E Shtunë, 31 Tetor 2026

KOCI: “Drejtësia shqiptare është dorëzuar para korrupsionit”

26/04/2009  Akuza e PSV ’91

PSV ’91 u shpreh dje e indinjuar për zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë. Gjatë një deklarate për shtyp, kjo parti akuzoi se gjatë ditëve të fundit zhvillimet në këtë sektor po karakterizohen nga vendime që i nxjerrin pa u lagur ministrat e korruptuar të qeverisë “Berisha”. “Vendimet e gjyqësorit dhe të prokurorisë vërtetojnë se drejtësia është dorëzuar para korrupsionit. Anashkalimi i kësaj çështjeje madhore nga disa segmente të opozitës e komprometon më tej situatën e dështimit të madh të institucioneve politike dhe ligjore të ngarkuara për të luftuar korrupsionin. Paaftësia e prokurorisë, procedurat e saj të komprometuara hetimore kanë shërbyer si një justifikim juridik për të argumentuar vendime gjyqësore që nxjerrin korrupsionin e miliona eurove pa përgjegjës dhe pa pasoja penale.

Gjyqësori shqiptar ka demonstruar edhe një herë se përbën një nga shtyllat e mbështetjes së korrupsionit politik dhe qeveritar”, - theksohej në këtë deklaratë. Po kështu, duke iu referuar një situatë të tillë, PSV ’91 vlerësoi se teatri politik ndërluftues mes qeverisë dhe prokurorisë e ka thelluar edhe më tej kalbëzimin e sistemit konsensual kushtetues të 21 prillit dhe të raporteve institucionale mes politikës dhe drejtësisë. Por sipas kësaj partie, mbështetja e një pjese të opozitës për prokurorinë rezultoi më shumë si klienteliste sesa si parimore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›