E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha pret Ambasadorët e Italisë, Greqisë, Spanjës, Norvegjisë dhe Rumanisë të akredituar në NATO

Sot pasdite, Kryeministri Berisha priti në një takim përfaqësuesit e përhershëm  pranë Këshillit të Atlantikut  të Veriut Ambasadorin Italian Stefano Stefanini, Ambasadorin grek Thrassyvoulos Stamatopoulos, Ambasadorin spanjoll Benavides Orgaz, ambasadorin norvegjez Kim Travik dhe Ambasadorin Rumun Sorin Ducaru. 

Kryeministri Berisha, pasi u uroi mirëseardhjen ambasadorëve, e vlerësoi vizitën e tyre si shumë të rëndësishme  për proçesin e integrimit të Shqipërisë në NATO. Kryeministri u shpreh se integrimi në NATO dhe BE janë dy përparësitë më madhore për qeverinë shqiptare dhe shprehu vullnetin e qeverisë që të ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme për të plotësuar kushtet për marrjen e ftesës në Samitin e Bukureshtit.


Kryeministri i njohu ambasadorët me zhvillimet e fundit në Shqipëri në fushën politike, ekonomike, zhvillimet e brendshme, dhe luftën kundër krimit të organizuar. Kryeministri vuri në dukje përpjekjet e Shqipërisë në zbatimin e reformave në kuadër të procesit të integrimit në NATO, veçanërisht  në plotësimin e rekomandimeve të vendeve anëtare të Aleancës për  Shqipërinë. Më tej, Kryeministri bëri një përmbledhje të reformave të ndërmarra në fushën e zhvillimit ekonomik, lehtësimin e procedurave dhe barrës fiskale burokratike për biznesin, uljen e taksave,si dhe luftën me tolerance zero kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kryeministri u ndal në nismat e ndërmarra për krijimin e një klime lehtësuese dhe thithjen e investimeve të huaja, rritjen e turizmit, aplikimin e taksës elektronike, prokurorimeve publike elektronike, ombudsman-it të prokurimeve publike, etj. Gjithashtu, Kryeministri Berisha vuri në dukje rezultatet e arritura në luftën kundër korrupsionit, trafiqeve, reformën në forcimin e sistemit të drejtësisë, si dhe reformën në arsim.

Gjithashtu, Kryeministri i siguroi Ambasadorët për vazhdimin e angazhimit të Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe në misionet e drejtuara nga NATO në funksion të paqes.

Nga ana e tyre, Ambasadorët e Italisë, Greqisë, Spanjës, Norvegjisë dhe Rumanisë, në NATO e cilësuan progresin e Shqipërisë të dukshëm në rrugën e reformave të gjithanshme në Shqipëri dhe vlerësuan veçanërisht përpjekjet e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në NATO.  Ata inkurajuan vullnetin e qeverisë shqiptare për të ecur përpara me reformat veçanërisht në fushën e drejtësisë dhe reformës zgjedhore.

Gjithashtu, Ambasadorët shprehën vlerësimin për rolin konstruktiv të Shqipërisë në funksion të paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë. Më tej ata shprehën mbështetjen e vendeve të tyre për marrjen e ftesës së Shqipërisë në Samitin e Bukureshtit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›