Kodi Rrugor, propozimet e reja në Kuvend: Burg për shoferët e dehur
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Rrugore depoziton në Kuvend një bllok amendimesh shtesë të Kodit Rrugor aktual
TIRANË Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor pritet që të shoqërohet me masa të forta penalizuese për qytetarët shqiptarë. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Rrugore ka depozituar dje në Kuvend një bllok amendimesh shtesë të Kodit Rrugor aktual, ku veçohet jo vetëm rritja e masës së gjobës (deri në katërfish), por edhe zgjatja e afatit të arrestit me burg. Në bazë të amendimeve të depozituara, cilido që, duke zotëruar materialisht një mjet, ia beson ose ia jep ta drejtojë një personi të papajisur me leje drejtimi, do të ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë dhe me pezullimin e lejes së drejtimit për një vit. Në amendimet shtesë thuhet se i njëjti dënim do të zbatohet edhe në rastet kur përdoruesi i mjetit nuk ka dokument përdorimi nga zotëruesi material i mjetit, nga i cili nuk ka njoftim apo denoncim të administruar në organet e policisë për humbje, marrje (vjedhje) apo grabitje të mjetit. Cilido që drejton automjete apo motomjete pa marrë leje drejtimi, jo vetëm që do të dënohet me gjobë të majme nga 10 mijë deri në 40 mijë lekë, por edhe me arrest me burg nga 1 deri në 6 muaj. I njëjti dënim do të zbatohet edhe për drejtuesit që drejtojnë mjete pa leje drejtimi, sepse u është hequr ose nuk u është rinovuar leja për mosplotësim të kushteve të përcaktuara nga Kodi Rrugor. Në rast se personi që drejton automjetin nuk ka dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim dhe drejtim, atëherë ndaj tij nuk do të aplikohet më masa administrative nga dyqind e pesëdhjetë deri në njëmijë lekë, por ajo do të variojë nga një mijë deri në pesë mijë lekë. Masa të forta ndëshkuese janë parashikuar kësaj here edhe për ata që gjatë drejtimit të automjetit rezultojnë se kanë konsumuar alkool apo janë në gjendje të dehur. Kështu, në bazë të amendimeve të propozuara për Kodin aktual Rrugor, cilido që drejton mjetin pas përdorimit të pijeve alkoolike dhe pas verifikimit të shkeljes rezulton se është nën ndikimin e alkoolit, do të dënohet me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë, si dhe zbatohet masa administrative plotësuese me pezullim të lejedrejtimit për gjashtë muaj deri në 12 muaj, ose dy deri në tre vjet, kur subjekti e përsërit shkeljen brenda një viti. Kur drejtuesi i mjetit pas verifikimit të shkeljes rezulton në gjendje të dehur, atëherë ai do të dënohet me arrest nga një muaj deri në gjashtë muaj dhe pezullim të lejedrejtimit nga 1 deri në 2 vjet. Burg nga 1 deri në gjashtë muaj parashikohet edhe për cilindo që gjatë periudhës kur është tërhequr dokumenti, qarkullon në mënyrë abuzive me të njëjtin mjet, të cilit i referohet tërheqja e dokumentit. E njëjta masë ndëshkuese do të aplikohet edhe për ata që gjatë periudhës së pezullimit të lejeqarkullimit qarkullojnë në mënyrë abuzive me të njëjtin mjet, ose edhe me automjet tjetër. Krahas masës së arrestit, shkelësi duhet të paguajë edhe një gjobë që varion nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë. Kundër vendimit të dënimit nga organi administrativ shtetëror mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve nga dita e shpalljes së vendimit.
N.P