Vizita e komisionerit në Tiranë
31/03/2010 Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan Fule, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, më 19 mars, ka kërkuar nga klasa politike shqiptare të kapërcejnë ngërçin politik në respekt të Kushtetutës së vendit dhe të transparencës. Në të gjitha takimet e ditës së djeshme që ka pasur me krerët e shtetit shqiptar: Presidentin Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha, Kryeparlamentaren Jozefina Topalli dhe me kreun e opozitës Edi Rama, është lëshuar mesazhi i qartë për qetësimin e situatës politike, në të mirë të vendit dhe aspiratës së tij për integrim evropian. Zyrtari i lartë i BE-së tha se kriteri i parë i vlerësimit nga ana e BE-së për Shqipërinë do të jetë situata aktuale politike dhe debati që zhvillohet sot në Parlament. Ai ka lëshuar sinjalin e alarmit, duke bërë thirrje për qetësimin e situatës politike. “Një Parlament thellësisht funksional është thelbësor për një funksionim të plotë të demokracisë. Nëse ngërçi politik vazhdon, kjo me të vërtetë mund ta pengojë Shqipërinë për arritjen e standardeve politike të pritshme nga një vend që ka aplikuar për anëtarësim në BE”, ka theksuar Fule. Sipas tij, Parlamenti është vendi për dialog dhe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, dhe se bojkoti parlamentar nuk ka vend në politikën demokratike si praktika që zbatohet në BE.