Raporti i ODIHR: Ja detyrat për partitë politike
TIRANË Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet lokale të 8 majit
sugjeroi 27 rekomandime për autoritetet shqiptare, partitë politike dhe administratën zgjedhore. Shumica e rekomandimeve përfshijnë ato të raportit të vitit 2009, por edhe vlerësimet e opinionit të Komisionit të Venecias në të njëjtin vit. Në raportin përfundimtar misioni kërkon nga partitë politike që të vendosin si prioritet demonstrimin e vullnetit politik për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike dhe në përputhje me standardet zgjedhore. U kërkohet partive të bëjnë detyrën e tyre në interes të Shqipërisë duke shmangur ndërhyjne e vendimeve zgjedhore me konsideratat politike. ODIHR thotë se duhet nisur menjëherë reforma zgjedhore e cila duhet të jetë gjithëpërfshirëse ndërsa mund të rikonsiderohet formula e kompozimit të KQZ-së duke rritur besimin tek pavarësia dhe paanshmëria e zbatimit të Kodit Zgjedhor. Një tjetër rekomandim është ai i përshtatjes së afateve të regjistrimit të kandidatëve me ato të printimit të fletëve të votimit apo ankimimit. Në raportin e fundit, OSBE/ODIHR sugjeron gjithashtu amendim të Kodit Zgjedhor për të sqaruar çështjen e fletëve të hedhura në kutinë e gabuar apo kur numri i fletëve të votimit dhe votuesve është i ndryshëm.