E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Liberalizimi i vizave me vendet e Ballkanit i domosdoshëm”

26/04/2009  PE rezolutë për integrimin e Ballkanit Perëndimor

BE e shqetësuar për ndërhyrjen ndaj medies në këto vende

Parlamenti Evropian ka miratuar dje rezolutën për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Rezoluta, e cila parashikon anëtarësimin e vendeve që plotësojnë kriteret, është votuar me 305 vota. Parlamenti Evropian thekson se pas përmbushjes së kritereve nga vende që kërkojnë të anëtarësohen, nuk do të ketë më vonesa për pranimin e tyre. Gjithashtu ky institucion i rëndësishëm e konsideron tejet të rëndësishëm liberalizimin e vizave të vendeve të Bashkimit Evropian me Ballkanin, proces që do të bënte të mundur afrimin e këtyre vendeve me BE-në. Ndër të tjera rezoluta e miratuar dje në Strasburg konfirmon se anëtarësimi i këtyre vendeve në Bashkimin Evropian do të stabilizojë këtë rajon. Në mënyrë të veçantë rezoluta, e cila pati edhe 23 vota kundër dhe 12 abstenime, sqaron se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të plotësojnë kriteret e Kopenhagës dhe anëtarësimi i secilit vend në BE do të varet nga shkalla e plotësimit të këtyre kritereve. Shqetësimi i vetëm që shpreh Parlamenti Evropian, duke e parë ende si pengesë për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, janë pasojat e luftës në Ballkan. Gjithashtu parlamentarët evropianë shqetësohen edhe për ndërhyrjen poetike ndaj medieve në Ballkanit Perëndimor si dhe në ndërthurjen e interesave të biznesit, politikës dhe medies në këto vende. Rezoluta e Bashkimit Evropian në katër pikat e saj thekson zgjidhjen e çështjeve konfliktuale në Ballkan, plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave, bashkëpunimi me gjykatën e Hagës dhe bashkëpunimi ndërparlamentar mes Parlamentit Evropian dhe parlamenteve të vendeve ballkanike. Për sa i përket liberalizmit të vizave, PE-ja, pasi thekson rëndësinë që ka ky proces si një mjet për ta afruar popullin e rajonit me BE-në, kërkon mbi të gjitha nga vendet e rajonit që të heqin vizat për njëri-tjetrin sa më shpejt të jetë e mundur dhe më pas të plotësojnë kushtet individuale për heqjen e vizave. Në një pikë të rezolutës përmendet edhe favorizimi i të gjitha vendeve të rajonit lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave. Për këtë i kërkohet BE-së të shmangë krijimin e një situate ku të krijohen diferenca mes vendeve të Ballkanit. Rritja e fondeve për bursat e studimit të të rinjve të Ballkanit Perëndimor është një tjetër kërkesë e kësaj rezolute. Gjithashtu kërkohet të krijohet dhe një kornizë investimi për rajonin në vitin 2010, që do të koordinojë të gjithë fondet, huat, apo grantet që jepen nga BE-ja. Rezoluta e Parlamentit Evropian u përshëndet edhe nga deputeti i Partisë Demokratike Aleksandër Biberaj, i cili vlerësoi në mënyrë të veçantë qëndrimin francez për zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Vlerësimi

Partia Demokratike përshëndeti përmes deputetit të saj Aleksandër Biberaj rezolutën e miratuar dje nga Parlamenti Evropian. Deputeti vlerësoi në mënyrë të veçantë qëndrimin francez për zgjedhimin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Votimi

Rezoluta e PE-së, e cila u miratua me 305 vota pro, 23 vota kundër dhe 12 abstenime, sqaron se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të plotësojnë kriteret e Kopenhagës dhe anëtarësimi i secilit vend në Bashkimin Evropian do të varet nga shkalla e plotësimit të këtyre kritereve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›