E Shtunë, 31 Tetor 2026

Josipoviç premton luftë kundër korrupsionit

Autori i Lajmit: RedaksiaZagreb – Fituesi i zgjedhjeve presidenciale në Kroaci, kandidati socialdemokrat i opozitës, Ivo Josipoviç, ka premtuar se do të luftojë korrupsionin dhe do të udhëheqë vendin drejt Bashkimit Evropian. Duke iu drejtuar përkrahësve të tij pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve, zoti Josipoviç tha se të gjithë qytetarët kroatë dëshironin të jetonin në një vend ku puna shpërblehej dhe krimi ndëshkohej. Zoti Josipoviç, kompozitor dhe akademik drejtësie, fitoi pak më shumë se gjashtëdhjetë për qind të votave në raundin e dytë të zgjedhjeve kundër kryetarit të Bashkisë së Zagrebit, Milan Bandiç. Ivo Josipoviç ka fituar 60.29 për qind të votave, e Milan Bandic 39.71 për qind. Për Josipoviçin votën e dhanë 1,339,015 shtetas kroatë, ndërkohë që për Bandiç votuan 881,767, njoftoi të dielën në mesnatë Sekretaria Shtetërore e Zgjedhjeve. “Ky është fillimi i diçkaje të re”,- pohuan njëzëri të dielën mbrëma në Shtëpinë e stërmbushur të Gazetarëve anëtarët e SDP, HNS dhe HSU, të cilët kishin ardhur ta mbështesnin fituesin. Pritjet nga presidenti i ri janë të mëdha, kështu që i mbetet atij që të dëshmojë se nga fjalët e programit të tij ambicioz mund të kalojë në vepra. Qasja e qetë dhe jokonfliktuale gjatë fushatës Josipoviçin e shfaqi si njeri që është vështirë të provokohet, dhe i cili më me dëshirë do të bjerë në gjumë sesa të reagojë pa menduar. Këto janë karakteristika që do të mund të ishin tejet të dobishme në përmirësimin e marrëdhënieve me fqinjë – si me Slloveninë Bosnje e Hercegovinën dhe Serbinë. Biografia e Josipoviçit flet për këmbënguljen dhe ambicien e tij, të cilat do ti ndihmojnë që të bashkëjetojë me qeverinë. Të dielën mbrëma ishte nën stres, dhe mundohej ti fshihte emocionet, gjë që u komentua se “me sa duket, presidenti i ri nuk di të gëzohet si duhet”. Qartazi, Josipoviç është edhe njeri që di të kontrollohet, veti kjo që do ti duhet kur ti ekspozohet tensioneve. Koketimi i tij me një bazë më të gjerë zgjedhore sesa ajo e opsionit të majtë politik tregoi se është i gatshëm për kompromise për të arritur synimet. Si intelektual dhe njeri që karrierën e ndërtoi me shumë durim dhe mund, Josipoviç me gjasë fillimisht do të përkujdeset për ekipin e tij këshillëdhënës, e pastaj do të merret me trajtimin e obligimeve të presidentit të vendit. Qytetarët presin që ai ti njohë dëshirat e tyre dhe ti mbështesë atje ku e lejojnë kompetencat që i gëzon tash e tutje. Pas shpalljeve të rezultateve zyrtare të zgjedhjeve presidenciale, presidenti i ri kroat kremtimin e vazhdoi në restorantin zagrebas Stari Fijaker, ku iu bashkëngjit edhe, tashmë, ish-presidenti, Stjepan Mesiç. Mesiç në darkën festive erdhi i përcjellë nga vajzat e tij, Sasa dhe Dunja Mesiç. Ndërkaq, në restorant ishin prezentë edhe kolegët e Josipoviç nga SDP, Milanka Opaciç, Ingrid Antiçeviç-Marinoviç, Zoran Milanoviç, Ivo Jelusiç, Igor Radjeenoviç, Nenad Staziç, Ranko Ostojiç, Tonino Picula, Mirando Mrsiç...

Rezultati

Askush nuk e parashikoi një fitore kaq të thellë

Edhe pse të gjitha anketat parashikonin fitoren e Josipoviçit, askush nuk priste që Bandiç të humbte aq bindshëm. Megjithatë, kampi i tij zgjedhor u pajtua me humbjen që në orën 19:01, kur u publikuan rezultatet e exit-poleve. “I uroj kolegut Josipoviç dhe dëshiroj që të jetë president i të gjithë qytetarëve, pavarësisht ngjyrës, religjionit, bindjeve... pra, që të jetë president i të gjithëve. Tani po u kthehem obligimeve në qytetin e Zagrebit, për çka më obligon mandati i kryebashkiakut të kryeqytetit, dhe që nga nesër jam në punë. Megjithëse do të di ta arsyetoj dhe sdo ta tradhtoj këtë kapital prej 900,000 votave”, ishin fjalët e para të Milan Bandiç, pas publikimit të rezultateve zgjedhore që treguan se ai e humbi garën nga Ivo Josipoviç. Por, Bandiç nuk u shfaq në kampin e tij zgjedhor deri në mesnatë, që ishte një shenjë se ai nuk i vlerëson shumë votuesit, e as bashkëpunëtorët që me të punuan muajve të fundit, ishin komentet e komunikologes, Liljana Buhaç.

Ky lajm është publikuar: 12/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›