Vizita e Fenit në Beograd mesazh për Shqipërinë
Autori i Lajmit: Androkli DraloHong-Kong, 27 qershor 1978 – Kina ka sinjalizuar shqetësimin e saj për të ardhmen e Evropës Lindore dhe marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik me një mesazh të pazakontë dërguar Kongresit të Partisë Komuniste Jugosllave dhe një vendim të lajmëruar nga Kryetari i PKK-së, Hua Kuo Fen, për të kryer një vizitë të paprecedent në Jugosllavi dhe Rumani. Këto lëvizje të fundit të Pekinit, që kanë për synim forcimin e marrëdhënieve me këto dy vende të Evropës Lindore, reflektojnë njëkohësisht dhe pasigurinë se çfarë do të ndodhë pas vdekjes së presidentit jugosllav, Josif Broz Tito, dhe marrëdhënieve tashmë të prishura me Shqipërinë, ish-aleaten e saj më të afërt evropiane. Agjencitë perëndimore të lajmeve në kryeqytetin jugosllav, Beograd, thonë se burime të rëndësishme të Partisë Komuniste Jugosllave kanë konfirmuar planin e Hua Kuo Fenit për të vizituar Beogradin dhe Bukureshtin gjatë muajit gusht, edhe pse Pekini nuk ka konfirmuar asgjë rreth këtij udhëtimi deri në këto momente. Kjo do të ishte hera e parë që një kryetar i Partisë Komuniste Kineze të udhëtojë në perëndim të Moskës. Lëvizjet e vetme të kryetarit të mëparshëm, udhëheqësit Mao Ce Dun, ishin vetëm dy udhëtime jashtë Republikës Popullore të Kinës. Partia Komuniste Kineze i prishi marrëdhëniet me homologët e tyre jugosllavë më shumë se 20 vjet më parë kur Beogradi refuzoi stalinizimin dhe nisi të eksperimentonte masat e saj ekonomike, të cilat konsideroheshin jokonformiste nga kinezët. Marrëdhëniet dypalëshe u ngrohën këto vitet e fundit, pasi Pekini iu bashkua Beogradit në luftën e tyre kundër sovjetikëve dominues. Vizita e Titos në Pekin vitin e shkuar solli sinjalet e rivendosjes së marrëdhënieve ndërpartiake. Një mesazh i ngrohtë javën e shkuar nga Komiteti Qendror Kinez për Kongresin XI të Lidhjes së Komunistëve, asamblesë së partisë së Beogradit, duket se është një sinjal që lajmëron shërimin e plagëve të ndarjes së gjatë. Kinezët duket se janë të interesuar edhe për huazimin e disa prej metodave industriale me nuanca kapitaliste jugosllave. Gazetarët jugosllavë kanë raportuar eksperimentet kineze me sistemin e Beogradit në përcaktimin e çmimeve dhe vendimet për produktet nga fabrika të veçanta. Kinezët kanë thënë shumë pak rreth këtij mekanizmi, i cili mund të thyejë kontrollet e ngushta të inflacionit nga Pekini. Tito, sot 85 vjeç, ishte në gjendje të mjaftueshme fizike për tiu drejtuar kongresit te Beogradit dhe pasardhësit e tij të mundshëm nuk ka shumë gjasa që të bëjnë atë, së cilës Pekini i frikësohet më shumë – zhvendosja e Jugosllavisë sërish në kampin sovjetik. Por Hua Kuo Feni dhe pjesa tjetër e udhëheqjes kineze, me sa duket, duan të bëjnë atë që kanë mundësi në këto momente për të përmirësuar marrëdhëniet me ata që mund të marrin vendin e Titos. Shqiptarët reaguan me zemërim të heshtur për shpeshtimin e kontakteve të Pekinit me Beogradin, që nuk është gjithmonë fqinji i saj miqësor. Ata kanë kundërshtuar gjithashtu dhe marrëdhëniet e reja të Kinës së Kuqe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke preferuar ditët e shkuara, kur shqiptarët dhe kinezët bashkoheshin së bashku me të njëjtën ashpërsi për të denoncuar të dy superfuqitë. Shqipëria e Enver Hoxhës nisi një tjetër breshëri në drejtim të Pekinit ditën e shtunë me një artikull që duket se mbështet Vietnamin në grindjen e tij të ashpër me Kinën për trajtimin e kinezëve etnikë jashtë vendit. “Askush nuk ka të drejtë të shfaqë presione dhe kërcënime” kundër Vietnamit, - shkruante gazeta zyrtare e Partisë së Punës, “Zëri i popullit”. Edhe pse ajo nuk e përmendi Kinën me emër, gazeta e botoi komentin e saj menjëherë sapo Pekini bëri kritika të ashpra në drejtim të Hanoit se po vononte një evakuim të planifikuar nga deti të kinezëve etnikë nga Vietnami. Kinezët e vlerësojnë veçanërisht shumë ndikimin e Titos, si një nga themeluesit dhe zërat më me ndikim në lëvizjen e vendeve të paangazhuara. Pekini ka qenë kundër kubanëve për përfshirjen e tyre ushtarake në Afrikë në interes të Moskës. Kinezët e duan Kubën të përjashtuar nga lëvizja e vendeve të paangazhuara, me arsyen se ata janë shumë pranë me Moskën, duke drejtuar kështu një goditje kundër ndikimit sovjetik në vendet e Botës së Tretë. Titoja nuk e ka vërtetuar publikisht një rrugë të tillë, por ai dhe ndihmësit e tij kanë folur hapur kundër përpjekjeve për të “riorientuar” lëvizjen e vendeve të paangazhuara, në mënyrë që ajo të kundërshtojë vetëm Perëndimin dhe jo bllokun sovjetik. Agjencia zyrtare e lajmeve të Pekinit i botoi me një entuziazëm të veçantë këto deklarata. Udhëtimi i Hua Kuo Fenit në Evropën Lindore do të ishte udhëtimi i tij i dytë i njohur jashtë territorit të Kinës, pas vizitës në Korenë Veriore më herët këtë vit. Disa nga analistët këtu në Hong-Kong mendojnë se gatishmëria për të marrë udhëtime kaq të largëta tregon se Kryetari i Partisë ndihet më i sigurt me shokët e tij të udhëheqjes, si zëvendëskryetari i partisë, Ten Hsiao Pini, pavarësisht shenjave se Feni dhe Teni kanë pikëpamje të ndryshme për shumë çështje të brendshme që shqetësojnë Kinën.
Vizita në Pekin
Presidentit jugosllav, Josif Tito, dikur i denoncuar nga udhëheqësit kinezë si armiku kryesor i lëvizjes së botës komuniste, iu rezervua një pritje madhështore ditën, kur ai mbërriti në kryeqytetin kinez, Pekin, në vizitën e tij të parë në këtë vend një vit më parë. Dhjetëra mijëra njerëz, përfshirë dhe Kryetarin e Partisë Komuniste Kineze, Hua Kuo Fen, i uruan mirëseardhjen udhëheqësit 85-vjeçar jugosllav pas mbërritjes së tij nga kryeqyteti koreanoverior, Peniani, në etapën e tretë të turit të tij 15.000 miljesh që e çoi gjithashtu Titon dhe në Bashkimin Sovjetik. Sot, atij Kina po i vjen rrotull, duke i thurur elozhe se ai ishte udhëheqësi që kishte guximin ti rezistonte dominimit sovjetik. Kokëfortësia, pragmatizmi dhe pavarësia që mishëron marshalli Tito janë bërë më të pranueshme për udhëheqësit kinezë, sesa debati i tyre me Moskën dhe këto muajt e fundit nga zyrtarët kinezë nuk kanë munguar as lëvdatat për mënyrën e udhëheqjes së tij në botën e mosrreshtimit. Turi aziatik i Titos, që kulminoi me mbërritjen e tij në Kinë është reklamuar nga media jugosllave si “ngjarja e vitit”. Analistët kanë theksuar se ai do të ishte kreu i parë i shtetit që viziton Pekinin që prej urgjencës për një udhëheqës të ri kinez në Kongresin e 11-të të Partisë Komuniste. Kjo vizitë shënoi gjithashtu dhe kontaktin e parë të drejtpërdrejtë mes liderëve të Kinës dhe Jugosllavisë, dy vendeve të para që u ndanë me bllokun sovjetik.
Ky lajm është publikuar: 12/01/2010