E Diel, 1 Nëntor 2026

Socialistët nën komandën e këshilltarëve të huaj

26/04/2009  Përfaqësuesit e kompanisë amerikane nisin zbatimin e strategjisë

Ekspertët hebreut Finkelstejn trajnojnë e përfaqësuesit të PS-së në gjithë vendin

Përfaqësuesit socialistë kanë nisur trajnimin për të ekspozuar një imazh sa më perfekt në daljet e tyre publike në prag të hapjes zyrtare të fushatës elektorale. Janë pikërisht ekspertët e kompanisë amerikane të kontraktuar nga lidershipi i Partisë Socialiste për të menaxhuar fushatën elektorale të kësaj partie, sa i takon zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit, ata që kanë nisur trajnimet e përfaqësuesve socialistë. Aktualisht vëmendja e ekspertëve është përqendruar në dhënien e një imazhi të ri të Partisë Socialiste, dhe kjo sidomos gjatë daljeve publike të përfaqësuesve socialistë. Nga ana tjetër, përmirësimi i imazhit nuk lidhet vetëm me Partinë Socialiste këtu në qendër, por dhe në degët e saj në rrethe. Për këtë arsye, pjesë e këtyre trajnimeve janë dhe drejtuesit socialistë në rang vendi. Sikundër bëhet me dije, menjëherë pas ardhjes në kryeqytet të këshilltarëve të kësaj kompanie, është punuar më së shumti te mënyrat që duhen përzgjedhur për ta përcjellë në formën e duhur te publiku mesazhin e kësaj partie. Prandaj gjatë këtyre ditëve në selinë rozë janë intensifikuar takimet mes ekspertëve dhe përfaqësuesve socialistë, me qëllim që në çeljen zyrtare të fushatës elektorale të jenë mirëkoordinuar të gjithë komponentët që do të jepnin produktin e ideuar nga kjo kompani lidhur me këtë fushatë. Vetëm pak kohë më parë këshilltarët “Kidron Strategies” mbërritën në PS, duke u njohur fillimisht me panoramën që përfaqëson kjo parti, si dhe veçantitë e saj. Mësohet se disa prej këtyre këshilltarëve kanë dhënë kontributin dhe eksperiencën e tyre gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve lokale të 2007-s për rimandatimin e Edi Ramës në krye të bashkisë së metropolit shqiptar. Kompania “Kidron Strategies”, e drejtuar nga amerikano-izraeliti George Birnbaum, i është sugjeruar kreut socialist Rama, i cili më pas dhe e përzgjodhi nga këshilltari i tij i besuar, që menaxhoi dhe fushatën elektorale për pushtetin vendor të 2007, Arthur J. Finkelstein. Ndërkohë që përpara ardhjes së ekspertëve të kompanisë amerikane PS-ja pati vendosur që debatet publike gjatë ditëve të ethshme elektorale të improvizohen paraprakisht mes radhëve të lidershipit socialist. Kështu, të diktuar nën përvojën e ekspertëve italianë, deputetët dhe ekipi drejtues i Partisë Socialiste patën ideuar disa përballje, e këto jo në publik, mes tyre dhe kundërshtarëve politikë. Ishte pikërisht takimi mes disa deputetëve, drejtuesve politikë të PS-së dhe ekspertëve të huaj pak kohë më parë në qytetin e Durrësit që u mor pikërisht me këtë pjesë të përgatitjeve në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Çështjet më të debatuara gjatë këtyre katër vjetve qenë pjesë e debateve të improvizuara gjatë këtij trajnimi.

Kompania “Kidron Strategies”

Kjo kompani, e drejtuar nga amerikano-izraeliti George Birnbaum, ishte zgjedhja e amerikano-izraelitit Arthur J. Finkelstein, i cili, edhe pse jozyrtarisht, njihet si këshilltari i kreut të PS-së Edi Rama. Kompania merret me sondazhet politike dhe zgjedhore dhe me menaxhimin e zgjedhjeve elektorale. George Birnbaum ka qenë edhe drejtor i përgjithshëm i kompanisë së njohur “Worldwide”, me mbështetje të gjerë në SHBA dhe në Izrael. George Birnbaum së bashku me “Arthur J. Finkelstein and Associates” kanë drejtuar edhe fushatën elektorale të ish-presidentit amerikan Riçard Nikson, ish-presidentit Ronald Regan, ish-kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu si dhe ish-kryeministrit tjetër izraelit Ariel Sharon.

Takimet elektorale

Rama në Fushë-Arrëz: Bashkë do ta transformojmë vendin

Kryetari i Partisë Socialiste vijoi dje turin e tij për prezantimin e programit të ri qeverisës në Fushë-Arrëz. Gjatë bisedës me banorë të këtij qyteti, kreu socialist ka folur për masakrën që i është bërë në vite pasurisë së përbashkët, pyjeve, të cilat janë prerë e masakruar duke prishur ekosistemin dhe mbi të gjitha të ardhmen e vendit. Por sipas tij, pasuritë e përbashkëta mund t’i kthehen në mirëqenie për të gjithë. Ndërkoha kryetari i PS-së u ndal dhe në largimin masiv të të rinjve dhe të rejave nga Fushë-Arrëzi, pasi nuk gjejnë asnjë motiv për të jetuar me punë të ndershme në vendin e tyre. “Ky fenomen duhet të ndalet dhe PS-ja me programin e saj të ri do të bëjë çmos që të gjithë të jetojnë me punë të ndershme në tokën e të parëve”, - theksoi Rama. Duke folur për masakrën që po u ndodh sot pyjeve shqiptare, kreu socialist nënvizoi se “ne do të marrim të gjitha masat e do të bëjmë gjithçka, me mish e me shpirt, që ta ndalim këtë shkatërrim e që pasuritë tona të përbashkëta t’i vëmë në dispozicion të shoqërisë sonë, duke ndryshuar rrënjësisht dhe marrëdhëniet me zonat rurale”. Më tej, duke detajuar të gjitha pikat e programit të ri në lidhje me zhvillimin rural, kreu i socialistëve u shpreh se “nuk ka arsye që ne të shikojmë me zili nga fqinjët tanë, nuk ka arsye që ne të shikojmë nga qielli se mos marrim përgjigje, ndërkohë që kemi një vend që është dhuratë bujare e Zotit, të cilin ne do ta kthejmë në vendin e mirëqenies së përbashkët”.

Leskaj në Elbasan

“Mbështetje për biznesin dhe formimin profesional të të rinjve”

ELBASAN- Një fabrikë veshjesh, e vetme e llojit të saj në Elbasan, ka qenë objekt i vizitës dhe i takimeve të kryetares së grupit parlamentar të PS-së Valentina Leskaj. Gjatë takimit me pronarët dhe shumicën e grave dhe vajzave që punojnë në këtë fabrikë trikotazhi, Leskaj ka deklaruar se mbështetja e biznesit dhe investimi në formimin profesional kanë tashmë një strategji dhe një program të qartë që Partia Socialiste do ta zbatojë pas zgjedhjeve të 28 qershorit. “Së pari unë dua të vlerësoj dhe të falënderoj pronarët e kësaj fabrike, të cilët kanë bërë një punë të mrekullueshme dhe japin një kontribut shumë të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë së vendit, japin një kontribut për të shëruar një plagë të madhe, siç është çështja e papunësisë. Këtu janë të punësuara shumë gra dhe vajza elbasanase. Ajo që unë reflektoj nga kjo vizitë këtu dhe ajo që dua të them ka të bëjë me faktin se biznesi meriton të vlerësohet, të mbështetet dhe ajo që ne do të bëjmë pas 28 qershorit është se do të mbështesim biznesin. Kemi një program shumë serioz për këtë, jo vetëm me zgjidhje dhe mbështetje biznesin e vogël, të mesëm dhe të madh”, - vuri në dukje Leskaj. Po në këtë linjë, ajo shtoi se “ndër pikat ku ne kemi planifikuar shumë ndryshime janë sistemi i taksave për biznesin. Po kështu pjesë e programit tonë është edhe synimi i qartë për investuar në fushën e arsimit dhe të formimit profesional”.

L. Lleshi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›