E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryesia do të vendosë tre kandidatë për Tiranën

26/04/2009  PD, strategji për të mos ngelur me një kandidat në konferencën e kryeqytetit

Te drejtuesit demokratë ndihet frika për tërheqjen e Besnik Mustafajt

Zgjedhjet në degën kryesore të Partisë Demokratike, atë të Tiranës, pritet të përfundojnë javën e parë të muajit të ardhshëm. Pas shumë shtyrjesh konferenca e PD-së së kryeqytetit do të mblidhet, ku delegatët do të përcaktojnë drejtuesin e tyre lokalë. Në këtë garë garojnë rreth 20 kandidatë, por numri i tyre do të ulet ndjeshëm pas marrjes në shqyrtim nga kryesia e përgjithshme e PD-së. Krerët më të lartë të demokratëve do të mblidhen para zhvillimit të konferencës. Kupola blu do të vlerësojnë se cilët përmbushin kriteret e nevojshme. Mësohet se kryesia e PD-së do të caktojë tre kandidatë, të cilët do të përballen me votën e delegatëve. Njëri prej tyre është deputeti Besnik Mustafaj, i cili është vetëshpallur si kandidat për kreun e PD-së së Tiranës. Ndërkohë një tjetër kandidat është zëdhënësi i grupit parlamentar demokrat Aldo Bumçi, i cili ka marrë publikisht edhe mbështetjen e kryetarit të partisë, Kryeministrit Sali Berisha. Kryesia e PD-së, duke qenë se ndien mundësinë e tërheqjes nga gara, siç ka paralajmëruar dhe më parë gjatë një prononcimi, do të përcaktojë pikërisht tre kandidatë, në mënyrë që gara të vlerësohet si e hapur dhe ku mund të përballen platformat e garuesve. Besnik Mustafaj ka deklaruar pak ditë më parë se do të vlerësojë mundësinë e tërheqjes nga gara për kreun e PD-së së Tiranës, nëse do të shohë se nuk do të respektohen standardet për një garë të pastër, të lirë dhe demokratike. Nisur nga kjo deklaratë, drejtuesit e PD-së ndiejnë frikën për mungesën e garës mes më shumë se një kandidati. Zgjedhja e kryetarit të ri të PD-së së Tiranës do të mundësojë zëvendësimin e drejtuesit aktualë, ministrit të Transporteve, Telekomunikacionit dhe Punëve Publike Sokol Olldashi. Gjatë periudhës që PD-ja e Tiranës është drejtuar nga Olldashi, nuk kanë munguar në adresë të tij ankesat e shumta nga demokratët e kryeqytetit për mënyrën e mefshtë të drejtimit të degës, humbja spektakolare në zgjedhjet për pushtetin vendor të shkurtit 2007, ku ai ishte kandidat për kryetar të Bashkisë së kryeqytetit, si dhe distancën që ka krijuar me bazën, për shkak të largësisë që ai ka mbajtur.

Mësohet se deri në fillim të muajit maj duhet të përfundojë procesi i brendshëm zgjedhor në të gjitha degët, të cilat nuk kanë ecur përpara me ristrukturimin e tyre. Procesi për degën e Tiranës është bllokuar prej disa muajsh, megjithëse nga grup-seksionet janë propozuar shumë kandidatë, mes të cilëve ka ministra, zëvendësministra, deputetë, drejtorë të institucioneve të rëndësishme. Emrat e propozuar nga seksionet janë përcjellë në zyrën e organizimit të PD-së, e cila ia përcjell më tej kryesisë qendrore, ku jepet vlerësimi përfundimtar i secilit kandidat nëse është në përputhje me statutin e partisë. Menjëherë pas përfundimit të procesit zgjedhor do të nisë puna për përpilimin e listës së kandidatëve për deputetë, në funksion të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Zyrtarë të PD-së janë shprehur se ristrukturimi i degës së Tiranës është vlerësuar më vete, nisur edhe nga rëndësia e madhe që paraqet kryeqyteti, pasi ka popullsinë më të madhe në vend. Në bazë të sistemit të ri zgjedhor, proporcional-rajonal, nga Qarku i Tiranës dalin 32 deputetë për parlamentin e ardhshëm.

Organizimi

Statuti i PD-së thotë se kryesia e partisë mund të vendosë grupimin e disa seksioneve në njësi më të mëdha organizative. Seksionet përbëjnë celulën bazë të organizimit të PD-së. Në organizim përfshihen strukturat në rang rrethi, të cilat janë identike me rolin që luajnë degët aktuale në partisë. Në fund janë degët në rang qarku, që përbëjnë organizimin më të madh të partisë.

Kryetari i degës

Sipas nenit 27 të statutit, kandidaturat e dala për kryetar të degës i nënshtrohen një diskutimi dhe vlerësimi nga kryesia qendrore e partisë, e cila formulon përfundimisht propozimet për kandidaturat. Kryetari i degës përfaqëson anëtarësinë e partisë në territorin përkatës. Ai thërret dhe drejton mbledhjet e kryesisë, fikson rendin e ditës në bashkëpunim me sekretarin përkatës.

Kongresi i PD-së

Në maj mblidhet organi më i lartë vendimmarrës

Partia Demokratike do të mbledhë Kuvendin Kombëtar (Kongresin) e saj jo zgjedhor në mes të muajit maj. Mësohet se gjatë mbledhjes së organit më të lartë të kësaj force politike do të miratohet lista e kandidatëve për deputetë të ardhshëm për 12 qarqet e vendit. Burimet kanë bërë të ditur se ky kongres është parashikuar të mblidhet një javë deri në 10 ditë para nisjes zyrtare të fushatës elektorale, në funksion të zgjedhje të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Gjatë këtij kongresi do të miratohet strategjia elektorale që do të ndjekë PD-ja për të fituar zgjedhjet. Po ashtu Kongresi do të miratojë edhe programin qeverisës të Partisë Demokratike për katër vitet e ardhshme të drejtimit të vendit, nëse do të arrijë të fitojë këtë përballje të rëndësishme elektorale. Në këtë kongres PD-ja do të shprehet edhe në lidhje me ndryshimet statusore që u bënë në mbledhjen e kryesisë së përgjithshme në muajin tetor të vitit të kaluar, gjatë së cilës u vendos shkrirja e nëndegëve të partisë. Në statutin e PD-së thuhet se vendimin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar e merr Këshilli Kombëtar me propozimin e kryetarit të partisë ose të kryesisë qendrore. Sipas statutit, data e zhvillimit të Kuvendit dhe rendi i ditës njoftohen të paktën dy muaj përpara ditës së parë të Kuvendit. Në nenin 39 të statutit të PD-së sanksionohen kompetencat e Kuvendit Kombëtar. Ndër të tjera, Kuvendi vendos për programin e partisë dhe linjat kryesore të politikës së saj. Po ashtu, Kuvendi miraton statutin e partisë dhe ndryshimin e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›