E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizita e Karamanlis, çamët në protestë

Ambasada Greke nuk i jep përgjigje kërkesës së shoqatës "Çamëria", për një takim të kërkuar nga kjo shoqatë me Kryeministrin grek, Kostas Karamanlis.


Konfuzioni i qeverisë me datën e vizitës, solli që çamët të protestonin dje në shesh

TIRANË- Qeveria ka shmangur me dinakëri kokëçarjen që mund t'i krijonte komuniteti çam gjatë vizitës dyditore, që do të nisë sot në Tiranë kryeministri grek, Kostas Karamanlis.

Ajo ka mundur që të evitojë protestat e çamëve në ditën e sotme, duke i mashtruar deri diku ata me datën se kur do të niste vizita e kreut të ekzekutivit helen, duke i nxjerrë në shesh një ditë para.

Ka qenë vetë kreu i partisë së çamëve, PDI, Tahir Muhedini, ai që ka konfirmuar dje për "Shekulli"-n se nga ana e qeverisë ka pasur një paqartësi të plotë lidhur me datën fikse se kur Kryeministri grek do të mbërrinte në Tiranë, duke i deklaruar një herë datën 26 dhe një herë tjetër datën 27 prill.

Për këtë arsye, shoqata "Çamëria" dhe PDI-ja janë detyruar që të organizojnë komunitetin çam për të protestuar gjatë ditës së djeshme, ndërkohë, që vetëm dje qeveria ka bërë të ditur agjendën zyrtare të shefit të qeverisë greke.

Pavarësisht manovrave të qeverisë me datën, komuniteti i çamëve ka dalë dje në sheshin "Skënderbej", ku dhe ka protestuar në mënyrë paqësore kundër neglizhencës së qeverive respektive për t'u marrë me çështjen "çame", si dhe për t'i kujtuar opinionit publik dhe politik, brenda dhe jashtë vendit, se nuk mund të ketë bashkëpunim të sinqertë mes dy vendeve, në rast se kjo çështje nuk zgjidhet.

Ata kanë hedhur parulla si dhe kanë mbajtur pankarta në shqip dhe anglisht, ku kanë parashtruar kërkesat e tyre të përhershme.

Ata janë shprehur se vizita e kreut të qeverisë greke sot në Tiranë, duhet të shërbejë për sensibilizimin e politikës së dy vendeve për zgjidhjen përfundimtare të çështjes që ka mbetur ende peng e historisë.

Kryetari i PDI-së, Tahir Muhedini, në emër të protestuesve ka renditur edhe një herë kërkesat drejtuar qeverisë shqiptare dhe asaj helene, në thelb të të cilave është njohja e persekucionit grek kundrejt kësaj popullsie për vite të tëra, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Së pari, ky komunitet kërkon që të lejohen moshat e mëdha të shkojnë pranë varreve të të parëve të tyre për t'i nderuar.

Më pas të ngrihet një memorial në vendin ku nisi gjenocidi serb në Paramithi, në nderim të viktimave të pafajshme të popullsisë çame gjatë viteve 1944- 1945. Dhe së fundmi, çamët kërkojnë të nisin bisedimet mes dy qeverive, për zgjidhjen e çështjes së tyre, e cila, sipas protestuesve, do t'i shërbejë së tashmes e së ardhmes europiane të Shqipërisë e Ballkanit.

Për këtë arsye, kjo popullsi kërkon që Greqia të ratifikojë konventat për minoritetet, si dhe të aprovojë ligjin për konservimin e pronave. "Marrëveshjet e qeverisë shqiptare me atë greke, siç ishte ajo e ngritjes së dy varrezave të ushtarëve grekë, nuk do të jenë kurrë të mjaftueshme nëse nuk ka një zgjidhje të plotë për çështjen çame nga ana e shtetit fqinj", - tha Muhedini.

Ndërkohë, nga ana tjetër, pala greke duket se ka refuzuar kërkesën e shoqatës "Çamëria" për t'u takuar me Kryeministrin grek Karamanlis, gjatë vizitës që ai do të zhvillojë në Tiranë.

Muhedini ka bërë të ditur dje për gazetën, se shoqata "Çamëria", pak ditë më parë iu drejtua Ambasadës Greke në Tiranë me një letër, ku kërkonte të zhvillonte takim me Kryeministrin Karamanlis, gjatë kohës që ai do të qëndronte në Tiranë.

Por, në vend që të merrte një përgjigje pozitive, kësaj shoqate i është kthyer e njëjta letër, që shoqata "Çamëria" i kishte nis më parë. "Para disa ditësh i kemi nisur një letër Ambasadës Greke në Tiranë, ku i kemi kërkuar një takim me Kryeministrin Karamanlis, ku të bisedonim rreth çështjes sonë.

Por, si përgjigje nga ambasada kemi marrë vetëm një zarf, brenda të cilit ishte futur zarfi i pahapur, që ne i kishim nisur më parë me kërkesën për t'u takuar me Kryeministrin grek", - tha Muhedini.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›