Vizita në Burrel, Topi bojkotohet nga e djathta
Presidenti i Republikës është nderuar dje në Burrel me titullin “Qytetar Nderi”. Topi apelon për bashkëpunim të të gjitha strukturave të pushtetit vendor dhe atij qendror
BURREL Presidenti i Republikës, Bamir Topi është nderuar dje në Burrel me titullin “Qytetar Nderi”, pa qenë të pranishëm përfaqësues të së djathtës. Gjatë ceremonisë së djeshme, Topi është nderuar vetëm me praninë e një këshilltari të Partisë Demokratike, ndërkohë që deputetë të qarkut Dibër, kryetarët e organeve të qeverisjes vendore, drejtorët e institucioneve dhe drejtuesit e forcave të djathta politike në rrethin e Matit nuk kanë pranuar të jenë pjesë e saj, pavarësisht se ata ishin ftuar. Më 10 tetor të këtij viti, 11 nga 17 këshilltarët e Bashkisë Burrel votuan për shpalljen e Presidentit Bamir Topi “Qytetar Nderi” të Burrelit. Më saktë, votuan pro tij 7 këshilltarë të majtë, tre të djathtë dhe një këshilltare e pavarur, e cila ishte dhe nismëtare për dhënien e këtij titulli. Burime pranë degës lokale të PD-së Mat pohuan dje për gazetën “Mapo” se dy ditë më parë, të gjithë drejtorët e ndërmarrjeve dhe institucioneve, këshilltarët e djathtë dhe kryetarët e komunave e bashkive ishin porositur të mos merrnin pjesë në ceremoninë e organizuar në Pallatin e Kulturës, Burrel. Ndërkohë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka qenë i shoqëruar nga anëtarë të kabinetit, ku zhvilloi vizitën e tij të punës në kryeqendrën e rrethit të Matit, në Burrel e ku u mikprit ngrohtësisht nga kryetarja e Bashkisë, Adelina Farrici, deputeti i zonës, Qemal Minxhozi, si dhe personalitete të jetës intelektuale e kulturore vendas. Kreu i shtetit zhvilloi fillimisht një takim në zyrën e kryetares së Bashkisë, ku Adelina Farrici, pasi bëri një panoramë shumëplanëshe të zhvillimit të qytetit, e njohu gjithashtu Presidentin me prioritetet kryesore të punës për të ardhmen. Një takim të veçantë, presidenti Topi e zhvilloi më tej dhe me këshilltarë e përfaqësues të tjerë të strukturave vendore. “Ju siguroj që do të jem gjithmonë shumë bashkëpunues me ju, në funksion të një të mire të përbashkët: në funksion të shtetit tonë, të standardeve më të mira të demokracisë për qytetarët e këtij vendi. Të gjithë së bashku duhet të kontribuojmë për qytetarët. Shembulli që ju jepni në këtë Bashki duhet të vazhdojë. Duhet të vazhdojë edhe bashkëpunimi i mirë që gëzoni duke e mbështetur njëri-tjetrin. Të gjitha strukturat e pushtetit vendor dhe atij qendror duhet të komunikojnë në mënyrë shumë racionale, sepse demokracia është respekt, komunikim dhe debat, është vendimmarrje dhe në fund fare, është dhe rotacion. Të bashkojmë forcat për të realizuar hartimin e politikave të perspektivës së ndërtimit dhe të funksionimit të këtij qyteti”, - tha Topi gjatë fjalës së tij. Gjatë ceremonisë, motivacioni për titullin “Qytetar Nderi” u lexua nga përfaqësuesi i Partisë Demokratike në këtë këshill bashkiak, Hysen Kuka, ndërsa titulli iu dorëzua Presidentit nga kryetarja e Bashkisë së Burrelit, Adelina Farrici.
P.Hasa