E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanadezët "thajnë" Patos-Marinzën

Kanadezët po përpiqen të shfrytëzojnë në maksimum koncesionin për vendburimin e Patos-Marinzës për të marrë sa më shumë të munden nga rezervat e naftës në këtë vendburim. "Bankers Petroleum" njoftoi se ka bërë gati planin, që në tre vitet e ardhshme të investojë plot 370 milionë dollarë në fushën e Patos-Marinzës. E gjithë kjo bëhet për të rritur prodhimin e naftës, i cili gjatë viteve të fundit po shënon nivele maksimale. E nxitur edhe nga rezervat e konsiderueshme të naftës në Patos-Marinzë, "Bankers" ka rishikuar edhe strategjinë e saj të prodhimit, duke rritur më tej ambiciet e saj. Më parë kompania kishte parashikuar që në fund të vitit 2010 të arrinte në 10 mijë fuçi në ditë, por objektivat e vendosur së fundmi janë që në fund të vitit 2010 prodhimi të arrijë në 20 mijë fuçi në ditë. E konvertuar në shifra me çmimet aktuale të naftës, ku një barrelë po shitet me më shumë se 50 dollarë, i bie që në fund të vitit 2010 "Bankers" të nxjerrë në Patos plot 1 milion dollarë në ditë prodhim. Aktivitetet e planifikuara për tre vitet e ardhshme parashikojnë riaktivizimin e 250 puseve ekzistuese, si edhe shpimin e 60 puseve të rinj horizontal dhe vertikal. Objektivat e prodhimit janë 7 mijë fuçi në ditë për 2008-ën, 14 mijë për 2009-ën dhe 20 mijë për 2010-ën. Krahas këtyre, kompania ka marrë së fundmi të drejtën e shfrytëzimit edhe të fushës naftëmbajtëse të Kuçovës, duke blerë 50 për qind të aksioneve të "Privatco". Mësohet se për Kuçovën shoqëria kanadeze ka një tjetër plan rezervë.

Të ardhurat

Me një prodhim prej 20 mijë fuçish në ditë, Patos-Marinza shndërrohet ndoshta në biznesin më fitimprurës në Shqipëri. Me çmimet aktuale prej 50 dollarësh për fuçi që shitet nafta shqiptare në Itali dhe me një prodhim ditor prej 20 mijë barrelash, për një vit të ardhurat e "Bankers" arrijnë në rreth 350 milionë dollarë. Për 25 vjet, aq sa është dhe koncesioni i "Bankers", me këtë sasi prodhimi Patos-Marinza do të gjenerojë gati 8.5 miliardë dollarë të ardhura. Kjo shifër është e barabartë me 80 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë

Si ndryshuan planet

Aktualisht, kjo shoqëri prodhon rreth 6 mijë fuçi në ditë nga 3800 që prodhonte në vitin 2006. "Bankers Petroleum" vepron në Shqipëri nëpërmjet filialit të saj "Saxon". Në verën e vitit 2004, "Albpetrol" i jep "Saxon" një licencë 25-vjeçare për zhvillimin e zonës së Patos-Marinzës, e cila prodhonte rreth 13 mijë barrela në ditë në kohën e saj më të mirë në vitet 1960. Në mars të vitit 2006, "Saxon" paraqiti edhe planin e saj të zhvillimit, ku kishte parashikuar që deri në vitin 2010 të investonte rreth 213 milionë dollarë. Por, zhvillimet e fundit në tregun ndërkombëtar të naftës, ku çmimet po vendosin rekorde të reja nga dita në ditë, duket se e ka shtyrë "Bankersin" që të rishikojë planet e saj të investimeve. Për rrjedhojë, vetëm dje kompania bëri publik lajmin se do të investojë më shumë se 370 milionë dollarë deri në 2010-ën. Synimi është që të kalohet çdo rekord i prodhimi të naftës në vend. Patos-Marinza është zbuluar në vitin 1926 dhe ka rreth 2500 puse nafte. Vlerësohet se në këtë fushë ka më shumë se 1.96 miliardë barrelë naftë origjinale në vend.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›