushtrisë, ku u bë e mundur nxjerrja e 200 personave të plagosur, duke i dërguar menjëherë në spital me helikopter, autoambulanca e makina të rastit. Kjo ndërhyrje ka zgjatur deri në orën 22.30 të ditës së parë të ngjarjes. Ndërkohë, janë evakuuar rreth 4000 banorë nga zona e vështirë.

Pavarësisht, detyrave që kanë forcat speciale, për mua atë ditë djemtë e RENEA-s u treguan heronj, pasi rrezikuan jetën e tyre dhe shkuan shumë afër kraterit, ku ende vazhdonin shpërthimet.

Nuk është hera e parë që djemtë e këtij reparti special janë treguar heronj. Në ato çaste tepër të rënda e të jashtëzakonshme, në ato momente kur tragjedia nuk dihej se ç‘përmasa kishte dhe ku luhej jeta e njeriut, djemtë e RENEA-s dhe forcat e tjera speciale e të ushtrisë të jepnin shpresë, kurajo dhe besim se çdo jetë e mundshme për t‘u shpëtuar të shpëtonte. I kam jetuar ato çaste kur ata, me vdekjen shumë pranë, e sfidonin rrezikun. Më është dashur disa herë të ndërhyja te drejtuesit e këtyre njësive për maturi e kujdes, me shqetësimin se mos humbisnim jetë të tjera. Është më tepër se i merituar vlerësimi dhe falenderimi që morën ata djem nga personalitetet më të larta të shtetit.

Ndodh që në situata të jashtëzakonshme, ka probleme bashkëpunimi dhe koordinimi...

Do të shtoja që Gërdeci, ato ditë, i ngjante një beteje, dhe si e tillë, të gjithë pjesëmarrësit në operacion plotësuan njëri-tjetrin në detyrat përkatëse. Si mund të mos veçojmë grupin e helikopterëve të policisë dhe të ushtrisë, që në kushte tepër të vështira të një zone shpërthimi, treguan aftësi të rrallë menaxhuese dhe falë tyre, shpëtuan mjaft jetë nga vdekja e sigurt. Sjell tani ndërmend pilotët e policisë, të cilët me dhembshurinë e prindit dhe përgjegjësinë e detyrës në raste të tilla tragjike, mbajtën në krah sa e sa të plagosur e të lënduar drejt Spitalit Ushtarak.

Pa dashur të mitimizoj heroizmin e strukturave të policisë apo të njësive të tjera që operonin si një strukture e vetme në këtë operacion, dua të shtoj se asnjëherë nuk duhet të neglizhohet përgatitja e këtyre forcave për situata të tilla emergjente. Falë kësaj përgatitje fizike, psikologjike, profesionale, logjistike, ato ditë të tendosura, e them sinqerisht, nuk kishte nevojë për urdhra e udhëzime…

Po situata e rendit në zonat e tjera të vendit, pas kësaj ngjarjeje, si paraqitet?

Gjeografia e veprimtarisë së strukturave të policisë nuk ishte vetëm Gërdeci, vendi i tragjedisë. Në raste të tilla, gjallërohet elementi kriminal, vihet në lëvizje krimi, ndaj ishte e domosdoshme vënia në gatishmëri e strukturave vendore të policisë, përforcimi i shërbimeve, kontrolleve në pika kyçe të lëvizjes së mjeteve dhe shërbimeve kufitare, duke synuar parandalimin e çdo cenimi të rendit e të sigurisë publike, si dhe për të parandaluar konfuzionin e panikun, që shpeshherë është i pranishëm në këto raste, por edhe për të mbajtur nën kontroll elementët me tendenca kriminale. Postblloqe dhe patrullime u instaluan sidomos në Vorë dhe rreth vendngjarjes për të ruajtur rendin e sigurinë publike, si dhe për të parandaluar çdo ngjarje kriminale. Nga të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, dhe jo vetëm të Drejtorisë së Tiranës e të Durrësit, u dhanë detyra konkrete dhe u morën masat e nevojshme. Masa u morën edhe për vënien nën kontroll të grumbullimeve të njerëzve për të parandaluar bllokin e rrugëve, e për të mundësuar në këtë mënyrë funksionimin e veprimtarinë normale të shërbimeve të përfshira në menaxhimin e pasojave të kësaj ngjarjeje.

Sa forca policie morën pjesë në operacionin e kërkim-shpëtimit dhe a pati të dëmtuar në radhët e tyre?

Mobilizimi i forcave të policisë ishte i menjëhershëm. Në më pak se një orë në vendin e ngjarjes ishin përqendruar rreth 1500 forca policie të Tiranës dhe Durrësit, të cilat u shpërndanë siç përmenda dhe më lart, në perimetrin nga Gërdeci deri në superstradë. Ndërkohë, 1000 forca të tjera të drejtorisë së Tiranës u vendosën nën gatishmëri për të kontrolluar situatën e rendit e të sigurisë publike në kryeqytet. Gjithashtu, 250 shërbime të policisë rrugore të Tiranës, Durrësit dhe Krujës menjëherë "pastruan" rrugët, me qëllim kalimin e lirë të autoambulancave dhe të mjeteve të policisë në drejtimin Gërdec - Krujë-Durrës-Tiranë.

Përsa u përket të plagosurve nga ana e forcave të policisë, dua të them se kanë qenë tre të plagosur, njëri nga të cilët është më rëndë se dy të tjerët. Inspektori i zonës, Memoçi, është plagosur rëndë në momentin e shpërthimit të dytë, gjatë kohës që po tentonte të ndihmonte banorët e zonës së Gërdecit për t‘u larguar. Pasi mori mjekimin e parë në Spitalin Ushtarak, e dërguam menjëherë në Greqi, pasi kishte dëmtime të rënda në të dyja këmbët. Aktualisht, ai ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak. Ndërkohë që dy punonjësit e tjerë të policisë, të cilët edhe ata u plagosën gjatë kohës që tentonin të shoqëronin të mbijetuarit jashtë zonës së rrezikut, është dhënë mjekimi dhe tani janë më mirë. Ndodhen pranë familjarëve të tyre dhe u uroj shërim të shpejtë.

Po përsa i përket situatës së rendit dhe sigurisë publike në Tiranë, ç‘zgjidhje u dha, pasi pjesa dërrmuese e policisë së këtij qarku u mobilizua në operacionin e Gërdecit?

Në bazë të një plani të veçantë e të detajuar, bëmë ridislokim të shërbimeve të policisë së Qarkut të Tiranës. Për këtë qëllim, kjo drejtori u mbështet edhe me personel rezervë. Falë masave të jashtëzakonshme të marra nga drejtuesit e policisë së Tiranës, Durrësit etj. U bë e mundur të përballohet ngarkesa e shërbimit rutinë, pa krijuar boshllëqe te detyrat e zakonshme në shërbim të ruajtjes së rendit dhe të qetësisë publike, dhe jo vetëm në Tiranë… Aq i vërtetë është ky fakt, saqë në këto ditë, kriminaliteti dhe cenimi i rendit e sigurisë publike në Tiranë ka qenë në shifra më të ulëta se në ditët e tjera të zakonshme.

A ka dhënë ndihmë policia në hetimin e tragjedisë së Gërdecit dhe ku ka konsistuar ajo?

Që në krye të herës, dua të them se veprimi i të gjithë strukturave të shtetit ka qenë i menjëhershem, i gjithanshëm dhe Policia e Shtetit reagoi me tërë forcat dhe mjetet e saj. Në situata ta tilla tragjedie, ruajtja e gjakftohtësisë në veprime operacionale është e domosdoshme. Përsa i përket hetimit të kesaj tragjedie, së pari, ne siguruam të dhënat paraprake të përgjegjësve kryesorë të ngjarjes. Njësitë speciale të hetimit u dislokuan në Spitalin "Nënë Tereza", Spitalin Ushtarak, në atë të Durrësit e Krujës për të mundësuar evidentimin dhe pyetjen e të gjithë të dëmtuarve. Prokuroria e Përgjithshme, e pranishme në vendin e ngjarjes kishte ngritur menjëherë grupin e prokurorëve që do të hetonin këtë ngjarje të rëndë. Janë marrë deklarime që tregojnë rrethanat e hetimit të ngjarjes nga pjesa më e madhe e të plagosurve, si dhe banorë të zonës, punëtorë e specialistë të fabrikës së çmontimit të muncioneve në Gërdec.

Gjithashtu, specialistët e hetimit të policisë kanë bërë filmimin dhe fotografimin e vendit të ngjarjes nga lartësia me helikopter, e masa të tjera komplekse e të domosdoshme në ndihmë të hetimit të personave përgjegjës për tragjedinë. Një grup oficerësh të hetimit janë dislokuar në Morgun e Tiranës, të cilët në bashkëpunim me ekspertët e Mjekësisë Ligjore kanë bërë identifikimin, këqyrjen e jashtme si dhe autopsinë e kufomave të dërguara në morg.

Si rezultat i hetimeve të deritanishme, policia ka ndaluar tre shtetas, në zbatim të urdhrave të lëshuar nga prokuroria, që siç dihen janë: Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli dhe Ylli Pinari. Ndërkohë që vazhdon pyetja e personave të tjerë që kanë lidhje direkt dhe indirekt me nngjarjen e Gërdecit. Tashmë dihet se Prokuroria e Përgjithshme po heton këtë proces hetimor për të zbardhur tragjedinë e Gërdecit dhe për t‘i dhënë drejtësisë të gjithë fajtorët. Në dispozicion të prokurorisë janë vënë të gjitha njësitë e specializuara të hetimit të Policise se Shtetit, për të kryer çdo detyrë që ata delegojnë në hetimin e plotë, të shpejtë e të gjithanshëm të kësaj çështjeje komplekse.

Në ç‘gjendje gatishmërie është aktualisht policia?

Sigurisht, që forcat e policisë të qarkut të Tiranës e Durrësit, u vendosën në gjendje gatishmërie të lartë e të përforcuar. Kjo gatishmëri vazhdoi për të stabilizuar situatën emergjente të krijuar dhe mbi të gjitha, për të menaxhuar territorin në fjalë dhe më gjerë, në të gjithë vendin, për të parandaluar elementët kriminalë, që sikurse thashë, aktivizohen në të tilla raste. Po për këtë qëllim, në të gjitha drejtoritë e qarqeve u dhanë udhëzimet përkatëse për të rritur veprimtarinë e strukturave të policimit në komunitet dhe të kontrollit e patrullimit në akset kryesore të vendit. U.Bajrami



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›