E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizita e Koshtunicës në Mitrovicë. EULEKS: Nuk ka qenë i njoftuar

EULEX-i nuk ka qenë i njoftuar për vizitën e kryetarit të Partisë Demokratike të Serbisë, Vojisllav Koshtunica në veri të Mitrovicës. Kështu ka deklaruar zëdhënësja e këtij misioni, Kristina Herodes, ndërsa ka shtuar se EULEX-i nuk është përgjegjës për të dhënë leje për vizita të tilla. Për futjen pa leje të ish-kryeministrit serb, opozita ka kritikuar qeverinë e Kosovës duke shtuar se ardhja e liderëve të Serbisë në Kosovës ka për qëllim destabilizimin e situatës.

“E përshëndes ministrin e Rendit, Bajram Rexhepin. E pashe një intervistë dje të tij, thënë të drejtën, për gjynah. Mbajeni mend çfarë po ju them. Ministri thotë ne po ruhemi që të mos bëjmë incidente. Po incident janë mbajtja e zgjedhjeve.

Incident është hyrja jashtë ligjit e këtyre njerëzve këtu. Nuk ka lezet kështu të bihet kaq ulët, thuajse je në faj ti. Ti duhet të ruhesh që të mos bëhen incidente në veri, e ata le të bëjnë çka të duan. S’ka logjikë kjo” tha kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ardhja e zyrtarëve të Serbisë në Kosovë për Aleancën “Kosova e Re” është një shkelje e rëndë e sovranitetit të Kosovës dhe paqëndrueshmëri të çfarëdo zbatimi të strategjisë për Veriun. Ndërsa Lidhja Demokratike e Dardanisë ka kërkuar nga institucionet që të zbatojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Të dielën, ish- kryeministri serb i shoqëruar nga truprojat e tij të armatosur dhe i shoqëruar me një eskort të gjatë makinash të blindura është takuar me simpatizantët e tij në veri të Mitrovicës, ku po mbahet fushata për zgjedhjet paralele serbe që do të zhvillohen më 30 maj. Ai majde nuk ka kërkuar leje për këtë vizitë as nga qeveria e Kosovës e as nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Bul Salihu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›