Piramida, Kushtetuesja rrëzon PS për pezullimin e ndërtimit
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar njërën nga dy kërkesat e paraqitura nga një grup deputetësh socialistë, që kanë lidhje me çështjen e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar. Pasi ka dëgjuar palët në një seancë të hapur gjatë paradites së djeshme, trupa e gjyqtarëve kushtetues, pasi është konsultuar ka vendosur që të mos e konsiderojë të drejtë kërkesën e paraqitur nga pala ankimuese, pra Partia Socialiste, për pezullimin e zbatimit të ligjit “Për ngritjen e kompleksit të ri parlamentar”, ndaj dhe ka vendosur ta rrëzojë atë. Vendimi është njoftuar në faqen zyrtare të gjykatës, ndërsa palët janë njoftuar nëpërmjet një komunikimi zyrtar nga administrata. “Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancë plenare me dyer të hapura kërkesën e jo më pak se 1/5 së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë me objekt: Shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të neneve 3, 5, 6, 8 të ligjit nr.10449, datë 14.07.2011 “Për rregullat dhe procedurat e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë;” dhe së dyti, pezullimin e zbatimit të këtij ligji deri në përfundim të shqyrtimit të kërkesës nga Gjykata Kushtetuese. Lidhur me pikën 1 të objektit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese është tërhequr për t’u shprehur më vonë me një vendim përfundimtar të arsyetuar. Lidhur me pikën 2 të objektit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të ligjit, pasi nuk plotësohen kushtet e parashikuara nga neni 45 i ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.”, - thuhet në këtë njoftim. Ndërkohë që gjatë seancës plenare palët në këtë konflikt, grupi i deputetëve socialistë të përfaqësuar nga avokati Genc Çifligu dhe Artan Lame; Këshilli i Ministrave, i përfaqësuar nga Marsida Xhaferllari, dhe Kuvendi i Shqipërisë, i përfaqësuar nga Lulëzim Lelçaj, kanë paraqitur pretendimet e tyre lidhur me këtë çështje.
Avokati i PS-së tha se “ligjet organike që rregullojnë ndërtimet kanë përcaktuar qartë se kompetencat janë të organeve të pushtetit vendor”.
Sipas tij, një detaj tjetër është mungesa e një fature financiare për kompleksin e ri parlamentar. Ndërkohë që Kushtetuta thotë se ligjet duhet të shoqërohen kurdoherë me një raport për shpenzimet që vijnë nga zbatimi i tij.
Specialisti i çështjeve të trashëgimisë kulturore, Artan Lame shpjegoi se si u shpall në vitin 2000, gjatë qeverisë socialiste, aksi i bulevardit “Dëshmorët e Kombit” deri te stacioni i trenit "Ansambël monument kulture".
Kurse në vitin 2007, në kohën e demokratëve, godina të veçanta të këtij ansambli, përfshirë piramidën, u shpallën monumente kulture veç e veç. Tre vjet më vonë, në vitin 2010 godinës iu hoq ky status. “Godina, o është, o s'është, o i ka, o s'i ka vlerat”, - u shpreh Lame. Në prapësimet e tyre, përfaqësuesit e Kuvendit dhe të Këshillit të Ministrave thanë se ligji nuk i uzurpon kompetencat e pushtetit vendor. Por argumenti kyç i tyre ishte se në rastin në fjalë, grupi i deputetëve nuk legjitimohet në kërkesën e tij.
Sipas përfaqësuesve të Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave, ashtu siç është formuluar kërkesa e deputetëve, kemi të bëjmë me një konflikt kompetencash.
“Në këtë rast, i vetmi organ që legjitimohet t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese është Bashkia e Tiranës”, - deklaroi përfaqësuesja e Kuvendit.
Përfaqësuesja e qeverisë shkoi më larg kur tha se deputetët nuk kanë marrë pjesë as në diskutimin e ligjit, as në votimin e tij. “Deputetët nuk kanë ushtruar të drejtën e tyre për pjesëmarrje në procesin legjislativ, as me votë pro, as me votë kundër”, - tha ajo.
Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave kërkuan rrëzimin e kërkesës. Gjykata vendosi të mos e pezullojë zbatimin e ligjit deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
Vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese pritet në ditët në vijim, por gjykata nuk ka afat për marrjen e vendimeve të saj.