E Shtunë, 31 Tetor 2026

PADITURIA QEVERISëSE Në PRANVERëN E PëRZHITUR

Në këtë hapësirë të bukur të klimës mesdhetare, rrethinat e Tiranës kanë shkundur nga supet peizazhin e zymtë dimëror dhe zgjimi magjepsës i natyrës po i lulëzon me gjithfarë ngjyrash pranverore. E gjelbra zotëron. Ëmë e bir, pranë e pranë, prehen prej dy javësh në një varr në fshatin Gërdec, mbi të cilin tashmë e gjelbra e barit rreket të mbulojë sa më parë të kaftën e tokës. Flavio 3-vjeçar nuk e gëzoi këtë pranverë. Atë, bebin 6-muajsh në barkun e nënës dhe mamanë e tij, i vranë. Bashkëshorti dhe babai, me siguri, nga pakot e parave që ju dhanë në një organizim të turpshëm për transmetim televiziv, ka ndarë një sasi për t‘u bërë nga një varr. Ata pak njerëz që kanë ngelur në Gërdec e Marqinet, kalojnë mospërfillës në rrugët e çliruara nga gjallëria e jetës, nga bagëtitë e kafshët shtëpiake, që në shumicë janë shfarosur. Askush s‘e ka mendjen të shijojë lulëzimin e natyrës. Sythet në shpërthim të luleve të mollës e të pjeshkës, prej shpërthimit dergjen të përzhitura poshtë trungjeve e njerëz të djegur e përzhitur dergjen në spitalet e katër shteteve, të ndodhur midis jetës e vdekjes, diku nën përkujdesjen e mjekëve e diku të harruar në fatin e tyre të dhimbshëm.

"Delijorgjin s‘e kemi parë kurrë të qeshë...", pohon një nga punëtorët - skllevër të "fabrikës së vdekjes" - por operatorët e TV-ve, ngujuar prej orësh në dyert e jashtme të Gjykatës së Tiranës, mundën t‘i përcillnin popullit pamjet e buzëqeshjes së Delijorgjit, duke hyrë në gjykatë. "Cinike", nxituam të gjithë për ta cilësuar qeshjen e tij dhe vërtet e tillë është. Po me kë don të tallet vallë Delijorgji? Me prokurorët që do rreken t‘i nxjerrin ndonjë pohim nga lidhjet e tij kriminale, me trupin gjykues për t‘i treguar që masa e sigurisë nuk do ndikojë në humorin, apo mosbuzëqeshja cinike i drejtohej administratës së burgjeve, për t‘u thënë se ata nuk do të jenë të aftë t‘i refuzojnë kërkesën për krijimin e kushteve komode në qelinë e paraburgimit? Gjyqi për masën e sigurisë u zhvillua me dyer të mbyllura, por u mor vesh se ai nuk e kish quajtur veten fajtor për krimin e përbindshëm. Ende nuk dihet nëse dy të pandehurit e tjerë e njohin apo jo natyrën e cilësinë e aktit të tyre. Kanë kaluar ditë e ditë të tjera nga koha kur zemërimi e urrejtja e popullit ishte e pamatë, ndërkohë që nuk është gjetur ndonjë i dyshuar tjetër për fajtor në këtë tragjedi.

Askujt e në asnjë regjim nuk i njihet e drejta të marrë qoftë edhe një minutë nga jeta e tjetrit. Në Gërdec nuk u morën minuta, por jetët e 28 shpirtrave njerëzorë e me dhjetëra të tjerë luhaten ende midis jetës e vdekjes, u rrënuan mijëra shtëpi e katandi, u shpërfytyrua harta fizike e territorit. Nga orgjia e lakmisë për pasuri, ndodhi ajo që ndodhi dhe shumëkush pyet me të drejtë: Pse tre? Pasi njihesh me lëndën investiguese që jepet nga mediat, mbledh supet i çuditur e pyet përsëri: Pse vetëm tre? Ka një bindje te shumica popullore se të paktën jo nga veprimi, por nga mosveprimi i paaftësisë së qeverisjes, në tërësi të të gjitha strukturave administrative përgjegjëse, fajtorët janë ku e ku më shumë se tre. Prokurorëve u ka mjaftuar koha të shkelin juridikisht territorin ku mbartësit e krimit kërkonin të pasuroheshin: grabitje me anë të ligjeve e vendimeve, shfrytëzimi dhe sundimi me postet shtetërore. E gjithë veprimtaria përfshin sferën e gangsterit. Ky është territori i njeriut të paskrupullt, që pak gjasa kishte të zbulohej, po qe se ngjarja nuk do shoqërohej me pirgje kufomash e viktima fatkeqësh. Ashtu si populli, dhe prokuroria e sheh se në krye të krimit në Gërdec qëndronin "humanitarët", që e filluan punën me deklarata dashurie për popullin (do t‘u demontonin armët, rrezik për jetët ) e që përfundoi me një det gjaku.

Pyetja që gërvisht ndërgjegjet tona prej dy javësh është: Kush na drejton? Kush i lejoi këta gangsterë, që nga ana e tyre i lejuan vetes të pasuruarit me çdo çmim edhe nga ai i shkeljes flagrante të rregullave, që ndërtojnë ushtrinë dhe shfrytëzimin e fëmijëve në punë, që nuk u përkasin as të rriturve, por vetëm specialistëve të formuar? Seç kam një bindje se dhe ushtarët e Haxhi Qamilit në vitin e parë të mbrapshtë të historive që kanë shoqëruar shqiptarët, i kanë ndërtuar më mirë sjelljet me armët. Lexonjës i nderuar! E dëgjuat ish-ministrin e Mbrojtjes se si në fjalën e largimit, duke e mbajtur veten për më të ditur, ky megaloman e këshillon pasardhësin më të ri në moshë që "...të merret edhe me vogëlsirat". Me "Vogëlsira" unë kuptoj atë praktikën shkresore me Shtabin e Përgjithshëm për zgjedhjen e vendit të demontimit, miratimit "rutinor" që i ka bërë kërkesës së Delijorgjit për zgjedhjen e Gërdecit si vend të demontimit. E shihni të nderuar lexues se sa cinizëm e shfaqje sigurie kanë këta mëkatarë! Nga thua u buron kjo siguri? Prokurorët e çështjes besoj se e dinë, se nuk është nevoja që për t‘u marrë në hetim domosdo duhet të provohet se është pjesë e aferave korruptive. Mjafton vetëm veprimi (ose mos veprimi) për ngritjen e të ashtuquajturës fabrikë në zemër të një zone të mbipopulluar, 700 metra larg nga arteria magjistrale më e rëndësishme e shtetit shqiptar, 5 kilometra larg nga i vetmi aeroport ndërkombëtar i vendit, atje ku një mori biznesesh nga më të fuqishmet kryenin veprimtarinë e tyre, që prokuroria të bënte kërkesën për heqje të imunitetit. I nderuar prokuror! Vepro, vepro sa të jetë e mundur më shpejt. Të lutem qetësoje këtë popull të vrarë dhe të vdekurve të krimit jepu paqen në prehje. Cilësojeni vendndodhjen e topit: në fushën e Ministrisë së Mbrojtjes, apo ndodhet në fushën e Shtabit të Përgjithshëm. Qetësojeni popullin ju përfaqësues të mbrojtjes së ligjit, që ka filluar të frikësohet se ju nuk do të arrini dot deri tek ata. Populli do drejtësi të shpejtë, jo zvarritje e përtaci. Deri tani opinioni i gjerë nuk ju ka paragjykuar, por kjo do ndodhë nëse nuk veproni shpejt për të zgjeruar më tej rrethin përgjegjës të atyre zagarëve që mbahen me rrogë nga shoqëria. Vërtet është për momentin e vështirë që të provohet me anë dokumentesh ekzistenca në pronësi apartamentesh 250 metrash katrorë, shuma e blerjes së të cilit një rrogëtari do t‘i kërkonte punën e 200 viteve, se e tillë është rrokopuja e gjendjes së pronave në Shqipëri, por është e nevojshme që hetimet e veprimet t‘i sillni në nivelin e demokracisë që kërkojmë të arrijmë.

Qytetarëve të zonës së dëmtuar, të pafrymëzuar nga ndjenja e detyrës për t‘i dalë vetes zot, nuk u kërkohet të rrëmbejnë sfurqet, por të shkundin plogështinë e të kërkojnë drejtësi, të kërkojnë që banesat e tyre, jo me paratë e qeverisë, se ajo nuk pjell para, por me taksat e shqiptarëve, një orë e më parë të rindërtojnë shtëpitë. Të mos vihen në radhë për të marrë ndihma në lekë, ushqime e veshmbathje, por të ndërgjegjësojnë njerëzit se vepra tragjike e Gërdecit shfaqet si një paralajmërim ogurzi për njerëzit, me qëllim që të nxjerrin më të mirën. Përgjegjësia e tyre, e popullit shqiptar në tërësi, qëndron në vendosmërinë që duhet të arrijmë, që ky krim të mos i lërë të nënshtruar ndaj fatit, por t‘i çojë në liri. Por një gjendje e re shoqërore nuk triumfon vetiu. Atë duhet ta arrijmë vetë ne, me vendosjen e përshtatjen e kushteve të reja të funksionimit të ligjit e të mirëqeverisjes. Nëse do të ishte e vërtetë që edhe në të ardhmen qeverisja të lejojë që njerëzit të mund të realizojnë pasuritë e tyre me gjakun e të tjerëve, me shpërdorimin e pushtetit qeverisës, duke kthyer njerëz në viktima e fatkeqë, do të bëheshim shumë shpejt edhe ne kafshë kurbani të atyre krijesave që duan të jetojnë me gjakun tim e të bashkatdhetarëve të mi. Një komb nuk mund të jetë i fortë kur qytetarëve të tij u ka humbur energjia dhe janë bërë të flashkët e të qullët.

Dua ta mbyll këtë opinion me një nga thëniet e A. D. Tocqueville: "Një qytetar që shtypet, nuk ka veçse një mënyrë për t‘u mbrojtur, në qoftë se të tjerët janë të shurdhët, t‘i drejtohet shtypit... Shtypi është instrumenti demokratik i lirisë". E gjithë kjo thënie e provoi edhe njëherë veten në qëndrimin e shtypit ndaj tragjedisë së Gërdecit. Shumë qeveritarë do të kishin dashur shumë t‘ia mbyllnin gojën, por ja që s‘arritën dot. Pavarësisht etiketimeve, shtypi jo që s‘u tut, por ishte disa hapa para organeve hetimore.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›